Në fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), te fjala “ambicie”, gjejmë vetëm një përkufizim: “Dëshirë e fortë e këmbëngulje për të bërë a për të arritur diçka”, ndërsa te fjala “ambicioz,-e” lexojmë vetëm “Që ka ambicie…”. Unë nuk e di se në ç’kuptim i përdorin sot bashkatdhetarët e mi këto dy fjalë, por, në rininë time, shprehja “një nxënës apo student ambicioz” kishte, në jetën e përditshme, kuptimin “që do të dalë me çdo kusht i pari në mësime për të shkëlqyer më shumë se të tjerët” plus njëfarë doze egocentrizmi me prirje karrieriste; po kështu, kur nisa punë si pedagog i gjuhës frënge në Universitetin e Tiranës, shprehja “pedagog ambicioz” kishte edhe ajo të njëjtin kuptim.
Në fjalorin Le Petit Robert të gjuhës frënge, fjala “ambition”, pra, ambicie, ka tri kuptime:
1. Dëshirë e zjarrtë për të arritur diçka që ta miklon sedrën (pushtet, ndere, suksese në jetën shoqërore). 2. Dëshirë e zjarrtë në sferën intelektuale, morale...
3. Dëshirë ose pretendim…”, ndërsa fjala “ambicieux”, pra, “ambicioz”, ka dy kuptime:
1. Që ka ambicie, që dëshiron patjetër të ketë sukses.
2. Që tregon ambicie edhe më shumë sesa duhet (arrivist, karrierist)”. Kur studioja në Francë, i dëgjoja francezët t’i përdornin këto dy fjalë në të gjitha kuptimet që kishin ato në fjalorët e gjuhës së tyre. Interesant më dukej lidhja midis ambicies, nga njëra anë, dhe sedrës, nga ana tjetër, lidhje që të çon pikërisht te pushteti, nderet dhe sukseset në jetën shoqërore, çka e konfirmon edhe realiteti shqiptar i këtij fillimshekulli.
Pa dashur aspak t’u bëj vlerësime diferencuese fjalorëve në fjalë, më tërheq vëmendjen fakti se, në fjalorin Le Petit Robert, ka shembuj të marrë nga autorë francezë, ku gjejmë të përqendruar thelbin filozofik apo psikologjik të nocioneve “ambicie” dhe “ambicioz”. Kështu, filozofi La Bruyère, i gjysmës së dytë të shekullit XVII, shkruante : “Njerëzit e nisin me dashurinë dhe e përfundojnë me ambicien”, çka më duket ende tipike për mendësitë e sotme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera. Në shekullin XIX, Victor Hugo-i shënonte : “Ambiciet e madhërishme janë në zanafillë të veprave të mëdha”, çka ilustron më së miri, ndër të tjera, përpjekjet e rilindësve tanë për pavarësinë e vendit. Në gjysmën e parë të shekullit XX, shkrimtari Georges Duhamel vërente : “Ambicia letrare është më e përhapura”, gjë që e dëshmon edhe realiteti i krijimtarisë së sotme letrare në Shqipëri.
Gjithsesi, për t’u kthyer te kuptimi i parë i përkufizimit të fjalës “ambicie” në fjalorin Le Petit Robert, pra, “Dëshirë e zjarrtë për të arritur diçka që ta miklon sedrën (pushtet, ndere, suksese në jetën shoqërore)”, kam përshtypjen se ura që i bashkon, në rrafshin psikologjik, konceptet “ambicie” dhe “sedër”, është koncepti “interes”, i cili, pozitiv apo negativ, duket se është në themel edhe të ambicies, edhe të sedrës, si te shqiptarët, edhe te francezët, edhe te shumica dërrmuese e njerëzve në botë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.