Vdekja është një gjë e çuditshme. Njerëzit e jetojnë të gjithë jetën e tyre sikur vdekja të mos ekzistojë, e megjithatë ajo është një prej motiveve më të fuqishme për të jetuar. Disa prej nesh, me kalimin e kohës, bëhen më të vetëdijshëm për ekzistencën e saj dhe nisin të jetojnë më fort, më me këmbëngulje, më me shumë tërbim. Disa të tjerë kanë nevojë për praninë e saj, që të ndërgjegjësohen se ekziston antiteza e saj. Dhe të tjerë, më tej, fiksohen kaq shumë pas saj, saqë përfundojnë në sallën e pritjes shumë më parë se asaj t’i ketë ardhur koha për të mbërritur. Ne ia kemi frikën, por frika më e madhe është se mund të na marrë dikë tjetër dhe jo ne. Sepse frika më e madhe nga vdekja është se ajo mund të na anashkalojë. Dhe mund të na lërë fare vetëm në këtë botë.

Foto ilustruese nga filmi me të njëjtin titull
Doli në qarkullim libri që ka pushtuar zemrat e miliona, e miliona lexuesve, duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm dhe duke u ngjitur në majat e klasifikimeve në mbarë botën: romani NJË BURRË I QUAJTUR UVE, i autorit tashmë me famë botërore Fredrik Backman. Romani që është përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore dhe në mbarë kontinentin europian, tashmë është përshtatur edhe në ekranin e madh, ku ka patur sukses të madh si edhe libri.

Foto ilustruese nga filmi me të njëjtin titull
“Një burrë i quajtur Uve” është një përzgjedhje e përkryer për klubet e librit. Është i shkruar në mënyrën më të përsosur, duke prekur njëkohësisht shqetësimet universale të njerëzve. Është jeta e përditshme dhe marrëdhëniet e saj shoqërore. Në faqet e tij ju do të ndesheni me një humor të beftë dhe do të jetë pothuajse e sigurt që lotët do t’ju rrëshqasin në fytyrën tuaj përgjatë leximit. Kënaqësia do të jetë e tillë, që, pasi ta keni lexuar këtë roman, do të vijë patjetër një çast kur do të dëshironi t’i riktheheni sërish atij për një lexim të dytë. – BookBrowse.com

Foto ilustruese nga filmi me të njëjtin titull
Uvja ka parime të patundura, rutinë të rreptë, ai mendon se rregullat janë bërë për t’u ndjekur dhe se shenjat rrugore janë vendosur që të zbatohen. Njerëzit e quajnë atë “një fqinj i hidhur.” Por a mund të jetë “i hidhur” Uvja vetëm se nuk ecën me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë përgjatë gjithë kohës? Prapa kësaj fasade të jashtme të çuditshme ka një histori të dhembshme, në themel të së cilës ngrihet madhërishëm një dashuri e jashtëzakonshme, e cila ndërthuret shumë natyrshëm gjatë gjithë romanit, me ngjarjet që zhvillohen në këtë libër…
Titulli: Një burrë i quajtur Uve
Autor: Fredrik Backman
Shqipëroi: Oriana Tamburi
Gjinia: Roman
Shtëpia Botuese: Omsca-1
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.