Në fokus

April 10, 2017 | 11:26

Nga Valentina Telhaj / Konfliktet? Të luftojmë, apo të dorëzohemi!

Në jetën e përditshme kur themi konflikt dhe mosmarrëveshje, nënkuptojmë të njëjtën gjë. Madje, ka një prirje që mosmarrëveshjen e quan si shkak të konfliktit dhe konfliktin si pasojë të mosmarrëveshjes. Edhe e anasjella ndodh jo rrallë. Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të gjuhës sonë, shqipes, por meqë ka të bëjë me të konceptuarit e njërit ose tjetrit element, kjo ”ngatërresë” ndodh edhe në gjuhë të tjera. Për këtë arsye është gjetur me vend që përpara se të trajtojmë konfliktin, të japim një përkufizim të tij.

Nga MSc.Valentina Telhaj. Psikologe këshillimi/terapiste EMDR niveli I

Nga MSc.Valentina Telhaj. Psikologe këshillimi/terapiste EMDR niveli I

Konflikti mund të përkufizohet si një situatë faktike në të cilën elemente që duken të papajtueshme ushtrojnë forcë në drejtime të kundërta ose divergjente. Këto forca krijojnë tension, por jo domosdoshmërisht armiqësi ose luftë.

Fjala “konflikt” jo domosdoshmërisht do të thotë betejë. Konflikti mund të jetë i heshtur dhe i pashprehur, sikurse mund të jetë i shprehur në mënyrë të dukshme ose të fortë.

Konflikt do të thotë që, palët janë në opozitë. Pra, konflikti është fakti, diçka që ndodh dhe që nuk perceptohet njësoj nga të dyja palët. Është e kuptueshme që perceptimi varet nga shumë faktorë. Të tillë janë makromjedisi dhe mikromjedisi, në të cilët njeriu është lindur, rritur, edukuar si dhe stereotipe dhe paragjykime të caktuara, të formuara nga përvoja e jetës vetjake ose e jetës së të tjerëve, të tillë si: prindërit, motrat, vëllezërit, të afërmit, madje ndonjëherë edhe ata që duken si pa ndikim në një moment të caktuar, mund të kenë dhënë ndikimin e tyre në një deformim të caktuar. Kjo varet nga toleranca, nga të pranuarit ose jo të fajësisë, nga ndjenja e tërheqjes dhe e shmangies, nga pushteti që dëshiron të vendosësh mbi të tjerët, nga interesi i çastit, nga dëshira për t’u treguar si më i forti e fitimtari etj, etj. Arsyet dhe shkaqet e qëndrimeve të caktuara janë të pafundme.

konflikteËshtë e natyrshme që, ndonëse të gjithë i përkasim botës njerëzore dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta, po kaq jemi edhe të ndryshëm. Diversiteti është pjesë e jetës, po aq sa edhe konflikti. Të gjithë ne jemi po kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, e për rrjedhojë, mund të reagojmë në mënyra të ndryshme kundrejt të njëjtës situatë konfliktuale.

Kushdo e ka të qartë se kur ndodh një vepër penale, e para gjë që kërkohet nga organet e hetimit është gjetja e gjurmëve të gishtave. Gjurmët e vijave papilare janë krejt të ndryshme nga njëri individ tek tjetri. Asnjë nuk lë shenjë papilare dhe nuk ka vija papilare si të ndonjë individi të dytë. Edhe binjakët (homologë) i kanë këto të ndryshme. Në këto kushte, diversiteti jo vetëm e bën jetën të larmishme, herë e shtyn përpara e herë e detyron që të kthehet mbrapa, por i vendos individët në pozicione të kontradiktorialitetit.

zenkat-e-femijeve

Këtu nuk është fjala për qëndrime radikalisht të ndryshme në kuptimin ekstrem. Sepse kjo varet nga fakti se sa të ngjashëm jemi. Me këtë dua të them se në grupe të ngjashme elementët e ngjashëm janë më të rëndomtë se në grupet e tjera. Kështu duhet të konstatojmë se ka një lloj tipologjie në këto qëndrime që lidhet me grupmoshën shkollore të cilës i referohemi.

