Nuk do të mjaftonte kurrë një titull “Mjeshtër i Madh” apo “Artist i Popullit” për të përshkruar gjithë karrierën artistike të një aktori. Por, me përvojën mbi 40-vjeçare mbi supe, ai ka gjithë të drejtën ta gëzojë këtë meritë. Aktori Nikolla Llambro, me lirshmërinë dhe shpirtin fisnik të një artisti, bën një jetë aktive të gërshetuar mes profilit të të qenit një familjar dhe bashkëshort i kujdesshëm, po aq dhe aktor e bashkudhëtar për shumë të rinj që ndjekin rrugën e artit. Në ato pak ditë qëndrimi, ku zgjedh të vizitojë edhe Tiranën, aktorin e mbi 60 roleve, Nikolla Llambro, e takuam për të ndarë çastet e një rrugëtimi të gjatë artistik e jo vetëm.
Është larguar 27 vite më parë nga Shqipëria, një vendim që iu duk tepër i drejtë për vetë sistemin e kohës. Kjo vendosmëri i dha atij forcën dhe shpresën për të ecur përpara, ku pavarësisht sakrificave, vlera e të mbajturit të familjes së bashkuar, merrte meritën kryesore. Aktori Llambro pohon se qëllimi ishte më i fortë se vetë rrethanat apo sfidat ku do të përballej.
“Duke qenë minoritar, pjesa më e madhe e fisit të babait dhe nënës sime ishin andej. Kur u hapën kufijtë, i gjithë fisi këtej shkoi andej dhe filluan pretendimet e kërkesat. Ata na pritën shumë mirë, por pastaj u mpinë. Kur vajta unë, u thashë: Erdha, por nga ju nuk dua punë, asgjë, por vetëm miqësi e vëllazëri. Kam ardhur me mendimin e vendimin që bukën e fëmijëve të mi ta nxjerr nga guri me këto shpatulla”.
Largimi nga vendlindja ishte për të një detyrim moral dhe fizik për të përballuar jetesën. Si kryefamiljar, duhej të kujdesej për familjen prej gjashtë personash. Por, emigrimi për një artist nuk ishte i lehtë. Sfida ishte e madhe. Kërkonte guxim, nerv, thyerje tabush. Teksa kujton vitet e para, Nikolla Llambro thotë se ishin të vështira. Nga një figurë e njohur e skenës dhe e ekranit, iu desh të përkushtohej për të mbajtur familjen, për të shkolluar fëmijët e për një jetesë më të mirë. Për dhjetë vite punoi si punëtor ndërtimi.
“Kur punoja në Omonia, në verë ishte 46 gradë nën hije. Punoja me lopatë. Më ndodh një herë të ndeshem me një gjirokastrit, i cili më shikonte e nuk më dallonte mirë kush isha. Më pyet: Ti je Nikolla Llambro? Po, ia kthej. Si ke rënë kaq poshtë, më thotë? Pse, ia kthej, a vjedh, kurvëroj, drogoj, pse kam rënë poshtë? Punoja 18 orë në ditë. Shkëputesha gjysmë ore sa për një dush a për të ngrënë. Kur ika nga firma, pronari më tha, mos ik, se i fundit që do i vërë çelësin do jesh ti. Nuk e lejova të më shtypte. Punoja me sforco të jashtëzakonshme që të ruaja personalitetin, e të mos i jepja rast. Arrita që fëmijët e mi të rriten e të edukohen. I madhi, Martioni, ndoqi rrugën e pastiçerisë. Tani është bërë shef, është një nga më të mirët e Greqisë, është ambasadori i vetëm i Greqisë për “Cacao Barry”, firma më e madhe e çokollatës me bazë në Belgjikë dhe i 77 në botë në listën e shefave më të mirë. I vogli, Elvisi mbaroi për Teknikë Elektronike. Është një djalë i shtruar, duarartë”.
Pas dekadës së parë, një kapitull i ri do të shënonte jetën e aktorit. Fati nuk do ta sfidonte më. Rikthimi në profesion do të bëhej realitet.
