Rinia është katalizatori i ndryshimit. Rinia është shpresa për ndryshimin dhe krijimin e një sistemi ideal. Rinia është pasuria më e madhe e një populli. Ajo është guximi i së kaluarës, shpresa e së sotmes dhe e ardhmja e së nesërmes. Para zërit të saj joshen të gjithë. Vizioni se do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, i bën ata të fuqishëm dhe të sigurt në çdo gjë që duan.
Pasuria e një populli nuk është thesari nëntokësor, as prodhimet e Tokës. As llogaritë në bankë nuk mund të cilësohen si pasuri, pasuri e vërtetë është njeriu. Njeriu është pasuria më e madhe, e rinia është elementi më i rëndësishëm i atij thesari njerëzor. Prandaj, nëse dëshiron ta dish të ardhmen e një populli, atëherë pyet për gjendjen e rinisë në të. Pyeti çfarë bën rinia e tyre, me çka merret, çfarë i intereson, kë ka model, cilët janë qëllimet e tyre jetësore, çfarë bëjnë, për çka mendojnë?
Por, si mund të sjellë ndryshim rinia, në sistemin e tanishëm kur ajo është e rrethuar nga një sistem politik kaotik?
Nëse ka vullnet, ka mënyra. Ndryshimi nuk mund të bëhet menjëherë, është një proces hap pas hapi, i cili duhet të fillojë nga ne vetë.
Arsimi është një faktor themelor, i cili ndryshon jetën e çdokujt:
Arsimi për të rinjtë është çelësi, me ndihmën e të cilit ata mund të realizojnë potencialet e tyre. Të rinjtë duhet të pajisen me arsimin më të mirë të mundshëm dhe t’ju krijohen kushte të favorshme për rritjen e aftësive të tyre, të jenë një pasuri për komunitetin dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillimin e komunitetit.
Në këtë botë të globalizuar dhe të bazuar në dije, çdo personi të ri duhet t’i jepet mundësia për të kontribuar në shoqëri gjatë përmbushjes së potencialeve të tyre. Meqenëse edukimi, kërkon të ndryshojë mënyrën sesi jeton dhe mendon, së pari duhet të sigurohen mundësi të mëdha arsimore dhe kushte të përshtatshme, pengesat që shtrihen në rrugën e tyre drejt qëllimeve arsimore duhet të hiqen, vetëm atëherë rinia do të jetë një ndihmë për komunitetin.
Vetëzhvillimi i të rinjve lidhet drejtpërdrejt me atë të shoqërisë. Për të ndihmuar të tjerët të ndryshojnë stilin e jetës, së pari puna duhet të fillojë nga vetja. Kur fëmijët dërgohen në shkolla, ata janë duke hapur dritaret e dhomave të errëta të kësaj bote. Atje, ata mund të mësojnë rreth shoqërisë së tyre, mjedisit, etikës shoqërore dhe vlerave e kështu me radhë. Pra, është detyrë e çdo shoqërie të krijojë kushte konstruktive për të rinjtë në mënyrë që të marrin arsim.
Arsimi si udhëheqës i rrugës së të rinjve:
Me ndihmën e arsimit, të rinjtë mund të zgjedhin dhe kërkojnë interesat e tyre. Ata zgjedhin rrugët dhe drejtimet e jetës. Me këtë, ata vendosin synime për veten dhe përpiqen t’i arrijnë ato.
Sot të rinjtë mësojnë, por nesër do të udhëheqin ose do të japin mësim. Rruga e arsimit është një proces “merr dhe jep”. Arsimi që përfshin të gjitha sferat e jetës është transferuar nga një brez në tjetrin. Pra, nëse gjenerata e tanishme edukohet dhe udhëzohet në mënyrë adekuate, gjenerata tjetër është e sigurt për t’u edukuar dhe mësuar më shumë. Të rinjtë duhet të edukohen siç duhet pasi ata do të mbajnë udhëheqjen dhe do të zgjerojnë përgjegjësitë nesër. Ata nesër do të udhëheqin shoqërinë dhe vendin.
Edukimi si një mjet për të reformuar mendjet e të rinjve:
Globalisht, arsimi është njohur si një fushë prioritare, pasi është aq e rëndësishme për përmirësimin e jetës së të rinjve. Të rinjtë që nuk kanë arsimim të duhur, në përgjithësi nuk mund të dallojnë të drejtën dhe të gabuarën, të mirën dhe të keqen. Ata madje mund të shkojnë në rrugë të gabuara, nëse nuk drejtohen me saktësi përmes edukimit.
Unë do të doja të përqendroheshim në këtë pikë pak më shumë, me një shembull ilustrues nga vendet e Lindjes se Mesme. Shumica dërrmuese e luftëtarëve dhe kryengritësve të sotëm në Afganistan, Pakistan, përbëhen nga të rinjtë. Njëkohësisht, shumica e të rinjve në këtë zonë formojnë apo përfaqësojnë qeverinë, duke punuar në organe të ndryshme të qeverisë, pranë OJQ-ve dhe shumë agjencive të tjera shtetërore dhe jo shtetërore.
Grupi i parë ka marrë drejtimin e gabuar, ka marrë edukim të gabuar, duke i bërë ata një pengesë në rrugën e jetës së njerëzve të tjerë dhe barrë për shoqërinë, ndërsa i dyti, është udhëhequr në mënyrën e duhur, e pajisur me arsimimin e nevojshëm dhe mund të dallojë midis të drejtës dhe të gabuarës, u bë një ndihmë për shoqërinë.
Kategoria e parë u edukua dhe udhëzohej siç duhet, ndërsa kjo e fundit filozofikisht e devijonte dhe e privonte këtë të drejtë civile. Për të thënë shkurtimisht, nëse nuk kujdesemi siç duhet, të rinjtë mund të bëhen një element i mundimshëm edhe në pjesën tjetër të botës, duke u pajtuar me prirjet filozofike të gabuara. Kështu, qasja, cilësia dhe përballueshmëria e arsimit duhet të jenë një pikë kyçe e zhvillimit global.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.