Në fokus

April 23, 2016 | 8:05

Një kafe me trishtimin

Nga RUDINA SHKULLAKU

Na ka ndodhur të gjithëve të dalim herë pas here për një kafe me trishtimin, të ulemi këmbëkryq me dhimbjen dhe të ngashërehemi në lot, atëherë kur kemi provuar më të madhen dhimbje, atë të shpirtit. Na ka ndodhur të gjithëve herë pas here që errësira e frikshme e natës të na pushtojë dhe ditët, të ecim çdo ditë në bulevardin e gjatë midis qindra njerëzve dhe të ndjehemi vetëm, të përjetojmë të qenit peng krejt papritur, në autobusin ku udhëtojmë çdo ditë pa ditur stacionin e fundit ku do të zbresim. Shumë shpejt për disa, e vetëm pak më vonë për disa të tjerë, na ka ndodhur të gjithëve të dalim herë pas here për një kafe me gëzimin, të ulemi këmbëkryq me kënaqësinë e të ngashërehemi në lot në çaste kur lumturia ka zbritur në tokë enkas vetëm për ne. Na ka ndodhur të gjithëve herë pas here, që ditët dhe netët të jenë për ne njëlloj, të pafundme në mrekullinë e jetëgjatësisë së tyre, të ecim në bulevardin e gjatë midis qindra njerëzve dhe të ndjehemi mbret ndër ta, të udhëtojmë të sigurt në autobuzin e ëndrrave pasi të gjithë e kemi prerë vetë biletën për në stacionin ku do të zbresim. Dhe nëse para ne të gjithëve, të paktën një herë në jetë është shtruar tapeti i kuq, atje ku gjithë bota i ndal sytë për tek ty, vetëm për disa të tjerë, krejtësisht të njëjtë me ne, pa as më të voglin dyshim, akrepat e orës rrotullohen në drejtim të kundërt, koha ecën me të njëjtin ritëm dhe timoni i jetës lëviz kuturu, pa asnjë drejtim. Jo shumë metra larg qendrës së Tiranës, futur në një lagje të shpërndarë, gjendet një shtëpi. Një shtëpi ndryshe nga gjithë të tjerat, jo për nga struktura apo mënyra se si është ndërtuar, as për nga fakti se ka diçka që e veçon nga të tjerat. Nuk ndryshon as nga kopshti i bukur me pemë e mure të zbukuruara me pasion dhe nga oxhaku në krye të oborrit, si simbol i një mirëqenieje në ditë të ftohta dimri, apo nga ballkonet e gjera e të gjata në çdo kat, ku duket se nuk të mungojnë çastet e qetësisë dhe pirjes së një kafeje krejtësisht në paqe me veten dhe të tjerët. Ekzistenca e saj ndryshe nga çdo shtëpi tjetër për çdokënd që do të ishte në dijeni të domethënies që merr jeta brenda atyre mureve, do të ngacmonte imagjinatën dhe do të stimulonte një moment reflektimi te kushdo, ashtu siç po ndodh dhe me mua tani. Dymbëdhjetë pjesëtarë të një familjeje paksa të madhe për ditët që jetojmë, që fati i ka takuar krejt rastësisht, ndajnë sot dhe prej shume kohësh bukën, gjumin, gëzimin, dhimbjen dhe mbi të gjitha sekretin më të madh që shumë pak jashtë këtyre mureve e dinë “Atë të të qenit një fëmijë jetim”. Jeta e këtyre fëmijëve, e mbushur plot histori duket se i ngjan një libri të shkruar, i destinuar për të mos u treguar asnjëherë, ndryshe nga librat e tjerë, ku autori dhe personazhet kryesorë kanë bërë kompromis në heshtje, që historitë të mbeten vetëm mes tyre. Aty sipër mbi një dollap, njëri pas tjetrit janë vendosur dhe renditur fatet e gjithsecilit prej tyre. Mjafton të shfletosh vetëm njërën nga historitë dhe që në faqet e para e kupton që ke dalë në një takim të hapur me dhimbjen. Dymbëdhjetë fëmijë, biondë, zeshkanë, syzinj, të çelur, të shkurtër, të gjatë, dymbëdhjetë karaktere, të heshtur, të hedhur, seriozë, të qeshur, të dashur, të trembur dhe vetëm dymbëdhjetë histori, si kapituj të një libri ku epilogu është gjithmonë dhimbja dhe trishtimi. Djalit me flokët biond iu nda jeta më dysh kur babai zgjodhi vetëm të ikë, s’di se ku, pa marrë me vete as më të voglën përgjegjësi. Për vajzën me sytë e trembur jeta ndali mu aty ku pushoi së rrahuri zemra e asaj që e solli në jetë, nga një motiv që të bën të qash e të çmendesh pambarimisht. Për djaloshin që dukej sikur