Editorial

June 9, 2021 | 13:09

Nga Xhoi Jakaj / Kriminaliteti në vend!

Krimi në rritje, por shqetësuese janë edhe aktet e dhunshme vjedhjet dhe grabitjet që shpesh përfundojnë me vrasje. Kriminaliteti i dhunshëm ka dalë në plan të parë, e nuk po bëhet objekt hulumtimesh për të dalë në përfundime që të goditet dhe parandalohet sa më parë.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Disa shqetësime të mëdha kohët e fundit po i listoj më poshtë:

1.Vjedhjet e të gjitha llojeve sidomos ata që kanë të bëjnë me pronën e qytetarëve; banesa, biznese, deri në ato personale në rrugë, në autobus, në magazina, në vende ku qarkullon malli,  vjedhjet kanë marrë shpesh formën e grabitjes, si akte të dhunshme deri në vrasje.

2.Janë rritur grabitjet e të gjitha llojeve duke filluar  nga bizneset sidomos argjendaritë, si dhe banesat në periferi të qyteteve të mëdha!

3.Janë  në rritje edhe  krimet e dhunshme seksuale, e akte të natyrës pedofilike.

4.Krimet në familje janë shtuar dhe kjo më së shumti vjen si pasoje e rritjes së varfërisë, papunësise dhe arsimimit të ulët!

5.Ka tendencë të rritet shifra e elementëve përsëritës në krim, që përfitojnë edhe nga puna jo rezultative për goditjen e tyre por edhe nga dënimet minimale penale. Përsëritësit, jo rrallë janë jashtë kontrollit policor ngaqë nuk funksionon siç duhet kontrolli policor i specializuar?

Nuk dua të zgjatem për një analizë të këtij realiteti të hidhur, por po jap një përmbledhje e disa veçori të kriminalitetit aktual!

Së pari, të gjithë po përjetojmë një kriminalitet të dhunshëm, tepër agresiv, ku përdorimi i armëve të zjarrit në shumë e shumë akte të vrasjeve, grabitjeve në agjensi financiare, lokale biznesi, ndaj personave të ndryshëm, është kthyer në shqetësim të madh!

Së dyti, dhuna shfaqet më së shumti ndaj vajzave dhe grave, e guximi kriminal i frikshëm flet për dobësim të dukshëm të shërbimit të rendit publik dhe mungesë të theksuar të venies së drejtësisë?

Së treti,  krimi i mirëorganizuar si prodhimi, trafikimi i lëndëve narkotike po shfaqet i dhunshëm dhe kërcënues. Policia para këtij lloj krimi prezantohet e paaftë dhe shpesh e pamundur për ta luftuar në rrënjë?

Së katërti, mbetet tepër shqetësues fenomeni i gjakmarrjes, hakmarrjes, si mënyrë tradicionale e një shoqërie që nuk funksionon drejtësia dhe autoriteti i shtetit, sa më i dobët të jetë autoriteti i ligjit, aq më tepër shtohen krimet, sidomos hakmarrja.

Së pesti janë rritur aktet kriminale të importuara, shkak bëhen të kthyerit  në Shqipëri, i personave me precedent penal ose që kanë kryer denime apo akte kriminale jashtë vendi e ata janë shumë më të rrezikshëm sepse përvoja e burgjeve është pasuruar nga elementë kriminalë përsëritës si në Shqipëri edhe jashtë saj.

Shkaqet e kriminalitetit

Për shkaqet flitet shumë e ka disa teori, por në rastin tonë kryesoret janë:

Amullitë e mëdha politike sjellin një periudhë tranzicioni të gjatë dhe kjo i lë terren krimit?

Në Shqipëri, ky tranzicion u shoqërua me rrëmbim të armëve e me trafikim të tyre, por edhe me prodhim e trafikim të lëndëve narkotike që për pasojë sjell shtim të kriminalitetit.

Papunësia masive

Në kushtet aktuale papunësia si dhe varfëria janë në nivele shqetësuese, për rrjedhojë elementë të shumtë që nga ata të mitur deri në atë profesionist rrugën e krimit e shohin edhe si mënyrë jetese. Varfëria në vend si edhe emigrimi sjell mpleksjen e krimit profesionist ndërajonal që ndikojnë në rritjen agresive të kontigjentit kriminal.

Shkak tepër kompleks është aktualiteti i së drejtës në këtë vend si:

Policia, gjyqësori, administrata në përgjithësi është e pabesueshme nga masa e madhe e njerëzve!

Korrupsioni, dhe rënia e besueshmërisë në organet ligj- zbatuese ka shtuar krimin,

Përgjegjësitë e politikanëve dhe liderëve në pushtetin qendror dhe vendor është shumë e madhe. Shpesh elementë të njohur si kontrabandistë dhe të korruptuar, mbahen në radhët e zyrtarëve që disponojnë kompetenca ligjore apo fuqi administrative,ekzekutive

Së fundi:

Mungon optimizmi, besimi, shpresa. Kështu nxitet ikja, largimi ose rrëmbimi në rrugë kriminale, pra me keqardhje duhet ta pranojmë se disa zgjedhin të jetojnë me vjedhje dhe grabitje?!

Ndaj sa nuk është vonë e gjithë shoqëria, shteti dhe organet e drejtësisë së re të marrin masa parandaluese. Parandalimi është më efikas në të gjitha rrethanat ku ndodh një krim!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top