Marrëdhënie

December 24, 2015 | 9:27

Një çift i lumtur në seksualitet të shprehur

Nga: Besarta Taçi

“Lumturia nuk është pjesë e kënaqësisë, dashurisë, konsiderimit apo admirimit të të tjerëve, sa është pranimi i vetvetes”. Po citoj filozofin dhe psikanalistin Umberto Galimberti për t’i dhënë formë një koncepti shumë të vështirë për t’u shprehur: Çfarë e bën një çift të lumtur? Koncepti i lumturisë është shumë i vështirë për t’u përcaktuar, sepse i përket kuptimit social, kulturor dhe epokës historike ku jeton individi, edhe pse në 20 vitet e fundit. Psikologët janë munduar të analizojnë mekanizmat në bazë të ndjesisë së lumturisë, por jo gjithmonë përfundimet kanë qenë të njëjta. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, lumturia është e lidhur për një pjesë të konsiderueshme me shëndetin e vetëpërcaktuar, mekanizmi me të cilin çdo person përcakton shëndetin e tij psikofizik në bazë të moshës, historisë së sëmundjeve që ka pësuar në jetën e tij dhe të shëndetit si dhe tw personave që e rrethojnë. Askush përtej personave që jetojnë në një lidhje sentimentale mund të shprehë mirëqenien e çiftit. Çdo person e vetpërcakton ndjesinë e tij në bazë të disa parametrave personale, edhe pse në shoqërinë e sotme jemi mësuar të bëjmë një krahasim me atë çka mediat apo shoqëria na ofron si model i përsosur te çifti. Modelet standarde nuk ekzistojnë nga momenti që çdo lidhje është e formuar nga dy persona që kanë personalitete, histori personale, dëshira dhe objektiva të ndryshme. Lidhjet arrijnë të bëhen sa më të forta, sidomos kur kalojnë disa faza në të cilat partnerët mësojnë pranimin dhe besimin te gjysma tjetër. Kam përsëritur shumë shpesh përdorimin e trekëndëshit të Sternberg në vlerësimin e lidhjes në çift, një mënyrë për të kuptuar kush nga faktorët e projekteve, intimitetit apo seksualitetit është dominues në një lidhje. Kur të tria këto elemente formojnë një trekëndësh në mënyrë të ekuilibruar, lidhja është e shëndoshë dhe ka premisa për një jetëgjatësi. Nëse në çift intimiteti është formë dominuese dhe mungon seksualiteti, edhe pse çifti ka shumë vite bashkë, kjo i ngjan më shumë lidhjes shoqërore. Nëse në çift, seksualiteti është elementi dominues, por mungon intimiteti dhe projekti për një bashkëjetesë, kjo është lidhja që karakterizon “çiftet klandestine”, pra ato jashtëmartesore, ose ato që i bashkon kënaqësia seksuale. Ekzistojnë edhe ato lidhje ku seksualiteti dhe intimiteti është i pranishëm, por nuk ka të ardhme, është rasti i atyre çifteve që përjetojnë aventura marramendëse për periudha të shkurtra dhe gjithçka perëndon shumë shpejt. Në të gjitha tipologjitë e lidhjeve romantike, seksualiteti është elementi që diskriminon lidhjet shoqërore nga ato seksuale. Mirëqenia globale e një çifti detyrimisht prek edhe sferën seksuale. Zakonisht çiftet që ndjehen mirë, kanë bashkëpunim, ndaj në dëshirat dhe fantazitë e tyre shprehin tërësisht ndjenjat dhe emocionet. Imazhi që të dy partnerët kanë për njëri-tjetrin është i vërtetë dhe të dy pasqyrohen në përshkrim. Në çiftet ku ka komunikim, ku respektohet hapësira individuale, ku partnerët arrijnë të vendosin “Ne” në themelin e lidhjes, aty ku diskutimet mbyllen me mirëkuptime dhe jo me urrejtje dhe agresivitet, ku mbizotërojnë përkëdheljet dhe emocionet pozitive, në këto partnerë edhe seksualiteti është i karakterizuar nga shkëmbime dëshirash, kënaqësisë dhe kreativitet.

Në çiftet që në të kundërt mbizotëron moskomunikim, hatërmbetja, urrejtja, mungesa e respektit apo agresiviteti, këto emocione karakterizojnë edhe sferën seksuale, sepse ndodh që në këto çifte, seksualiteti të përdoret si mjet të për komunikuar informacionet që nuk arrihen dot të shkëmbehen me dialog. Trupi komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë “luftën” emotive që pëson truri, edhe pse ne nuk duam t’i komunikojmë të gjitha këto ndjesi, pa komunikimi është i pamundur, dhe aty ku gjuha s’i shpreh por i shpreh mimika, xhestet, tingujt, lëvizjet trupore. (Watzlawick).

Nëse shenjat seksuale nuk janë rezultat i një sëmundjeje trupore të certifikuar nga analizat, këto simptoma mund të jenë shprehia e një lidhjeje jo të shëndoshë dhe sidomos jo të lumtur. Seksualiteti njerëzor është pjesë e shëndetit dhe mirëqenies. Seksi ushqen ndjenjën dhe ndjenja shprehet në seksualitet, janë dy elementë që ushqen së bashku. Inati, agresiviteti i tepërt, urrejtja janë elementë që nuk lejojnë të shprehet në mënyrën e shëndoshë ndjenja. Seksualiteti bëhet mekanik, i ftohtë dhe jo i pëlqyeshëm. Por sfera seksuale e një çifti është e gjerë sa vetë planeti Tokë. Mënyrat e shprehisë së ndjenjës janë aq të veçanta sa janë mendimet e çdo personi në këtë glob. E rëndësishme është që partneri ynë të jetë dakord me preferencat tona dhe ne të respektojmë veten dhe dëshirat e partnerit. Nuk ekzistojnë parametra universalë për të matur lumturinë seksuale. Parametri më i mirë janë vetë partnerët në shprehinë e kësaj ndjenje në bazë të komunikimit të emocioneve pozitive, të përkëdheljeve që kurrë nuk mbarojnë së shprehuri dhe dëshirës seksuale që mbahet gjallë ndër vite. Flaka e dëshirës nuk është konstante gjatë të gjithë jetës së personave. Normalisht eventet e jetës si prania e fëmijëve, sëmundjet e paprogramuara, stresi dhe lodhja fizike janë elemente që ndikojnë në jetën seksuale. Një çift i lumtur di të komunikojë mosdëshirën, vështirësitë dhe pakënaqësitë ashtu si di të shprehë lumturinë, dashurinë, dëshirën, kënaqësinë dhe fantazitë seksuale gjatë të gjithë jetesës në çift.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top