Pavarësisht nga imagjinata popullore, që beson se femrat e tolerojnë më shumë dhimbjen se burrat, një studim i kryer nga Universiteti i Malagës analizoi diferencat mes meshkujve dhe femrave bazuar në përvojat e tyre me dhimbjen kronike dhe tregoi se diferencat janë minimale.
Rezistenca e një personi, aftësia për të kapërcyer situata jo të favorshme, ajo që përcakton aftësinë e ulët apo të lartë për ta pranuar dhimbjen, lidhet me një sërë karakteristikash që e pajis individin me cilësi për ta duruar dhimbjen kronike.
Përfundimet dolën nga studimi i 400 pacientëve me dhimbje kronike të shtyllës kurrizore (190 meshkuj dhe 210 femra) dhe rezultatet sinjalizuan më shumë ngjashmëri se diferenca mes dy gjinive.
Carmen Ramírez-Maestre, udhëheqësja e këtij kërkimi shprehet se: “Personat më rezistentë kanë prirjen për ta pranuar dhimbjen, e kuptojnë që është kronike dhe i fokusojnë sforcimet e tyre në zhdukjen e saj dhe i drejtojnë energjitë drejt një jete më të kënaqshme”.
Pacientët që e pranojnë këtë fakt perceptojnë një shkallë më të ulët dhimbjeje, kanë një nivel më të madh të aktivitetit ditor dhe kanë një gjendje shpirtërore më të gjallëruar.
Frika ndaj dhimbjes
Rezultatet u botuan në revistën “The Journal of Pain” dhe treguan se pacientët që e kishin më shumë frikë dhimbjen shfaqnin nivele të larta të ankthit dhe depresionit. “Por ky rezultat u vu re më shumë në kampionin e meshkujve dhe lidhej me një nivel më të lartë të dhimbjes, duke qenë e vetmja diferencë përsa i përket gjinisë së pacientit,” përfundon autorja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.