Orientimi biheviorist tregon se sjellja anormale është e mësuar, se ajo mësohet dhe çmësohet nën ndikimin e faktorëve të mjedisit që e formësojnë, e ruajnë dhe e shuajnë atë.
Procesi terapeutik synon të mbajë nën kontroll faktorët që e formësojnë, ruajnë dhe shuajnë sjelljen. Qëllimi i terapisë është në rritjen e zgjedhjes personale dhe të jetuarit efektiv, çlirimi nga sjelljet që e pengojnë individin të jetojë me vlera, që e lejojnë të zgjedhë dhe të zhvillojë qëllimet personale që këto qëllime të jenë konsistente me të mirën e shoqërisë. Terapisti në mënyrë sistematike fillon të marrë informacione në lidhje me rrethanat, dimensionet ndaj klientit.
Terapisti apo këshilluesi duhet të ketë një pasqyrë totale të problemit që të hartohen strategjinë më të mirë ndaj problemit. Klienti në terapi biheviorale është shumë aktiv dhe i qartë, ai përfshihet në procesin e modelimit, luajtjen e roleve, ushtrimeve dhe sjelljeve të tjera aktive si pjesë e terapisë dhe i bindet terapisë. Ata inkurajohen të eksperimentojnë me sjellje të reja si qëllim i rritjes së repertorit të sjelljeve adaptive. Ato ndihmohen të transferojnë sjellje të mësuara në ambientet jashtë terapisë.
Këshillimi nuk është i plotë nëse nuk ka përshtatshmëri me jashtë. Disa kërkime klinike sugjerojnë se marrëdhëniet terapist-klient mund të kontribuojnë si proces ndryshimi në sjelljen e individit. Për të realizuar çmësimin e sjelljeve jo-adaptive, bihevioristët kanë përpunuar një numër të madh teknikash, ku baza e tyre është parimi i të mësuarit.
Bihevioristët e konsiderojnë njeriun si produkt fizik të botës së vet. Ai është objekt fizik kompleks, i cili lëviz në një botë fizike. Marrëdhëniet fizike mes tyre paraqesin çdo interes psikologjik rreth njeriut që trajtohet si fenomen fizik. Ndjeshmëria e individit paraqitet ndaj situatave që ata mund të reagojnë negativisht dhe të krijojnë fobi ndaj tyre. Frenimi reciprok përdoret në këtë mënyrë:
Relaksimi – ku klienti instruktohet të kontraktojë e pastaj të lëshojë muskujt. Në këtë gjendje klientit i bëhet të paraqesë dallimin mes gjendjes së muskujve të kontraktuar dhe në gjendje të lirë. (Këtu duhen 5-6 seanca.)
Hierarkia e ankthit – këtu hartohet një listë e ngacmimeve që i shkaktojnë ankth klientit, e cila fillon me ngacmuesin që shkakton më pak ankth deri te listimi i ngacmuesit, që shkakton më shumë ankth. Kjo listë shkon deri në 20-30 ngacmues dhe është listë personale.
Desensibilizimi – në gjendje relaksimi klientit u paraqitet me përshkrim ngacmuesi që shkakton më pak ankth. Klientit i kërkohet ta përfytyrojë atë. Zakonisht një seancë përfundon me relaksimin e klientit, por nëse klienti ndien tension akoma, atëherë zhvillohet një tjetër hap në seancë, duke e stimuluar këtë ngacmues me dy ose tre ngacmues të tjerë. Pas 10-20 seancash, klienti reagon pa ankth ndaj ngacmueseve, ai desensibilizohet gradualisht.
“Psikoanaliza, duke u orvatur që ta themelojë psikologjinë si një shkence natyrore, bëri gabim që ndau psikologjinë nga problemet e filozofisë dhe etikës. Ajo e injoroi faktin se personaliteti i njeriut nuk mund të kuptohet përderisa njeriu nuk shikohet në tërësinë e tij, gjë që e përmban edhe nevojën e tij për të gjetur përgjigjen në çështjen e kuptimit të ekzistencës së tij dhe për të kuptuar normat, në bazë të të cilave duhet të jetojë…”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.