Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, madje që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me çështjet evropiane. Ato nisën si marrëdhënie njerëzore dhe u shndërruan në marrëdhënie shtetërore. Por shqiptarët, megjithëse janë pro amerikanë të bindur, në pjesën më të madhe të tyre nuk i njohin veçse në vija të përgjithshme të mirat e mëdha që Amerika na ka bërë ne, dhe për të cilat i detyrohemi këtij vendi të madh.
Ky libër nuk është mjaltë dhe sheqer, por ka edhe shumë vërejtje për amerikanët, si edhe për shqiptarët, në marrëdhëniet e dyanshme. Autori ka shkruar si shqiptar, kur është fjala për të shprehur mirënjohjen ndaj SHBA, por ka bërë përpjekje që të shkruajë i distancuar dhe pa emocione, kur është fjala për të analizuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Nuk është e vështirë të provosh me shumë fakte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të veçanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship. E vështirë, kur shkruan një libër studimor vërtet serioz për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të thotë që të përpiqesh të zbulosh çelësin që shpjegon veçanësinë e pamohueshme të këtyre marrëdhënieve në sfond historik.
Në qoftë se vërtetohet lehtë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri të veçantë, nuk është e lehtë aspak të tregosh në të gjitha përmasat e tyre, themelet e këtyre marrëdhënieve, ato themele të cilat kanë bërë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane t’u rezistojnë sfidave të kohës, madhe edhe tërmeteve, siç mund të quhet qëndrimi armiqësor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA.
Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane sipas autorit Ndriçim Kulla, janë të veçanta. Nëse evidentohen këto fakte, kjo vjen thjesht nga ecuria e studimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Shumë janë të shqetësuar se mos nga rezultati, për shumëkënd i papritur, i këtyre zgjedhjeve, fitorja e Trumpit, do të ketë përmbysje të padëshiruara në politikën amerikane në botë, si dhe në marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Ky është debati i ditës në botë.
Bindja ime është se, SHBA ka ndërtuar themele të forta institucionale për politikën e saj, kështu që asnjë individ nuk mund t’i lëkundë ato, qoftë edhe nëse zgjidhet president. Megjithatë, unë besoj se ndonëse z. Trump duhet të na provojë me vepra nëse do të hyjë në listën e presidentëve të mëdhenj amerikanë, ai nuk është aspak një politikan joserioz, nga i cili bota do të shohë të papritura aq të pakëndshme, sa duan të thonë kundërshtarët e tij. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Ndriçim Kulla
Titulli: Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane
Autori: Ndriçim Kulla
Gjinia: Analizë Historike
Shtëpia Botuese: PLEJAD
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.