Këshilla & Arsye

May 10, 2016 | 12:05

“Një jetë me ty”, lumturia dhe drama e një çifti

Nga Orjona Tresa

Ndodh që menjëherë pas shfaqjes, të rigjesh veten në të njëjtat hapa me atë çfarë aktorët luajtën në skenë. Duket si një fotokopje. Drama është e njëjtë. Ajo jetë që luhet në një skenë të vogël, merr dhe dimensionin e jetës reale, jashtë mureve të sallës së Teatrit. Ti e ndjek me kërshëri dhe qesh me fatin tënd gjithashtu. Dhe kur komedia-drama ka marrë fund, të ka bërë ta vazhdosh jashtë siparit ndodhinë e jetës tënde.

Unë, gruaja, me kujdesin e tepërt për vëmendje. Ndërsa ai, burri, me një qetësi të ftohtë, që duhet të të ndjekë e të të bëjë të mos e vuash aq shumë nevojën për tregues të lartë të vëmendjes.

Shfaqja ia arriti qëllimit. Nuk është se mbetëm pa fjalë gjatë rrugës për t’u kthyer në shtëpi. Diskutim, debat, kritika, humor. Normal, të kesh gati dy dekada me një burrë, ka vend për të gjitha. Larmia i jep jetë çiftit.

Martesa ka shenjtërinë e vet brenda saj. Sa mister, aq edhe e guximshme për ta mbajtur e për të ecur bashkë me të. Ka të mirat e të këqijat e saj. Kur nis të numërosh se sa vite ke në martesë, dhe të del se shifra nuk është më e vogël, atëherë kupton se nga anon më shumë peshorja e vlerave.

“Një jetë me ty” ishte terapia më e mirë për t’i dhënë kuptimin e duhur një marrëdhënieje të gjatë në çift. Dyshja e aktorëve, partnerë edhe në jetë, Suela Bako dhe Romir Zalla, arritën të përçojnë modelin e një jete bashkëshortore, pavarësisht pengesave dhe stuhive që sjell jeta. Pjesa e shkruar nga vetë regjisori i shfaqjes, Erion Kame u ngjit këtë të hënë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Mesazhi ishte i qartë: për vlerat që bart martesa, sidomos kur ajo është e ngritur nga themele të forta e me bazë dashurinë. Shfaqja, me një gjuhë dhe stil humori që nuk kishte të sharë, vjen në dy versione, të para nga këndvështrimi i atij, burrit, dhe këndvështrimi i asaj, gruas.

Burri e nis me martesën, të mirat e saj, vlerat dhe mësimet për jetën. Ndërsa ajo, gruaja e shikon si vrastaren e jetës në disa çaste. Sipari u çel në këtë mënyrë, për të vijuar me situata nga më komiket, të cilat startojnë që me fillimet e lidhjes së çiftit. Njohja, një përkulje në gjunjë dhe unaza e fejesës. Pastaj brenda vitit martesa dhe ora biologjike që kërkonte një foshnjë të vinte në jetë.

Bashkëshorti shkrimtar kishte pasionet e tij. Gruaja ekonomiste kishte pritshmëri të tjera. Këto situata shpesh shndërroheshin në debate, e shuheshin aty për aty falë dashurisë për njëri-tjetrin. Por jo çdo gjë mbetet me kaq, sidomos me kalimin e viteve. Ardhja në jetë e fëmijës dhe detyrimet familjare, ndodh të të kapin të papërgatitur emocionalisht. Prej aty ndizet sërish debati, sherret, tradhtitë në subkoshiencë e deri te kërkesa për divorc.

Një nga ato dobësi që mund t’i ndodhë sidomos një burri që i ka kaluar të dyzetat, (mëtim që autori e ka vënë në lëkurën e mashkullit) është ajo e të përjetuarit një rinie të dytë. Të të gënjejë mendja se mund të jesh edhe një herë 25 vjeç, vetëm sepse në punë mund të gjesh kolegë të rinj të kësaj moshe, e pse jo, një vartëse seksi që të bën të ëndërrosh.

Fotokopjuesja, interpretuar nga aktorja Vilma Hodo, me lajkat e ledhet e saj, tërheqëse gjithashtu, dinte ta bënte mirë punën e vet, ama edhe atë, burrin, të ndihej shumë më i ri nga sa ishte në të vërtetë.

E kush nuk do ta dëshironte këtë. Pse ta mohojmë.

Megjithatë, pavarësisht trullosjes, grindjes për këtë fakt me bashkëshorten, por edhe të tjera situata xhelozie, për t’i dhënë notat e duhura jetës në çift, nuk do t’i shpëtonin kësaj vepre.

Falja ishte kulmi i shfaqjes: “Një jetë më ty”. Mesazh mjaft i qartë, i vërtetë dhe i shëndetshëm për një marrëdhënie 20-vjeçare. Rikthimi i lumturisë dhe qetësisë shpirtërore ishte doza e merituar. Ndërsa një shtatzëni e dytë, dëshira për familje dhe lumturia e të qenit shumë vetë bashkë në një strehë me dashuri, e forcon boshtin e martesës.

Ndërsa mbyllja, ah, po. Ajo ishte më komikja që mund t’i vinte kapak një martese ku romantizmi ka ikur me kohë. Dhe kjo erdhi në fjalët e burrit.

“Martesa është si puna e tualetit, – shprehet ai. –  Kur hyn brenda e di se e ke me merak, se punë shkarkesash të panevojshme, ama në fund, ti ndihesh i çliruar dhe ke një lloj kënaqësie të pashmangshme”.

Foto shfaqja1

***

Komedia: “Një jetë me ty” është prodhim i vetë Erion Kames. Pjesa është shkruar në vitin 2013 nga autori dhe regjisori, i cili pas 3 vitesh vendosi ta vërë në skenë. Qëllimi i komedisë është të tregojë se bashkëjetesa e shëndetshme nuk është ajo pa zënka, por ajo realja, me ulje-ngritjet të cilat duhen përballuar. Në qoftë se ka dashuri, atëherë konfliktet e vogla nuk duhet të ndikojnë në të. “Një jetë me ty” financuar nga Ministria e Kulturës, është pjesë e një projekti fitues në Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Bashkë me skenografinë e Noset Shijaku, kjo shfaqje do të rrugëtojë pas premierës në kryeqytet, edhe në Durrës e rrethe të tjera, për ta përmbyllur shëtitjen artistike sërish në Tiranë, në shtator.

foto shfaqja

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top