Janë shumë të holla fijet që bashkojnë ngjyrat me psikologjinë njerëzore. Duke nisur nga reagimi emotiv dhe mendor që çdo ngjyrë shkakton te ne, psikologu zviceran Max Lüscher ka ideuar një test personaliteti bazuar mbi preferencat për ngjyra të caktuara. I përdorur nga psikologët, mësuesit dhe mjekët, testi i Lüscher mund të përdoret nga të gjithë. Janë katër fusha psikologjike, të cilat mund t’i kuptojmë nga testi i ngjyrave: imazhi që kemi për veten; marrëdhënia sentimentale me partnerin; aftësia për të reaguar në situata të ndryshme; sjellja që kemi përkundrejt së ardhmes. Ngjyrat pikturojnë realitetin tonë, jemi të rrethuar nga to dhe na ndezin shqisat, fantazinë, imagjinatën, krijojnë ndjesi… Të njohësh ngjyrat dhe karakteristikat e tyre mund të ndihmojë dhe ndikon pozitivisht në gjendjen shpirtërore, rrit kreativitetin dhe shëron trishtimin. Testi i ngjyrave bazohet në preferencat për çdo ngjyrë dhe përdoret si mjet diagnostikimi për gjendjen psikofizike të njerëzve. Ky test ka tetë ngjyra: katër janë ngjyrat bazë (e kuqe, e verdhë, e gjelbër dhe blu) dhe katër të tjera janë ngjyra ndihmëse (vjollcë, kafe, gri dhe e zezë). Zgjidhni ngjyrën që preferoni më tepër në veshjen tuaj dhe gjeni kuptimin psikologjik.
Blu
Kjo ngjyrë lidhet me qetësinë, kënaqësinë e madhe dhe përshtatjen. Të vëzhgosh gjatë këtë ngjyrë prodhon një efekt qetësie, kënaqësie e harmonie. Kush zgjedh blunë dëshiron të ketë marrëdhënie, të cilat të kenë në bazën e tyre besimin, ndershmërinë dhe përkushtimin. Këta njerëz kanë tendencën të respektojnë traditën, bazuar në vlerat morale afatgjata dhe kërkojnë një ambient ku konfliktet të shërbejnë për rritjen shpirtërore. Ata që e refuzojnë ngjyrën blu, janë thellësisht të pakënaqur moralisht, sepse nuk gjejnë rreth vetes integritetin dhe besimin. Janë të pakënaqur edhe në fushën e ndjenjave, sepse marrëdhëniet që përjetojnë janë inferiore krahasuar me pritshmëritë që kanë. Duan t’i largohen realitetit. Shpesh, kjo pakënaqësi prodhon vështirësi në përqendrim.
E gjelbër
Ngjyra e gjelbër u përkon ndjenjave të soliditetit, stabilitetit, forcës e konstantes dhe një sjelljeje të karakterizuar nga këmbëngulja. Energjia e së gjelbrës është një koleksion i mundshëm i energjisë në vetvete që tregon një tension të brendshëm. Efekti i qëndrueshmërisë së prodhuar nga e gjelbra përfaqëson, nga një këndvështrim psikologjik, vlerat e forta, të cilat nuk ndryshojnë. Zgjedhja e së gjelbrës tregon vetëbesim. Ata që e refuzojnë ngjyrën e gjelbër janë të munduar nga dyshime të forta për vlerat që kanë, nuk ndihen mjaftueshëm të konsideruar, kanë zemrën të shtypur (shpesh edhe fizikisht) nga mungesa e vazhdueshme e të konsideruarit, nga mungesa e vazhdueshme e mirënjohjes; ndihen të kërcënuar nga frika se mos humbin gjërat që kanë apo edhe vetë pozicionin që kanë arritur në jetë, sepse mbi të gjitha këto është ndjenja e vetëbesimit.
E kuqe
Kjo ngjyrë provokon eksitim dhe shtyn drejt një ndjesie force dhe sigurie. Zgjedhja e së kuqes përkon me një gjendje aktivizimi, me një “hedhje” drejt pushtimit, me një dëshirë të flaktë përfitimi dhe zgjerimi. Në fakt, e kuqja përfaqëson mobilizimin e të gjitha energjive (seksuale dhe agresive). Tek e kuqja fshihet vetësiguria, besimi në forcat personale dhe aftësia e madhe. Personat që e refuzojnë ngjyrën e kuqe kanë frikë se mos mbingarkohen nga intensiteti i stimujve. Janë lehtësisht të irritueshëm, ndihen të drobitur fizikisht dhe u nënshtrohen kushteve të jetës apo punëve të mërzitshme dhe të lodhshme.
E verdhë
Kjo ngjyrë nënkupton ndriçimin që rizgjon dhe jep ngrohtësi. Duke çliruar një ndjesi zhvillimi dhe lëvizjeje, e verdha i korrespondon një gjendjeje lirie dhe përparimi. Në fakt, e verdha është ngjyra e ndriçimit dhe e shpengimit. Personat që preferojnë ngjyrën e verdhë janë gjithmonë në kërkim të ndryshimit dhe të gjërave të reja. Ata që nuk e pëlqejnë si ngjyrë, me shumë gjasa ndihen bosh dhe të zhgënjyer, të frustruar në ambiciet e tyre personale deri në atë pikë sa dëshirojnë të heqin dorë nga shpresat që kanë. Ngjyra e verdhë e refuzuar sinjalizon që lufta për prestigj ka dhënë shenja negative ose, për mungesë kurajoje dhe vetëvlerësimi, njerëzit që nuk e pëlqejnë s’arrijnë dot të rifillojnë nga e para.
Lejla
Kjo ngjyrë, e cila është bashkim i ngjyrës së kuqe me blu, është ngjyra e metamorfozës, e tranzicionit, e misterit dhe magjisë. Preferohet nga fëmijët, nga gratë shtatzënë dhe nga njerëzit me personalitet të papjekur dhe të pazhvilluar plotësisht. Është ngjyra tradicionale e mistikes, e spiritualitetit, por edhe e joshjes erotike. Lejlaja nënkupton bashkimin e të kundërtave, e sugjestionimit. Personat që nuk e pëlqejnë si ngjyrë e kanë të vështirë ta lënë veten të çlirët, u shmangen intimitetit, pasi e konsiderojnë të rrezikshëm dhe mendojnë se u kërcënon integritetin, apo sepse në të kaluarën kanë pësuar vuajtje dhe zhgënjim.
Gri
Është ngjyra e neutrales perfekte, një tokë që nuk i përket askujt dhe ku nuk ka jetë. Njerëzit që e zgjedhin këtë ngjyrë kanë tendencën të rrinë larg, të mos afrojnë njeri dhe të mos përfshihen në asgjë.
Kafe
Kjo ngjyrë u përkon ndjenjave të trupit. Domosdoshmëria e fortë, indiferenca apo refuzimi i kësaj ngjyre tregojnë një sjellje precize kundrejt asaj që është trupore, materiale dhe kënaqësive fizike.
E zezë
Kjo ngjyrë përfaqëson mohimin absolut, “jo”-në radikale. Është ngjyra e kundërshtisë, pas së cilës mund të shprehet pretendimi për pushtet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.