Ai ishte vetëm 20 vjeç kur u drithërua nga vizioni se njeriu është i mirë. Për ta testuar këtë hipotezë, iu deshën plot 12 vjet punë terapeutike dhe 20 vjet studime mbi personalitetin. Në fund, ai na serviri botëkuptimin e tij të plotë mbi natyrën tonë, duke na folur për “mundësitë e mrekullueshme” që gëlojnë brenda nesh.
Libri ‘Drejt Psikologjisë së Qenies’ u publikua fillimisht në vitin 1962, si një përmbledhje e artikujve dhe leksioneve të Abraham Maslow, të mbajtura në vitet 1955-1960. Titulli sugjeron se libri synon të na shpjerë diku, drejt Qenies. Përmes këtij libri, Maslow donte të paraqiste pikëpamjen e tij revolucionare mbi natyrën njerëzore. Gjuha e përdorur në libër është e kuptueshme, sqaruese, e pasur me shembuj dhe fakte nga e përditshmja, me analogji nga bota e kafshëve dhe bimëve. Megjithatë, ajo nuk u ka shpëtuar vërejtjeve të holla filozofike dhe ideologjike. Përsëritja dhe theksimi shkojnë në favor të kuptimit më të mirë të koncepteve të reja, sidomos nga një publik i induktuar me psikologjinë klasike frojdiane apo atë mekanike bihevjoriste.
Leximi i librit i përngjan një ecjeje progresive drejt mësimit dhe njohjes. Pikëpamja e tij vizionare i ka rezistuar kohës, ndaj leximi i përqëndruar dhe reflektimi i thellë synojnë të na çojnë askund tjetër përveçse te vetvetja.
Maslow ofroi një konceptim të ri për shëndetin mendor, të cilin e publikoi para se të konfirmohej shkencërisht. Ai postuloi se njeriu ka një natyrë biologjike të pandryshueshme dhe unike, e cila është e mirë ose neutrale. E keqja ose sëmundja, sipas tij, vijnë nga mohimi ose shtypja e të mirës. Këto hipoteza na furnizojnë me të dhëna mbi prirjet natyrore të njeriut drejt të Mirës dhe Aktualizimit të potencialeve ose Vetëaktualizimit.
Maslow u shkëput nga ortodoksia zyrtare e kohës (fundshekulli XIX deri në vitet 1950) dhe bëri vrojtimet e veta, që përmblidhen në dy pika kyçe: (1) Sjellja njerëzore është e motivuar në mënyrë të vazhdueshme dhe (2) Nevojat janë të strukturuara në një hierarki. Ideja e hierarkisë i shërbeu atij për të përfshirë nevojat e ashtuquajtura “dytësore” në listën e nevojave themelore. Ashtu si nevoja për ajër, ujë, ushqim dhe seks, edhe dëshira për të bukurën është nevojë themelore njerëzore.
Sot teoria e Maslow-t është popullore për shumë njerëz në botë. Me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, ai na mëson se, gjatë jetës, duhet të merremi me përmbushjen e nevojave tona fiziologjike (ushqimi) pastaj me sigurinë (një shtëpi), më tej me dashurinë dhe përkatësinë, derisa të arrijmë te respekti e vlerësimi nga të tjerët. Kur t’i kemi kënaqur këto në një masë të caktuar, duhet të merremi me talentet, potencialet dhe prirjet – nevojat e një natyre “më të lartë” – përmbushja e të cilave na drejton për te vetaktualizimi.
Metoda
Maslow vendosi të hulumtonte njeriun, duke u nisur nga disa burime. I pari ishte një raport mbi zgjedhjen e lirë te zogjtë, ku thuhej se nëse zogjtë lejoheshin ta zgjidhnin ushqimin lirisht, disa do zgjidhnin më mirë se të tjerët. Pra, brenda species, disa janë zgjedhës më të mirë. Maslow hipotetizoi se edhe në botën njerëzore, duhet të vlejë një rregull i tillë: disa duhet të jenë më të mirë se të tjerët në zgjedhjet e tyre – ata duheshin zbuluar.
Së dyti, historia personale e Maslow-t përfshin përjetimin e disa eksperiencave “mistike”. Gjatë këtyre eksperiencave, ai është ngritur “në lartësi olimpike” dhe ka përjetuar një gjendje ku “të kundërtat e botës ishin shkrirë në një unitet”. Ato ishin të mira dhe të dëshirueshme dhe, sipas tij, vetëzbuluese të Qenies. Ai u bë kurioz të dinte cilët njerëz arrinin t’i përjetonin këto eksperienca.
