Në fokus

March 28, 2017 | 14:40

Nga Valentina Telhaj / Fëmijët e vegjël në botën e madhe të komunikimit

Bota e madhe e komunikimit për fëmijët e vegjël, tashmë e di fare mirë se kush është teknologjia! Madje ata janë më të aftë se edhe vetë prindërit e tyre.

Nga MSc.Valentina Telhaj. Psikologe këshillimi/terapiste EMDR niveli I

Nga MSc.Valentina Telhaj, Psikologe këshillimi /terapiste EMDR Niveli I

Përdorimi i internetit në ditët e sotme është kthyer në një mani të vërtetë. Rrjetet sociale si “Facebook”, “MySpace”, apo “Twitter”  si dhe lundrimi në “You Tube” po përdoren pa kufij, edhe në vendin tonë, ku numërohen më shumë se 1 milion përdorues të internetit. Krahas mundësive pozitive për marrjen e informacione, lundrimi në internet po mbart rreziqe të mëdha, pasi në radhët e përdoruesve të përditshëm masivisht janë fëmijët dhe adoleshentët. Përdorimi i pakontrolluar i këtyre rrjeteve, sipas ekspertëve, kanos rreziqe të shumta për gjithë shoqërinë, pasi fëmijët mund të njihen me njerëz të rrezikshëm dhe mund të lënë takim me ta, mund të hapin faqe me përmbajtje të dëmshme, mund t’u vidhen të dhënat, të abuzohen e ngacmohen seksualisht. Këto veprime lënë gjurmë të rënda në rritjen e tyre, duke qenë aspak të shëndetshme.

2

Fatkeqësisht, rrjetet dhe blogjet sociale gjithnjë e më shumë po përdoren edhe nga persona që abuzojnë me fëmijët. Konstatimi është bërë nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët u bënë pjesë e konferencës së zhvilluar në Shqipëri për sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit. Kjo pasi në vendin tonë nuk ekziston mentaliteti i kontrollimit apo i vendosjes së filtrave mbrojtjes, që pengojnë hyrjen e fëmijëve në faqet që mund të jenë të dëmshme.
Përfaqësuesi i ‘Word Vizion’ tha se, “shumë fëmijëve u janë kërkuar përmes internetit takime në vende të fshehta, me të panjohur, ndaj kontrolli i tyre dhe i përdorimit të internetit është shumë i rëndësishëm”. Përballë këtij realiteti shqetësues, edhe ambasadori i UNICEF-it , Detlef Palm, konfirmon se, “kohët e fundit interneti po përdoret gjithnjë e më shumë për të abuzuar me të miturit”, duke shtuar më tej se, “përdorimi i shpeshtë i tij cenon edhe privatësinë”. Duke qenë se interneti përdoret më shumë nga fëmijët, Palm thotë se, duhet të tregohet shumë kujdes me faqet e paligjshme të abuzimeve seksuale. “Një pjesë e fëmijëve kanë gjetur forma të reja komunikimi në internet. Është e domosdoshme të kontrollohet përmbajtja e papërshtatshme dhe kriminale e faqeve të internetit që instalohen aty. Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet t’i kontrollojnë dhe parandalojnë futjen në këto faqe pornografike të fëmijëve, pasi nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për shfrytëzimin pornografik të fëmijëve. Edhe qeveria shqiptare është pjesë e deklaratës së nënshkruar për dënimin dhe çuarjen para drejtësisë së personave që përdorin këto rrjete dhe kanë në dorë pornografinë e fëmijëve”, deklaron Palm.

Janë disa masat që duhet të merren për të pakësuar efektet negative të përdorimit të pakontrolluar të internetit nga fëmijët. Aleksandër Arvizu, deklaroi se “avancimi i teknologjisë nënkupton sfida, pasi fëmijët dhe të rinjtë kanë akses në internet. Fëmijët duhet t’i ndihmojmë t’i mbajmë larg përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme për ta”.