Qëndrimet ndaj konfliktit

Zakonisht dy janë qëndrimet e edukuara, lidhur me konfliktin, ose që mund të mbajmë ndaj konfliktit:

TË LUFTOJMË, APO …TË DORËZOHEMI?

Të dyja qëndrimet, pra si ai prej luftëtari edhe ai prej një individi të tërhequr, janë qëndrime njerëzore.

A KA PËRGJIGJE TË TJERA NDAJ KONFLIKTIT?

Përpara se t’i trajtojmë këto, le të ndalemi me atë që ndodh nëse konflikti nuk zgjidhet mirë ose drejt. Nga konflikti i menaxhuar keq ose dobët lind mosmarrëveshja. Mosmarrëveshja është faza e shpërthimit të konfliktit. Temperatura është rritur. Të konfliktuarit janë të inatosur dhe të revoltuar. Konflikti, tashmë mosmarrëveshje, manifestohet përmes: “përleshjes” në diskutim ose argumente; grindjeve të ashpra. Mosmarrëveshja është shenjë e një konflikti të pazgjidhur ose të menaxhuar dobët ose keq”, shprehet Diana Kalemi (ish-drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. “Kur konflikti është menaxhuar mirë, ai është pozitiv, është katalizator për ndryshim, rritje, përmirësim, mësim dhe edukim. Ai i ndërgjegjëson palët për rolet e tyre, për të drejtat dhe interesat vetjake dhe ato të të tjerëve, të cilat duhet të respektohen në mënyrë të njëjtë”, thekson Kalemi. Ndonjëherë përdorim shprehjen “duhet turbulluar që të kthjellohet” ose “uji që rri, qelbet” për të treguar se konflikti çon përpara, është shenjë e kërkesës për progres, për një alternativë më të mirë etj. Kur konflikti menaxhohet keq ose dobët, ai të çon në mosmarrëveshje. Kjo e fundit ka një kosto të spikatur për të gjitha palët e përfshirë në të. Pra, mosmarrëveshja është simptoma e një konflikti të pazgjidhur, jo tw menaxhuar mirë.

Çfarë është situata konfliktuale? Cili është raporti ndërmjet konfliktit dhe mosmarrëveshjes?

konflikt

Është ajo që lind në mes të dy forcave (grupeve ose individëve), tensione të kundërta, të cilët kanë interesa të ndryshëm, si rrjedhim i të cilave krijohen mosmarrëveshje ose acarime. Konflikti është pjesë e jetës së përditshme që merr forma të ndryshme. Ai mund të lindë për probleme ose mosmarrëveshje fare elementare e në dukje të parëndësishme. Kur konflikti rritet, njerëzit veprojnë në mënyrë të pandërgjegjshme,në mënyrat që ata i kanë zhvilluar nga përvojat dhe vrojtimet e tyre. Disa njerëzve u pëlqejnë konfliktet, veçanërisht kur konflikti bëhet armiqësor dhe përfshihen ndjenja të fuqishme. Pamja tregon në mënyrë simbolike se si për shkak të konfliktit, individët hyjnë në një ingranazh, nga i cili nuk dalin dot nëse nuk dinë të dalin. Ata vërtet përpiqen që t’i kthejnë shpinën njëri-tjetrit, por kjo nuk është e lehtë për sa ata janë ende të lidhur me njëri-tjetrin.

Lëvizja e njërit infekton tjetrin. Konflikti midis tyre, i kthyer në mosmarrëveshje, fillon të ndikojë edhe mbi të tjerë individë me të cilët këta kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta. P.sh: Nëse në shkollë të ndodhë një konflikt me një shok, po qe se nuk zgjidhet, ai do të ndikojë dhe në raportet me shokë të tjerë, do të manifestohet në përqendrimin në mësim, në qëndrimin ndaj mësuesit, ndaj familjarëve etj. Pra, ka një kosto të dukshme konflikti i pazgjidhur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top