Së treti, ishin përpjekjet e Maslow-t për të kuptuar dy nga mësuesit e tij Ruth Benedict dhe Max Wertheimer, që i adhuronte dhe i quante të mrekullueshëm, që e bënë të kërkonte modele të ngjashme me ta. Këto modele i gjeti te lloje të veçantë njerëzish, të cilët i shërbyen për përgjithësimin e të dhënave.
Ai u fokusua te studimi i njerëzve psikologjikisht të shëndetshëm. Këta ishin njerëz të famshëm dhe me ndikim në historinë njerëzore, shpikës, krijues, politikanë, të cilët Maslow i përzgjodhi me kujdes. Po ashtu, ai intervistoi 80 mbrojtës diplome dhe me shkrim, 190 studentë të psikologjisë. Pyetja drejtuar atyre ishte: “Do të doja të mendonit për eksperiencat më të mrekullueshme të jetës suaj, momentet më të lumtura, momentet e dalldisjes, të ekstazës, ndoshta nga të qenit në dashuri ose nga dëgjimi i muzikës dhe nga ‘goditja’ e beftë e një libri apo një pikture, apo disa momente të mëdha krijuese.” Përgjigjet shërbyen për të zbuluar nëse edhe njerëzit e zakonshëm mund të provonin eksperienca kulmore dhe nëse po, çfarë tiparesh merrnin kur ishin aty, “në majë”. Rezultatet çuan në krijimin e një profili të personit të vetaktualizuar, me cilësi të gjetura te modelet e përzgjedhura në fillim dhe te njerëzit e thjeshtë, kur këta të fundit kishin përjetuar eksperienca kulmore.
Metoda e Maslow-t nuk ishte shkencore, por subjektive. Maslow ka pranuar se përzgjedhja e disa njerëzve të veçantë lidhej në “mënyrë të pavetëdijshme me faktin se ata përdornin gjuhën e Qenies”. A mundet që një përzgjedhje e pavetëdijshme e një kërkuesi të ngrihet në lartësinë e një përzgjedhjeje të pagabueshme? Sa shkencore është kjo përzgjedhje dhe rezultatet që derivojnë prej saj? Sot, nga tri konceptet kryesore: struktura hierarkike e motivimit, vetëaktualizimi dhe eksperienca kulmore, vetëm i pari është mirëperceptuar brenda rrymës psikologjike, ndërsa dy të tjerët janë përballur me skepticizëm deri në refuzim.
Cilësitë e njerëzve të vetëaktualizuar
Maslow arriti të përshkruante cilësitë e njerëzve të vetëaktualizuar. Sipas tij, këta njerëz karakterizohen nga një “perceptim superior i realitetit, pranim i vetes, të tjerëve dhe natyrës, spontanitet, rritje në qendërzimin e problemit, veçim dhe dëshirë për intimitet, autonomi dhe rezistencë ndaj enkulturimit, shpeshtësi më e madhe e eksperiencave kulmore, identifikim me specien njerëzore, strukturë më demokratike e karakterit dhe krijimtari mjaft e zmadhuar”. Njerëzit e vetëaktualizuar shohin më qartë, ngaqë lidhja e tyre me realitetin është më e drejtpërdrejtë. Ata nuk janë skllevër të shpresave dhe frikërave të motivimit të pamjaftueshmërisë, nuk kërcënohen apo frikësohen nga e panjohura. Ata e jetojnë jetën e tyre me efikasitet. Karakterizohen nga aftësia për ta pranuar veten, të tjerët dhe botën. Natyra e tyre është krijuese, por jo e një lloji të lidhur domosdoshmërisht me talentin, ata janë krijues në mënyrë të ngjashme me krijimtarinë naive të fëmijëve. Nuk janë të etur për dashuri dhe vlerësim nga njerëzit e tjerë, pasi ata kanë arritur në pranimin e vetvetes. Megjithatë, kanë një marrëdhënie të thellë dhe të fortë me njerëzit, më tepër në trajtën e marrëdhënieve të karakterizuara nga përzemërsia dhe dhembshuria për gjithë njerëzimin.