Fëmijët ftohen në vende të panjohura

Nga një studim i bërë së fundmi, “Siguria e fëmijëve në internet” raporton të dhëna shqetësuese, ku fëmijët pohojnë se, janë ftuar prej të panjohurve t’i takonin në vende të fshehta. Ndërsa një vajzë nga Korça kishte treguar për një të panjohur që i kishte vjedhur të dhënat dhe e kërcënonte për t’u takuar. Kur ajo nuk pranoi, ai postonte në këtë faqe materiale me përmbajtje jo të përshtatshme.“Ky njeri mbeti mister dhe nuk është zbuluar”, tha ndër të tjera Rein Deker, drejtori i organizatës ndërkombëtare “World Vision Albania”. Në Shqipëri, një në dy njerëz qëndrojnë në internet. Ndërsa në një sondazh të bërë në shkollat shqiptare në 100 fëmijë, 97 prej tyre kanë një faqe në rrjetet sociale.

3

Por çfarë ndodh me prindërit shqiptarë?

Shumë prej prindërve që kishin internet në shtëpi, të pyetur nga një gazetare, nuk ishin të informuar aq sa duhet për mënyrën sesi ta përdorin internetin apo rrjetet sociale. Madje, prindërit ndihen krenarë se fëmijët e tyre përdorin internetin, një mjet që ata vetë s’dinë ta përdorin. Prindërit që punojnë, nuk kanë kohën e mjaftueshme për t’i kontrolluar fëmijët. Ndërsa ata që kanë fëmijë adoleshentë ka raste që nuk i lejojnë prindërit t’i kontrollojnë dhe nuk u japin llogari për këtë pjesë të jetës të tyre. Ata na tregojnë se fëmijët e tyre kanë një profil në Facebook apo rrjete të tjera, por ata nuk arrijnë t’i kontrollojnë, sepse fëmijët dinë ta përdorin më mirë internetin se vetë prindërit. Këta të fundit duke mos e pasur idenë për rrezikun që iu kanoset fëmijëve, i lejojnë të rrinë me orë të tëra para internetit.
“Unë kam dy fëmijë, 16 vjeçe vajza dhe 15 vjeç djali. Që të dy kanë Facebook. Edhe unë kam një adresë. Im shoq e ka një adresë po ashtu, dhe ne mundohemi t’i kontrollojmë ndonjëherë fëmijët. Mendoj se ata e përdorin internetin për të komunikuar me miqtë, për të marrë informacione për detyrat e shkollës, nuk e besoj se ka ndonjë rrezik që ata rrinë me orë të tëra aty, përveçse u bën keq për sytë”, thotë një prej prindërve te okulisti, unë mbeta pa fjalë.

Five year old girl laying on table with laptop while mom (out of focus) reads newspaper on couch. Shot in studio.

Rreziku nga rrjetet pornografike

Një tjetër studim për internetin në Shqipëri bërë prej Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), tregon se përdorimi i tij ka arritur në shkallën 48.1 %. Studimi tregon një rritje trefish krahasuar me vitin 2007, ndërkohë që nga viti 2009 përdoruesit e internetit në Shqipëri janë rritur me 2.5 herë, imagjinoni çfarë bëhet tani në 2017-tën?!. Nga një sondazh i zhvilluar prej gazetarit Edian Gjoni, titulluar “Pornografia te fëmijët”, ku ishin marrë në pyetje rreth 1000 fëmijë të moshave 9 deri në 14 vjeç, u konstatua se, shumica prej fëmijëve tregonin “se ata vetë apo shokët dhe shoqet e tyre kishin parë filma pornografikë. Fëmijët tregonin se i gënjenin prindërit se po luanin ‘play station’, kur edhe këto lojëra kishin përmbajtje pornografike, të cilat gjendeshin lehtësisht në faqe të caktuara interneti”. Vajzat adoleshente për të rritur shkallën e popullaritetit apo numrin e miqve në faqen Facebook postojnë foto provokuese, me dekolte të ekzagjeruara, me buzë të fryra apo me të brendshme etj. Të mendosh se çfarë komunikimi kanë fëmijët tanë të vegjël në këtë botë të madhe telekomunikacioni, është e frikshme. Mua si nënë më tremb shumë!
Strukturat ndërkombëtare u bëjnë thirrje dikastereve dhe familjeve shqiptare që të ndërhyjnë, pasi faqet e internetit gjithnjë e më shumë po përdoren për të abuzuar me të miturit, të cilët rrezikojnë të bien pre e rrjeteve pornografike dhe të grupeve kriminale të shfrytëzimit të të rinjve, por sidomos të fëmijëve.

Albert Ajshtanj ka thënë: “Frikën njerëzimit ia kam kur teknologjia të arrijë kulmin e saj”.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top