Mirëqenie

December 18, 2019 | 10:43

Nga Xhoi Jakaj: Truri, libri, dija… mendja njerëzore zhvillohet përmes të lexuarit

A ka “gjeni” në botë që lindin të tillë dhe truri tyre funksionon pa librin, studimet dhe të ushtruarit e të lexuarit?!

“Doktor i shkencave” në fushën e kirurgjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Që prej vitit 2010 është pedagoge e jashtme në disa universitete shtetërore e private, dhe është autore e disa librave psikologjikë dhe bashkëautore në libra shkencorë.

“Doktor i shkencave” në fushën e kirurgjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Që prej vitit 2010 është pedagoge e jashtme në disa universitete shtetërore e private, dhe është autore e disa librave psikologjikë dhe bashkëautore në libra shkencorë.

Deri në 98% e veprimtarisë së trurit ndodh në mënyrë të pavetëdijshme. Disa gjëra që duket sikur nuk i dimë, në të vërtetë “flenë” në mendjen tonë, por që veprimtaria e trurit të jetë në funksion të njeriut, ai duhet mësuar me ushtrime ashtu sikurse dhe trupi ynë, dhe ushtrimet e trurit janë librat e të lexuarit.

Gjenitë lindin një në njëmijë, kurse një mijë mendje të tjera njerëzore pasi lindin zhvillohen përmes të lexuarit.

Të shpenzosh kohë duke iu përkushtuar leximit, është një aktivitet për të cilin do falënderosh veten më vonë.  Asnjëherë mos u justifikoni me elementin kohë për të mos i dedikuar ca minuta ose orë të lexuarit. Dhe sikur të reduktosh një konsum të njërës kafe që pi gjatë përditshmërisë tënde për të lexuar, e sigurove leximin pa shumë mundime, as shpenzim të kohës tënde produktive për punë. Përfitimet që grumbullohen janë të panumërta dhe ky shkrim shërben si një kujtesë në gjitha aspektet pozitive të cilat vlejnë dhe si një  thirrjeje për të marrë sa më shpejt e mundësisht librin që ke lënë përgjysmë prej kohësh ose nuk e ke nisur akoma!

1-Dijet asnjëherë nuk janë të tepërta

Funksioni i parë i librave është ai informues. Secili duhet të zgjedhë mes larmisë së titujve, atë që i duket më i përshtatshëm dhe që i shërben në formimin e tij akademik apo atë që përmbush kuriozitetet e tij dhe i sjell në mendje të shkuarën, adoleshencën, rininë apo mbase dhe projekton të ardhmen. Libri është një oqean dijesh, prej të cilit nuk mbytesh por rifreskohesh, gjithashtu mëson të perfeksionohesh  stilin tënd të të folurit dhe të përditshmërisë, fiton një lloj sigurie që ta jep gjithnjë të lexuarit. Kjo është dije e pafundme që të jep dhe liri individuale. 

2-Një fjalor i pasur dhe një artikulim i rrjedhshëm të bëjnë të ndjehesh krenar gjithnjë me veten

Sa herë je gjendur në një situatë të vështirë, ku problemi më i madh është të artikuluarit? Jam e bindur që përgjigja e të gjithëve ne është “Shumë herë”. Situatat e sikletshme, intervistat e punës, prezantimet përpara një grupi të madh njerëzish, e shumë raste të ngjashme bllokojnë funksionin normal mendor dhe të folurit, e kjo prej stresit dhe ankthit që krijohet, por leximi ndryshon gjithçka. Asnjë situatë nuk e gjen të papërgatitur dikë që i ka dedikuar shumë kohë leximit. Pasurimi i fjalorit të përditshëm, eliminimi i çdo huazimi, i cili aq sa e zgjeron edhe e vret gjuhën shqipe, por mbi të gjitha zhdërvjelltësia që të fal leximi, të bën që në çdo situatë të dalësh faqebardhë. Aftësitë e mira shprehëse gjithmonë ndërtohen prej leximit , dhe ndihmojnë njëkohësisht në aftësitë shkruese, të cilave për shkak të elektronikës së zhvilluar nuk i vihet më shumë rëndësi.

2

3-Leximi freskon trurin dhe qelizat e kujtesës

Konstatimi i mësipërm nuk është aspak i çuditshëm. Një nga aktivitetet që ndihmon kujtesën tuaj është pikërisht leximi. Shkencëtarët, biologët dhe gjeneticienët kanë vërtetuar se informacioni i marrë nëpërmjet leximit është 5 herë më i rrënjosur në memorien tuaj dhe më i përdorshëm prej jush, sesa informacioni i marrë nga mediat audiovizive. Nëse dëshironi që kujtesa juaj të jetë e pagabueshme deri në fund të jetës, kushtoni leximit minimalisht një orë në ditë. Justifikimet kur bëhet fjalë për leximin janë të papranueshme sepse kohë për të lexuar 30-60 minuta në ditë gjendet gjithnjë

4-Leximi ul nivelin e stresit dhe rrit përqendrimin

Stresi duket se është fjala më e përdorur në përditshmërinë tonë. Në punë hasemi me të, në shkollë shtohet shpesh fjala “jam në stres”, madje edhe në pritje të operacioneve të përditshme në institucione bankare apo shtetërore ndjen stresin dhe padurimin. Kundër të gjithë këtyre faktorëve të jashtëm të cilët ndikojnë negativisht në shëndetin tonë lufton leximi. Leximi ka aftësinë të zhvendosë mendjen tuaj në botën e tij, duke ju bërë të harroni të gjitha problemet e vogla të kaluara gjatë ditës. Koha në të cilën zhyteni në lexim, na ndihmon të kalisim durimin dhe të forcojmë përqendrimin. Këto dy të fundit janë probleme të hasura pafund në ditët tona në një kohë kur përqendrimi largohet vetëm nga një zile e   telefonit, ndaj leximi është mënyra më e mirë për të rrit përqendrimin tuaj gjatë përditshmërisë.

5-Leximi të argëton dhe përmirëson humorin

Leximi nuk duhet të konsiderohet si detyrim, mbi të gjitha ai është argëtim. Një libër i mirë mundë të largojë çdo pakënaqësi të ditës dhe mes miliona titujve, me siguri do gjeni veten diku. Shpesh duke lexuar një libër ne gjejmë veten duke buzëqeshur dhe doza e humorit tonë është shtuar për shkak të aktivitetit të trurit dhe adrenalinës së rritur nëpërmes kënaqësisë që të jep leximi.

Në përfundim të këtij shkrimi do ishte lumturi për mua nëse disa prej jush janë frymëzuar dhe fillojnë të investojnë kohën e tyre cilësore për shëndetin e tyre mendor dhe emocional.

Libri është:

A-Kulturë

B-Emocion

C-Dije

Mbaje afër librin pasi mban të freskëta qelizat e trurit, dhe nëse ke mendje të re, edhe shpirti yt do mbetet i ri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top