Marrëdhënie

September 9, 2017 | 7:55

Nga Xhemal Balla: Familja duhet të njohë e kuptojë problemet e edukatës që do të ushtrojë me fëmijët e saj

Hapat e para e të pandërprera të edukatës familjare hedhin bazat e para të moralit të ri me tiparet e moralit qytetar, me pajisjen me një kulturë të gjerë shkencore e një botë të pastër shpirtërore.

xhemal-balla

Xhemal Balla, mësues karriere

Kjo nuk është spontante, e rastësishme, provizore, por me një synim të caktuar të dy prindërve, të nënës dhe babait. Në mënyrë të vetëdijshme e sistematike do të formojë dhe te fëmijët cilësitë dhe vetitë e para të moralit qytetar, por fëmija në familje ndeshet dhe me ndjenjat e besimit te Zoti, të cilat i merr herë të pashpjegueshme dhe herë të shpjegueshme dhe të edukuara në mënyrën se si shprehen në mjedisin e jashtëm.

Me këtë ndjesi, i riu ndeshet dhe me informacionin e jashtëm nga shoqëria me të cilën jeton, por dhe me mjetet e informacionit masiv dhe institucionet përkatëse. Procesi i edukimit me ndjenjat fetare nuk është një problem i thjeshtë, por mjaft i komplikuar, pasi këto njohuri nuk merren të organizuara, të sakta dhe mund të çojnë në deformime të personalitetit. Prandaj dhe është mirë që të futen në shkollë mësimi fetar, i programuar, i drejtuar nga mësues të aftë, për t’i prerë rrugën shtrembërimeve të edukatës morale-qytetare.

familja

Familja nuk duhet ta kuptojë edukimin te fëmija jo vetëm në mënyrë verbale, por në unitet me praktikën e shprehive dhe zakoneve të edukatës moralo-qytetare. Kjo për faktin se rinia ka një aktivitet të gjerë jashtë shkolle dhe mund të infektohet nga pasionet e të dëfrimeve amorale, me përdorimin e pijeve dehëse, të drogës, të seksit të lirë etj. Nga një edukatë e mirë, familja mund të kalojë në anën e kundërt të saj, që ndikon në degjenerimin e rinisë për të bërë një jetë të shthurur, larg familjes, duke krijuar dhe bashkë jetesa të pasigurta ekonomike e morale që nuk përputhen plotësisht me interesat e tyre. Prandaj prindërit duket të vlerësojnë te fëmijët e tyre raportin e edukimit që ka marrë në familje, si dhe ndikimet edukative nga jashtë, nga shoqëria që e rrethon dhe nga mjetet e tjera. Këto mund ta deformojnë personalitetin e të riut ose të resë në qoftë se familja qëndron indiferente, nuk kupton dhe nuk ndërhyn me mençuri e takt për ballafaqimet e mendimeve e veprimeve dhe për të ndarë kufirin midis të moralshmes dhe të pamoralshmes, të mirën e të keqes, etj.

Brezi i ri nuk mban qëndrim pasiv ndaj realitetit, por vepron aktivisht e me gjallëri. Ai ka veçoritë e veta të moshës, interesat e prirjet e tij, rrugën e tij të jetës dhe ushqimin shpirtëror. Për këtë arsye, kërkohet nga prindërit një punë e kujdesshme për ta orientuar fëmijën, që me përpjekjet individuale të kuptojë rrugën e drejtë larg veseve negative.

Pra kuptohet fare qartë se, me gjithë lirinë e pavarësinë që kërkon mosha e rinisë e rolin e asaj në shoqëri e në jetën personale, përsëri roli i prindit për edukimin moral nuk duhet të zbehet, por përkundrazi, të ndihet përgjegjësia në ndërtimet e marrëdhënieve të drejta me fëmijët.

Marrë nga libri i autorit “Përgjegjësia e familjes për edukimin e fëmijëve”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top