Aktualitet

April 4, 2022 | 9:39

Nga Xhoi Jakaj / Një portofol i nivelit të lartë për gratë. PRESIDENCA. Koha për një grua!

Një vend si Shqipëria, ndoshta edhe për disa vite të tjera nuk e pranon lehtë një grua për Presidente sepse Kryeministri dhe Presidenti sipas nesh duhen burra? Kryesisht ata lloj burrash që luajnë fort, me 1100 hile që të mbijetojmë 100 vjet në Politikë. Por në këndvështrimin tim do të ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar një Institucion si Presidenca.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, Autore librash për adoleshentët

E them një gjë të tillë pasi kemi 32 vite demokraci, por fare pak mbështetje ndaj grave dhe vajzave në aspektin ekonomik, punësimin dhe arsimimin e tyre!  Është e vërtetë se sot kabineti ynë qeveritar ka numrin më të madh të zonjave që drejtojnë ministri të ndryshme, sikurse është e vërtetë edhe se përfaqësimi i tyre në parlament është rritur ndjeshëm, por ky është një tjetër diskutim që lidhet me disa kuota gjinore apo kërkesa në kuadër të integrimit europian, ama këto zonja nuk kanë punuar sa duhet që të afrojnë sa më shumë vajza dhe gra në dikasteret që ato drejtojnë?

Më tepër do ta lidhja këtë ngurrim për të menduar se një grua është e denjë për të qenë presidente me zhvillimin social, kulturor të shoqërisë sonë e cila mesa duket e ka të pamundur të shkëputet nga kjo gjendje tranzicioni që aq fort duket se e ka përqafuar. Por kjo është edhe arsyeja kryesore pse mendoj se është momenti i duhur për të patur edhe vendi ynë një Presidente grua.

Para se të nis ta argumentoj këtë do të doja të sillja në vëmendje atë çfarë historia na ka lënë si trashëgimi prej drejtimit dinjitoz të një vendi nga një grua.

Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore sepse Mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë;

Mbretëreshë Viktoria një epokë e tërë e artë mban emrin e saj.

Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB nga e cila kemi trashëgimi Deklaratën e famshme për të drejtat e njeriut

Edhe ndikimi i Margaret Thatcher në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm.

Benazir Bhutto Kryeministre e parë grua në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci.

Hillary Clinton është prova e gjallë e një suksesi

Pa lënë jashtë kësaj liste edhe një numër të madh emrash si humanistja Nënë Tereza, Eva Peron në Argjentinë, Zhaklin Kenedi, Anna Frank, Annie Besant që ndikoi në pavarësinë e Indisë, apo edhe emra të tjerë të njohur që ja kanë dalë të bëjnë histori në politikë.

Por akoma janë një numër i madh me zonja në funksion si  Kryeministre, 4 të tjera si monarke e 10 si presidente. Fakt interesant është Zvicra e cila ka patur disa Presidente gra, 6 me sa di unë.

Le të kthehemi tek Shqipëria.

Pse edhe ne na duhet aq shumë të ndjekim shembujt e këtyre vendeve të mëdha në histori?

Së pari: Demokracia jonë do të forcohej më shumë, sepse ka mbetur demokraci tepër e brishtë, ekuilibrat i ruan më mirë një grua e mençur se një burrë me energji të mëdha! Statistikat e shifrat tregojnë se ka shumë më tepër idealizëm dhe profesionalizëm në ato institucione që drejtohen nga gratë. 

Së dyti: Gratë janë lidere më të mira jo vetëm nga çfarë përmenda më sipër por, studimet tregojnë se kompanitë që kanë numër të madh femrash në lidership performojnë edhe më mirë ekonomikisht. Po ashtu besohet se fakti që cilësohen si më me ndershmëri përsa i përket barazisë dhe kompromisit në punë ju jep përparësi në role drejtuese.

Së treti: Ndikon në nxitjen e barazisë gjinore sepse duke parë një femër në një post të lartë drejtues nxit dhe motivon vajzat dhe gratë e tjera të përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës. Vendi ynë edhe pse ka përjetuar shumë ndryshime mbetet ende shoqëri patriarkale.

Një grua lufton për të drejtat e grave, një ndër shprehjet feministe “politika është personale” në këtë rast mbetet koncept më i gjerë, sepse një Presidente grua në Shqipëri pa diskutim ka eksperiencën personale në luftën që i është dashur të zhvillojë në të gjitha stadet e jetës për të triumfuar vetëm, e të kthehet në LIDERE si edhe një busull orientimi për vajzat e reja që asgjë nuk është e pamundur as në një vend ku prej shekujsh drejtojnë burrat !

Pavarësisht gjithçkaje, dhe problemeve apo kundërshtive të vogla brenda gjinisë, gratë punojnë së bashku. Ndoshta nuk do të kishim këtë ngërç politik nëse do të kishim një grua në një post kyç drejtues.  Gjenerata e re ka nevojë për një zonjë me nivel, një motivuese që të jetë Presidente. Shoqëria jonë fatkeqësisht ka harruar disa nga vlerat bazë dhe modelet aktuale nuk kanë shumë për të dhënë.

Po ku ka më mirë, që edhe mes grave akademike, të shoqërisë civile apo gra në biznes, të mbajnë një portofol Presidenteje.

Mbi të gjitha gratë nuk prodhojnë tirani, as sistem diktatorial, sepse vetë gruaja ka një vetëpërmbajtje dhe tërheqje më të shpejtë ndaj elementit pozitiv, sesa ndaj diktatit siç e ushtron një burrë me pushtet!

Një Grua ka qetësinë e të drejtuarit dhe mençurinë e zgjidhjes së problemeve pa instaluar presionin, sot ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë një grua Kryeministre kjo detyrimisht duhet të jetë politikane, apo një Presidente ku jo domosdo të jeta nga politika e vrazhdë që është ndërtuar gjithë këto vite. Një grua e ndryshon më në fund modelin e dhunës që më së shumti prej vitesh është bëre pjesë e krejt shoqërisë tonë!

Por nëse ne gratë nuk lobojmë fortë, kërkojmë me këmbëngulje të na dëgjohet zëri dhe të jemi zonja fisnike në krah te burrave, asnjëherë nuk do bëhemi faktor me rëndësi politike, por do mbetemi në pozicione dytësore drejtimi, ose do na ofrohet një farë “Pushteti prej Kryetarëve” pa lirinë dhe autoritetin e duhur sepse asnjë burrë nuk ti dhuron lehtë ato?

Pushteti liria, dinjiteti dhe pavarësia fitohen dhe lufta për këtë fitore nuk është e shpejtë, por mbetet një kauzë e fortë dhe e drejtë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top