“Fillimi vulosi largimin nga profesioni. Ishte shfaqja e Lorkës, “Dasma e përgjakur”. Atje kam qarë. Kjo ishte tronditja më e madhe shpirtërore. U interesova, por greqishtja e paktë që dija nga gjyshja, ajo e krahinës veriore, nuk më ndihmonte për asgjë. Doli një propozim, që të luaja një rol episodik në një film, i cili më vonë fitoi çmim. Pagesa ishte qesharake, por mora pjesë. Në atë kohë sapo kisha filluar punë në një firmë reklamash. U thashë: unë jam aktor. Asnjë nuk e besonte që një aktor të punonte në ndërtim. Më thotë pronari: nëse ke ardhur në Greqi që të mbash familjen si aktor, unë të këshilloj të ikësh. Që të mbash familjen, puna jote është këtu. U dërgova mesazh kastit që nuk mund të merrja pjesë se nuk më linte pronari, e kështu zgjati 10 vjet.
Manushus Manushaqis, nipi i Irene Papas, në ’92 kishte filluar një serial policesk. Në një nga seritë skenari ishte për mafien shqiptare. Se ku kishte gjetur emrin, e më thirri të bisedonim. Donte të dhëna dhe njerëz që dinin shqip. Kryemafiozi ishte shqiptar. Me rezymenë që më bëri për skenarin, unë i thashë që nuk prononcohem. Nuk dua të luaj se shqiptarët nuk janë të tërë mafiozë. Rastësisht, pas 10 vitesh, kur dola në asistencë se firma u mbyll, i njëjti regjisor nxjerr lajmërim se donte aktorë shqiptarë për serialin “Dashuria erdhi nga larg”, i cili bëri shumë bujë. U paraqitëm dhe i thashë regjisorit Manushaqis: kam dëshirë të shohësh një film.
Kisha marrë kasetat e këqija që shiteshin rrugëve, të cilat ishin cilësi jo e mirë. Vumë “Liri a Vdekje”. Ai pa momentin e luftës së Mashkullorës. Mbeti pa frymë dhe tha: Unë këtë film sot nuk e xhiroj dot. Kjo është një simfoni! Fillova me serialin dhe ky ishte rikthimi në profesion. Mbas asaj kohe e derisa dola në pension, kam jetuar me profesionin, me dinjitet e forcë si aktor shqiptar, i mirëpaguar si emigrant në kinematografi, kam bërë shumë reklama, kam luajtur me gjermanët, polakët, kam vajtuar deri në Keip Taun, e kam bërë reklamë për në Kenia”.
Nostalgjik për periudhën se si punohej në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, aktori Nikolla Llambro thotë se: “Ne kemi qenë heronj. Në filmin ‘Liri a vdekje’, ku kemi xhiruar luftën e Mashkullorës, nuk kishim as ujë të pinim. Mbase ishte mungesë përvoje. Punonim nga ora 8 e mëngjesit deri në 7 të darkës të lagur, 21 ditë. Edhe në filmat e tjerë ‘Rrugë të bardha’, apo ‘Dimri i fundit’”. Për aktorin, të gjitha rolet janë si fëmija për prindin.
Ai veçon rolin nga teatri “Duke gdhirë viti ’45”. Por ajo që e bëri të vërtetojë se ishte akoma gjallë në skenë, ishte shfaqja “Emigrantët”, e cila u vu në “Teatrin e Botës së Re” në Greqi, me aktorin Karafil Shena, ku Laert Vasili ishte regjisor. U dhanë dy sezone në një sallë me 70 vende. “Një përfaqësues i ish-juntës, i cili shoqërohej me një shqiptare që punonte me të, erdhi e na përgëzoi. ‘Na bëtë t’ju shikojmë si njerëz’, na tha. Ai ishte kryeroli im i shekullit të ri. Kam luajtur pastaj te “Njerëz dhe minj” të Stainbek. Aktori i njohur gjirokastrit ka një jetë familjare të organizuar me familjen dhe të lidhur ngushtë me fëmijët.
I është mirënjohës bashkëshortes së tij, Arianës, e cila ka qenë e vijon të jetë bashkudhëtarja e denjë e tij. Kohën më së shumti e ndan me të dhe dy fëmijët e djalit të vogël. Në pritje të përvjetorit të 70-të ka në plan një përvjetor ndryshe, më së shumti artistik, ndërsa veprën që do të shënojë kulmin final në profesion e sheh me monodramën e autorit grek, Kostas Varnalis, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.