Në shkollat tona ka rënë gongu i alarmit por askush se shikon. Bullizmi dhe abuzimi ngjajnë shumë e janë të përhapura tej normave të lejuara shoqërore vitet e fundit. Kujdesi duhet të fillojë që në kopsht, të shtrihet në shkollat fillore dhe ato 9-vjeçare me një program të detajuar me projekt nga shoqatat ose shteti me një grup profesionistësh, sepse parandalimi është më i lehtë se shërimi.
Çfarë është Bullizmi?
Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, dëshirë që dëmton, një veprim që lëndon, një disbalancë në forcë, një përdorim i padrejtë i forcës, një kënaqësi e dukshme e agresorit si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qëeit mbizotërues ndaj viktimës”.
“Bullying” i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme, me karakter psikologjik, fizik që ju bëhet fëmijëve, adoleshentëve të pambrojtur e të vetmuar, por nuk përjashtohen as të rriturit që bullohen ose i bullojnë të tjerët, si p.sh: një individ ose grup individësh më të mëdhenj të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, abuzojnë.
Këtë nocion e kemi dëgjuar shpesh në shkolla, por dhe më herët që në çerdhe ndodh mbizotërimi i një personi ndaj tjetrit që shkakton mënjanim dhe veçim individi në ambientet ku ata mësojnë ose kalojnë kohën e lirë. Këta individë agresivë kryejnë bullizëm ndaj “viktimave” të tyre duke shfrytëzuar moshën më të vogël, pamjen e jashtme, statusin social, përkatësitë racore, kombësinë ose dhe atë fetare.
Bullizmi shfaqet me karaktere dhe me forma të ndryshme:
1-Bullizmi fizik. Abuzim me anë të dhunës së përsëritur të çdo forme;
2-Bullizmi psikologjik verbal me anë të fyerjes, nofkave, thashethemeve dashakeqe, shpifjeve…;
3-Bullizmi social që do të thotë mënjanim nga grupi shoqëror në shkollë ose në festa që organizon klasa;
4-Bullizmi seksual, që është verbal me anë të fjalëve fyese, provokuese, por edhe fizik në ngacmime seksuale;
5-Bullizmi virtual me anë të rrjeteve sociale d.m.th keqpërdorimi i tyre për të dëmtuar ‘viktimën’ me postimin e fakteve apo thjesht shpifjeve publikisht…;
6-Bullizmi racial nëpërmjet fyerjes dhe dhunës;
7-Bullizmi fetar duke diskriminuar dhe fyer fenë ku nxënësi ose prindërit e tij besojnë.
Si ta dallojmë fëmijën që është nën presionin e Bullistëve?
- Fëmija nuk pëlqen më atë që pëlqente.
- Fëmija është i fiksuar pas Instagramit apo Facebook-ut nëse ka llogari, dhe papritur tenton t’i mbyllë ato nga frika.
- Fëmija nis të ketë shumë dhimbje koke ose dhembje stomaku.
- Fëmija grindet dhe nuk flet me miqtë.
- Fëmija nuk do të shkojë në shkollë ose në stërvitje.
- Fëmija nuk pëlqen më veten.
- Fëmija fillon të ushtrojë vetë bullizëm ndaj një më të dobëti.
A ka mënyra efikase për t’i mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët
– Bisedoni me mësuesen e djalit ose vajzës tuaj
– Përfitoni nga “orët e hapura” për të shtruar problemin.
– Shkoni në takime me prindër dhe ngrijeni si problem, bëje publike bullizmin që i ndodh fëmijës tuaj dhe ndonjëherë bëhu vetë hetues i fëmijës së bulluar.
– Mbrojeni atë dhe mësoi fëmijës mjetet e duhura për t’u përballur me bullistin.
– Luftoni t’i induktoni vetëbesim dhe aftësi të mbrohet.
– Kalo kohë me të dhe jepi mundësi të flasë, ta nxjerrë brengën që e mundon, ndryshe ai ose ajo që po kalojnë këtë problem, e kanë të vështirë mbijetesën në ambientin ku mëson apo jeton.
Bullizmi dëmton shëndetin mendor dhe fizik, madje dhe vret fëmijë të pafajshëm nëse nuk i mbrojmë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.