Pyetja se për çfarë na duhet psikoterapia, mund të jepet me përgjigjen se psikoterapeuti është psikolog i specializuar në psikoterapi. Psikoterpia merret me trajtimin e çrregullimeve të ndryshme psikopatologjike. Shpirti i njeriut sëmuret, s’ka nevojë vetëm për ilaçe, duhet të shërohet, trajtohet me psikoterapi pa harruar sëmundje të tjera që burimin e tyre e kanë nga çrregullimet nervore, të cilat duan multidisiplinimin e specialistëve të shëndetit mendor. Psikoterapisti është i përgatitur gjatë trajnimeve të ndryshme profesionale. Ai formohet për ushtrimin e psikoterapisë rreth shenjave të ndryshme, nga më të lehtat deri tek të rëndat, duke përdorur teknikat e aplikimit të psikologjisë.
Problemet psikike janë enigmatike, mistike, nganjëherë të depërtueshme, që vazhdimisht shqetëson njerëzit. Angazhimi drejt psikikës është dëshira për të shpjeguar, për të interpretuar dhe në raste të caktuara ndonjëherë si ndihmues në çlirimin e njeriut nga vështirësitë e tij, por edhe duke manipuluar me problemin e tij.
Zgjidhja më e mirë e problemeve psikike në këtë shekull është psikoterapia, edhe pse kjo sot për shoqërinë shqiptare është akoma e implementuar si profesion, por zgjidhja e problemeve mendore duhet të bëhet nga profesionistë të përgatitur shkencorë dhe jo nga manipulatorë që ofrojnë shërbime të pasigurta. Psikoterapia realizohet kryesisht përmes procedurës terapeutike me anën e metodave verbale me synim t’i ndihmojë individët me probleme psikologjike. Civilizimi dhe ngritja e standardeve jetësore bën që marrëdhëniet e njeriut ndaj rrethit të kërkojnë angazhim të zgjidhjes së problemeve jetike. Kjo ka zhvilluar një diapazon të gjerë të teknikave psikoterapeutike.
Duke u shtuar problemet dhe sëmundjet e ndryshme të karakterit psikologjik, studimi i shumë metodave dhe teknikave mundëson përkushtimin në punën e përditshme dhe në projektet shkencore-kërkuese ku psikoterapia tani fiton statusin e vet si disiplinë e pavarur shkencore. Duke mos harruar rregullin e përgjithshëm: psikoterapi nuk do të thotë domosdoshmërisht shërim i tërësishëm i një problemi, por vëzhgimi më qetësisht i problemit dhe pa e vuajtur atë.
Për shembull, një zonjë ditën që u bë me djalë (sipas saj) bashkëshorti e kishte braktisur atë ditë dhe kishte shkuar të festonte me shokët. Ndërkohë sipas bashkëshortit, ai ishte shumë i gëzuar, i lumtur, i emocionuar dhe i sigurt si për shëndetin e gruas, ashtu dhe për djalin. Sa u qetësuan (i zuri gjumi) ai shkoi të pinte ndonjë birrë me shokët. Pra, ajo që pacienti sheh tragjike, mund të jetë krejt normale. Thjesht nëpërmjet teknikave psikoterapeutike duhet zgjidhur problemi dhe duhen qartësuar në mënyrë fleksibël pa mbajtur anën e asnjërit dhe pa përfshirë opinionin apo shembujt personalë.
Psikoterapia pozitive: Fjala “pozitive”, rrjedh prej fjalës latine, “positum” që do të thotë “e tërësishme, faktike”, sipas profesor Ceskos, trajner i kësaj psikoterapie, psikoterapia pozitive u vjen në ndihmë njerëzve për të gjetur dhe përmirësuar cilësinë e jetës, ristrukturimin e balancës së modelit në jetë, si dhe qasjen e tërësishme në konflikte, probleme dhe simptoma shëndetësore, si një perspektivë humaniste me karakter psikodinamik në psikoterapi, që të gjitha problemet, konfliktet, simptomat dhe çrregullimet i trajton nga një këndvështrim gjithëpërfshirës aspak paragjykues dhe reflektues.
Gjithmonë duhet të jesh pozitiv dhe t’i shohësh gjërat me më shumë dritë dhe shpresë është plotësisht e mundur. Se bota që jetojmë zotërohet nga errësira dhe pesimizmi dhe për t’i ikur kësaj gjendje njeriu duhet të punojë më vetën e tij drejt në njohjen e vetes dhe përdorimin e aseteve pozitive brenda saj në përfitim të një pozitiviteti në qenien tënde që mund ta gjesh te Psikoterapia Pozitive. Aftësia e njeriut është për të gjetur zgjidhjen e problemit të vet ku primar është zhvillimi i aftësisë për të dashur dhe sekondare është aftësia për të ditur. Objektivat e psikoterapisë pozitive është së ajo zhvillon konceptin e humanizmit te njeriu ne saje të aspekteve transkulturore ne zgjidhjet e konflikteve të ndryshme.
Si qëllim kryesor në psikoterapinë pozitive është zhvillimi dhe aplikimi sistematik i metodologjisë strukturore mbi cilësinë e jetës, ku pozitive nuk është e thënë se çdo gjë duhet të shikohet pozitivisht por e rëndësishme është qasja e problemit në të gjithat format, aspektet dhe qëndrimet e saj. E bazuar mbi psikoterapinë humaniste mbi konceptin dinamik çrregullimet dhe konfliktet nuk janë vetëm faktografike, por njeriu në të njëjtën kohë posedon kapacitete për t’u përballuar me to. Edhe pse afatshkurtër, trajnimi kryhet më shpejt se në terapitë e tjera psikoanalitike. Klienti dhe pacienti duhet të mësojnë që të ndryshojnë rolin e tyre nga pacienti te terapisti.
Parimet në psikoterapi bazohen mbi parimet e shpresës, baraspeshës, konsultimit, reflektimit etj. Më mirë të shkojmë te terapeutiku a psikologu duke qarë, se sa të shkojmë te psikiatri duke ‘qeshur’!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.