Në një shoqëri ku pabarazia shoqërore nuk është se po zhduket, as po zvogëlohet, madje as shtiret sikur po zvogëlohet, jo të gjithë njerëzit e presin me të njëjtat mundësi dëfrimi Vitin e Ri. Dikush është aq i pasur sa, për festat e këtij fundviti, të shkojë deri në Sharm-el-Sheik, Dubai, Australi e Zelandë të Re, Japoni apo edhe më tutje; që andej t’u çojë familjarëve, miqve dhe kolegëve mesazhe urimi me SMS, t’i urojë gëzueshëm me telefon, me imejlle ose me zë e figurë përmes skajpit. Dikush tjetër mund të shkojë deri në Francë, Çeki, Itali apo edhe më afër Shqipërisë, në ndonjë vend tjetër ballkanik. Sigurisht, midis familjarësh si motra e vëllezër, kushërinj e krushq, midis miqsh, shokësh, kolegësh, madje edhe midis komshinjsh, secili pyet tjetrin se ku do t’i kalojë festat e fundvitit, sidomos atë të Vitit të Ri.
Në këtë lloj marrëdhënieje, një ndër problemet më delikate është se si duhet të sillemi me atë që, për arsye kryesisht financiare, nuk mund ta gëzojë e ta shijojë siç do të dëshironte festën e Vitit të Ri. Le të supozojmë se takojmë një të afërm që mezi arrin ta mbyllë muajin dhe kjo për njëmijë e një arsye të mundshme dhe të përfytyrueshme (sëmundje, papunësi etj., etj.). A do të ishte vërtet e hijshme, nga pikëpamja morale, t’i thoshim me mburrje se natën e ndërrimit të viteve do ta kalojmë në Dubai apo në Londër dikujt që nuk shkon dot as në një lokal të kryeqytetit shqiptar për ta kaluar atë atje me familjen e vet? A do të ishte vërtet e hijshme sikur t’i uronim atij me SMS apo me telefon, që nga Dubai, Parisi apo Londra, “Gëzuar Vitin e Ri, shëndet e lumturi etj., etj”? Kjo do të ishte njësoj sikur të takonim në rrugë një të afërm të paralizuar që është duke u zhvendosur mundimshëm me karrocën e tij dhe, pasi ta përshëndesnim, t’i thoshim se po shkojmë të bëjmë një vrap andej nga kodrat e liqenit të Tiranës, pastaj të notojmë nja një orë në pishinën aty pranë, kurse në darkë do të shkojmë në disko e do ta gdhijmë duke kërcyer e kënduar karaoke me një dorë shokësh e shoqesh? Francezët dhe shqiptarët kanë një proverb shumë interesant, të cilin me siguri duhet ta kenë edhe popujt e tjerë që i përkasin të njëjtit qytetërim dhe kanë të njëjtën mënyrë të jetuari: Il ne faut pas parler de corde dans la maison d’un pendu, pra, siç e gjejmë edhe në fjalorin e gjuhës shqipe, “Në shtëpinë e të varurit nuk e zënë në gojë litarin”. Ky proverb duhet të përbëjë për shqiptarët dhe shqiptaret e sotme, veçanërisht të kamurit, bosët dhe vipat, një këshillë për t’u mbajtur parasysh sa herë të flasin me njerëz që nuk janë aq fatlumë sa ata kur bëhet fjalë për festa dhe argëtime të kushtueshme, në të cilat ata nuk kanë asnjë mundësi të marrin pjesë. Do të ishte, pra, e pamoralshme që festat e fundvitit, kryesisht ajo e Vitit të Ri, t’i shërbenin dikujt thjesht si pretekst për të shfaqur e shpërfaqur, shpalosur e valëvitur mendjelehtësisht ose, edhe më keq, paturpësisht, luksin e tij, pa u shqetësuar për gjendjen e keqe shpirtërore që i krijon dikujt tjetër të pafuqishëm për ta festuar Vitin e Ri të paktën me një minimum dinjiteti njerëzor.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.115
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.