Të pajtohesh me efektet anësore të ndryshimeve për shkak të një sëmundjeje vdekjeprurëse, rezulton shumë e vështirë emocionalisht, psikologjikisht dhe fizikisht. Të jesh e prekur nga një sëmundje e pashërueshme, ndryshon shëndetin fizik, psikologjik, ndryshon gjithashtu gjendjen shpirtërore, emocionale, dhe sjell me vete një sërë ndjenjash në mënyrë intensive, ndryshe nga ato që jemi mësuar të ndjejmë. Ato ndryshojnë në çdo kohë, minutë, vend.
Në momentin e diagnostikimit me kancer, krijohet ndjesia sikur jeta ju del jashtë kontrollit. Kjo ndodh sepse në vetvete pyesni nëse do të jetonit më si më parë apo, dhe sa kohë ju mbetet për të jetuar me rutinën tuaj normale, e cila ndërpritet, sepse janë vizitat te mjeku dhe trajtimet e ndryshme që duhet t’u nënshtrohesh. Njerëzit rreth teje përdorin terma mjekësore që rezultojnë ndonjëherë edhe të pakuptueshme.
Krijohet ndjesia se tashmë nuk do të mund të bëni gjëra që ju ofrojnë kënaqësi, ndihesh e pashpresë dhe e vetmuar. Edhe jeni jashtë kontrollit. Mirëpo janë disa mënyra që duhet të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit gjatë sëmundjes, duke u përpjekur të mësoni më shumë rreth saj në mënyrë që të shmangni ankthin. Do ishte mirë që për çdo gjë të paqartë të pyesni doktorin dhe të kërkoni informacione të sakta rreth sëmundjes.
Disa të tjerë që diagnostikohen me sëmundje terminale, ndihen më mirë nëse janë të angazhuar vazhdimisht me diçka, dhe jo të kërkojnë të dinë detajet. P.sh: marrin pjesë në aktivitete që i bëjnë të ndihen mirë, merren me muzikë, udhëtime, mësojnë rreth gjërave të reja etj. këto ndihmojnë kur personi e ka kaluar fazën e pranimit të sëmundjes.
Një person që diagnostikohet më kancer, momentin më të vështirë ka mohimin e saj. Ana negative e mohimit mund të jetë problematike, sepse e largon individin nga pranimi i trajtimit të duhur për diagnozën e caktuar. Pyetja më e shpeshtë që bëhet është: “Pse Unë?” dhe zemërimi mbulon tërë qenien tuaj. E në këtë rast, personi, i cili mund të jetë religjioz, zemërohet edhe me Zotin. Zemërimi vjen nga ndjenjat që shfaqen si frika, ankthi, paniku, frustrimi dhe shpresa e humbur. Të bisedosh më familjen është një nga ndihmat më të rëndësishme që një njeri i prekur nga kanceri që mund të marrë.
Këshillimi me mjekun, duke ofruar ndihmën përmes psikologut për terapi individuale, në grup dhe terapi familjare, ka shumë rëndësi. Të pranosh sëmundjen dhe të ndjekësh shembuj të suksesshëm, ku ndjenja e shpresës jep shumë arsye për ta kapërcyer pragun e mohimit.
Pse? Sepse shumë njerëz që kanë vuajtur nga kanceri janë akoma gjallë. Mënyra dhe shanset e të jetuarit me kancer në ditët e sotme janë shumë më të mira se sa në të shkuarën. Njerëzit jetojnë dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme të jetës edhe gjatë trajtimit të kancerit.
Këshilla të thjeshta për të rritur shpresat:
- Planifiko ditët ashtu siç gjithmonë keni bërë
- Mos u limito te gjërat që ju pëlqejnë, vetëm pse keni kancer
- Kërko arsye për shpresë
- Kalo kohë në natyrë
- Kalo kohë me familjen
- Vizito vendet ku nuk ke qenë më parë
- Përfundo projektet e lëna përgjysmë
- Gjej një motiv të zgjohesh çdo ditë, reflekto mbi besimin religjioz që praktikon
- Dëgjo histori pozitive për individët që e kanë kaluar sëmundjen, shiko filma, kryesisht komedi.
Disa njerëz e perceptojnë kancerin si një thirrje për t’u zgjuar nga gjumi. Ata arrijnë të realizojnë rëndësinë e gëzimeve edhe më të vogla të jetës. Librat mund të jenë po ashtu një motiv apo udhërrëfyes shumë interesant. Sëmundjet vdekjeprurëse të “lëkundin”, të bëjnë të ndryshosh dhe t’i japësh kuptim ditëve, orëve, minutave apo sekondave të jetës. Këtë e shpjegon më mirë ekzistencialisti I.Yalom me librat e tij (p.sh. kura e Schopenhauer). T’i kushtosh vëmendje gjërave të vogla që bëjmë çdo ditë, sepse ato na kthejnë buzëqeshjen.
Për t’i mbijetuar kancerit duhet pranuar sëmundja. S’duhet pasur frikë nga vdekja, sepse kur jemi ne s’është ajo, dhe kur është ajo, s’jemi ne. Në fund të fundit ka rëndësi cilësia e jetesës dhe jo sasia. Jo sa gjatë jetojmë, por sa mirë kemi jetuar!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.