buzëqeshja kishte kuptim vetëm në fytyrën e tij, ata të dy që i dhanë jetë, për arsye që as ai vetë si beson dhe kupton dot, s’mund t`i ketë më pranë. Për vajzën me duart e lodhura, duket se varfëria ka marrë një vendim, atë më të çuditshmin, për të braktisur shtëpinë e saj e për t`i dhënë kuptim jetës nën një tjetër strehë. Në realitetin e djaloshit çapkën ka kohë që çmenduria u është bërë si e shtëpisë, duke e bërë të pamundur gjetjen e qetësisë. Për vajzën e dashur, atë me flokët kaçurrela, seriozin që spikat dukshëm midis tyre, indiferentin që bën pak shokë e miq, tingëllojnë çuditshëm dhe i bëjnë të buzëqeshin hidhur arsyet absurde pse gjenden aty, pasi s’munden të gjejnë dot fjalë për të shpjeguar çmendurinë që ka kapur të dy prindërit, duke i braktisur njëlloj si t`u ndillnin alergji. Për një prej tyre ëndrra ka marrë fund që prej shumë kohësh, atëherë kur qielli iu mori gjithë ç’kishin për një motiv që vetëm ai e di. Janë të gjitha këto historitë, të cilat i mbledhin rreth tavolinës së rrumbullakët në darkën e zakonshme e gjithmonë të njëjtë çdo natë, të dymbëdhjetë këta pjesëtarë të një familjeje të improvizuar me shumë delikatesë e modesti. Janë të gjitha këto motivet që i bashkojnë dhe i bëjnë njësh, sa herë që bëhet fjalë për të ruajtur sekretin e madh që i tremb, se mos bota jashtë po e merr vesh. Janë të gjitha këto arsyet që i bëjnë të urrejnë çdo kënd që tenton të gjykojë historinë e gjithsecilit prej tyre. Janë të gjitha këto ndjesitë, që i bindin të mos besojnë tek askush edhe atëherë kur dikush merr guximin t`u bëhet pjesë e dhimbjes. Dhe në fund të fundit kanë të gjitha të drejtat e botës të mendojnë dhe veprojnë kështu, për sa kohë që e vërteta i ka bindur se s’kanë mundur dot të rrëmbejnë as një grimë nga dashuria e atyre, imazhet e të cilëve i ruajnë fshehurazi dhe me fanatizëm, në kornizat e kalbura të viteve. Dymbëdhjetë fate tashmë të vulosura prej kohësh pa kurrfarë shprese për më të voglin rikthim. Të duhet guxim i madh të tentosh të lexosh çdo njërën nga historitë e tyre, forcë për të pranuar që bota qenka edhe kështu, por edhe më shumë zgjuarsi që pas kësaj të dish ta fshehësh mirë keqardhjen dhe mëshirën, që për hir të së vërtetës nuk është se do t`u ndryshojë asnjë pjesëz nga fatet e tyre. Jo shumë metra larg qendrës së Tiranës, futur në një lagje të shpërndarë, gjendet një shtëpi. Një shtëpi ndryshe nga gjithë të tjerat, jo për nga struktura apo mënyra se si është ndërtuar por sepse në dhomat e saj jeta ka të tjera ngjyra. Janë të paktë, për të mos thënë shumë pak ata që e dinë domethënien që merr jeta brenda atyre mureve, por që me siguri kujtdo që do t`i binte rruga për andej, ashtu si mua më ra një ditë, do t’ia ngacmonte imagjinatën dhe do t`i stimulonte një moment reflektimi. Mjafton vetëm një fjalë nga ata që iu gjenden pranë për t’ju ndryshuar ngjyrat e të përditshmes dhe për të trembur frikën, se nuk do t’ia dalin dot kurrë të vetëm në qytetin e madh e të zhurmshëm ku të paktën vetëm sekretet mund të ruhen më lehtë, ngushëllimi i vetëm për ta. Mjafton vetëm një dorë për atë që mundet të japë dhe rruga duket më e shkurtër për atje ku ata duan dhe duhet të arrijnë. Shpesh mbrëmjeve më pëlqen të kundroj hënën, sidomos kur ajo është e plotë, sepse me vete gjithmonë them një dëshirë me shpresën se ajo do të mund të realizohet një ditë. Po kaq shpesh, dhe mëngjeseve më pëlqen të shikoj diellin, sidomos në pranverë, sepse përpiqem dhe dua të bind veten se ai duhet të ndriçojë njëlloj për të gjithë. Gjithë kjo histori duket se i ngjan lojës së një pazëlli, ku kësaj here do të mundohem të bashkoj vetëm disa prej copëzave të vogla dhe delikate, ku në çdo copëz që bashkon gjërat fillojnë e marrin kuptim dhe tabloja dalëngadalë merr jetë.

