Për të gjithë besimtarët e besimit islam sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, i cili është muaji i agjërimit për hir të dashurisë ndaj krijuesit fuqiplotë.
“Ramazani, muaji i cili kalit devotshmërinë njerëzore duke sjellë paqen shpirtërore tek çdo mysliman vjen si muaji i barazisë mes njerëzve, ndërsa agjërimi zbut zemrat duke sjellë falje dhe bashkëpunim”.
Kreu i Komunitetit Mysliman shqiptaro-amerikan, teologu, Gazmend Aga në një intervistë për News24 thotë se ky muaj është muaji i begatisë dhe çlirimit nga e keqja. Gazmend Aga tregon edhe arsyet se pse duhet të agjërojmë.
“Ramazani është i veçantë edhe për shkak të natës së Kadrit, e cila është një ngjarje që këtu në Shqipëri dhe jo vetëm i përket të gjitha besimeve”. Ramazani si muaji i barazisë mes njerëzve duket se sjell dhe paqen shpirtërore, ndaj për t’ia arritur kësaj, teologu Aga ka dhe një këshillë.
“Besimtarët myslimanë të cilët agjërojnë muajin e Ramazanit i nënshtrohen rregullave të këtij muaji, i cili distancon praktikantët nga të ngrënit dhe të pirit, nga agimi deri në perëndimin e diellit, duke respektuar kështu një ndër pesë shtyllat e islamit”.
Një mesazh për këtë ngjarje të rëndësishme e ka dhënë dhe Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar , Bujar Spahiu, i cili ka uruar të gjithë besimtarët që Allahu t’ia pranojë agjërimin, pasi thotë se agjërimi i afron ata me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.
“Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi. Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjesëtarëve të saj”, thotë ai ndër të tjera.
Urimi i Kryetarit të KMSH-së:
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.
Nesër me datë 6 maj është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.
Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.
Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).
Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi.
Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjestarëve të saj.
Prindër të dashur, transmetoni tek familjet tuaja mesazhin e dashurisë dhe paqes, edukojini fëmijët tuaj me dashuri për atdheun, për tjetrin dhe jetën. Jepuni atyre shpresë! Kaloni më shumë kohë me familjen që ta bëni gjithnjë e më të fortë shtyllën më të rëndësishme të shoqërisë.
Të nderuar motra dhe vëllezër,
Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na i pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.