***

Sa herë që gjendesh para një sfide, që më së miri mishërohet te kjo lojë pazëlli, ku kureshtja dhe imagjinata të bëhen mikeshat e vetme për të bashkuar pjesëzat e vogla dhe delikate, gjithmonë ndodh diçka mekanike që të shtyn të zgjedhësh copëzën e duhur të letrës. Nga copëza e letrës që po mbaj në duar, po me flasin dy sy të shndritshëm, të cilat lehtë reflektojnë një karakter impulsiv, të mishëruar në një mimikë që vetëm për pak sekonda të transmeton me dhjetëra sinjale. Çdonjëri prej këtyre sinjaleve kërkon me ngulm të të tregojë çfarë e trishton dhe gëzon më shumë. Një shikim që të rrëmben çdo fjalë tënden, sikur ka kohë që ndjen mall dhe etje për këshillat e munguara dhe të bind lehtë, se duhet kaq pak, për të kthyer të pamundurën në të mundur për atë. E ndërsa vazhdoj të mbledh copëzat, në dorë kam buzëqeshjen, e cila mu puthit lehtësisht në pazëllin që po ndërtoja. Duket sikur kjo buzëqeshje kishte kuptim vetëm në fytyrën e tij. Një buzëqeshje që më shumë shërben si një fasadë, për të mbuluar mllefin e hedhur shuk në jetën e tij, s’di të them që kur. Kjo copëz letre do me forcë të të tregojë për një të folur që s’resht, duke nxjerrë në shesh të vërteta e të pavërteta, hapi i parë ky i një katarsisi tipik i një fëmije që s’mendohet dot dy herë, për të shfryrë zemërimin, inatin deri në urrejtje për botën që s’resht duke i kthyer kurrizin. Shkujdesur më pas, dora më kap copëzën e letrës ku pasqyrohet trupi i një djaloshi, një look interesant, por pa tepritë dhe tendencat e kohës, tërësisht modest. Imazh ky që nuk e diferencon aspak nga bashkëmoshatarët. Madje sa herë që e shikon, në kokë nis të të kumbojë pyetja, që asnjëherë nuk merr përgjigje, që këta fëmijë shumë shpesh i bëjnë vetes: “PERSE UNE?” Kjo është vetëm një nga dilemat e kahershme që shoqërojnë ditët e tij, të cilat në shumicën e rasteve mbyllen ashtu si në përralla me një “SIKUR”. Në fund teksa mbledh copëzat një nga një, me pamjen e një fitimtari, imazhi bëhet krejtësisht i qartë dhe kupton se sytë, buzët, flokët i japin pamjen e një fëmije krejt normal, por mjaft të ndalesh një çast në jetën dhe historinë që atë e shoqëron, dhe bindesh lehtë se çdo ditë për të, lind ndryshe nga ditët e mia, të tuat….. Tashmë prej trembëdhjetë vjetësh ditët e tij i mbush enigma e përhershme e braktisjes nga të dy ata që i dhanë jetë, për arsye që dhe ai vetë është lodhur tashmë t`i gjejë. Trembëdhjetë vjet përpjekje, vullnet dhe shumë durim për të pranuar dikë tjetër në vendin e asaj që për hir të së vërtetës, askush dhe askujt s’mund t`i shkojë më mirë për shtat. Prej kohësh ai është bërë pjesë e një bashkëjetesë të çuditshme, në një lagje të improvizuar në të hyrë të Tiranës, ku në shumicën e rasteve përpjekjet për të mbushur bosh- llëqet mbeten thjesht dhe vetëm në tentativë. Dhe pse shtëpia në të cilën ai jeton, është projektuar si një shtëpi, ku jeta duhet të marrë ngjyrat e familjes sonë të përditshme, rrallë, shumë rrallë ndjesitë e tij për të, plotësojnë sadopak konturet e familjes së dikurshme. Kjo për kaq e kaq arsye… Sigurisht, ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se realiteti ku jetojmë, asnjëherë s’të fal luksin e një gjumi të qetë, me stomakun plot dhe një të nesërme të sigurt, aq më tepër për dikë që në çdo sekondë që kalon i duhet të shpenzojnë energji trefishe për të luajtur njëkohësisht rolin e “djalit”, “vëllait” dhe “prindërit”. Një orë me të dhe kupton se bota qenka edhe kështu, një ditë me të dhe bindesh se bota duhet të jetë ndryshe, një javë, një muaj, një vit për të dhe beson se t`i bashkë me të mund ta ndryshosh sadopak botën, jo atë të madhen e të pamundurën, por atë të voglën dhe të padukshmen, botën e tij.

Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top