Përtej cilësive të dalluara, njerëzit e vetëaktualizuar kanë edhe të meta. Pavarësisht se ata lëvizin në mënyrë të natyrshme drejt përsosjes, ata kanë shqetësime dhe probleme. Sa ne arrijmë t’i kuptojmë përmasat reale të këtyre problemeve, t’i sjellim në vetëdije apo ta empatizojmë këtë realitet problematik në të cilin jetojnë të vetaktualizuarit, nuk mund të thuhet. Ne jemi mësuar me një realitet deficit-motivuar, siç do thoshte Maslow dhe ka shumë gjasa të mos arrijmë të ngrihemi intelektualisht dhe shpirtërisht në nivelin e kuptueshmërisë së realitetit rritje-motivuar, për të mos folur më tej për t’u ngritur në nivelin e të jetuarit si ata.
Sa njerëz vetëaktualizohen?
Miliona njerëz rropaten mes varfërisë ose përpiqen të ndërtojnë një shtëpi ku të futin kokën. Historia dhe kronikat janë të tejmbushura me krime dhe varfëri. Plotësimi i nevojave të “poshtme” të hierarkisë është i mundimshëm. Ja pse, për Maslow-n, vetëm një përqind e njerëzve mund të vetëaktualizohen.
Po a munden këta njerëz “të bartin” aftësitë e tyre tek të tjerët? Ose të na tregojnë mënyrat sesi ne të veprojmë për të ecur në rrugën që ata kanë ndjekur? Në rregull, mund të na duhen si fillim disa doza pranimi të vetes dhe të të tjerëve, një dozë spontaniteti, aftësi problemzgjidhëse, autenticitet, dashuri universale… I përziejmë (pa paragjykuar përbërësit) dhe ja ku kemi një njeri të vetaktualizuar! Në parim duket e thjeshtë. Në praktikë, ideja e formulave duket një mashtrim i madh. Rritja ose vetaktualizimi nuk vjen nga recetat e gatshme. Po si? Maslow na e zbulon pak nga pak “sekretin” në librin e tij.
Vetëaktualizimi nuk është një destinacion
Koncepti i vetaktualizimit është një ndër më të keqkuptuarit në historinë e zhvillimit të psikologjisë dhe ky keqkuptim lidhet me mendimin se ai ka një natyrë përfundimtare. Maslow e sqaron këtë shtrembërim gjykimi: vetaktualizimi nuk është një gjendje finale, por një fazë dinamike që karakterizohet nga nevoja të pamjaftueshmërisë mjaftueshëm të përmbushura, përmbi të cilat shfaqen progresivisht nevojat e rritjes. Këto dy nevoja nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por faza e parë është një kusht paraprak për të dytën. Si e bën ai dallimin mes këtyre dy grupnevojave që e ndajnë krejt njerëzimin në dy kategori madhore? Diferencimi buron nga gjykimi klinik rreth ndryshimeve cilësore ndërmjet jetës motivuese të vetaktualizuesve dhe të tjerëve.
Dy forcat antagoniste
Në përpjekje për të shpjeguar rritjen si prirjen natyrore drejt Qenies, Maslow njeh dy kahet e forcave brenda nesh: nga njëra anë frika ose siguria, që na kushtëzojnë nga e shkuara, nga uterusi dhe gjiri i nënës dhe nga ana tjetër, rritja, që na shtyn drejt tërësisë së unit dhe funksionimit të plotë. Qenia zhvillohet kur kënaqësia e rritjes është më e madhe se kënaqësia e sigurisë. Prej këtej derivon pohimi se rritja e shëndetshme është një varg i pafundëm i situatave të zgjedhjes së lirë: do zgjedhim frikën apo rritjen? Nëse zgjedhja e lirë është me të vërtetë e tillë, e pakontaminuar nga frika, qenia zgjedh në drejtim të shëndetit dhe të rritjes.
Zgjedhja e lirë mbetet një qëndrim ekstrem brenda psikologjisë humaniste. Skaji i kundërt me të është psikologjia klasike frojdiane. Shpjegimi i arsyeshëm bie në mes të këtyre ekstremeve, një gjendje ku personi lëviz në drejtim të rritjes, pasi garanton sigurinë në hapat e tij. Kjo ecje është analoge me ecjen e fëmijës në një mjedis të panjohur, ku eksplorimi i sigurt ndodh kur nëna është aty si një bazë sigurie për ta inkurajuar. Nëse nëna largohet, fëmija e humbet ndjenjën e sigurisë, zhytet në ankth dhe mund të regresojë duke u zvarritur. Kur duhet ta hedhë hapin fëmija, edhe nëse nëna nuk është aty? Maslow gjykon se fëmija e di kur duhet ta bëjë, kjo është zgjedhja e tij, zgjedhje që buron nga eksperiencat subjektive të kënaqësisë dhe frustrimit. Në zgjedhjen e tij, fëmija mund të rrezikojë të humbasë unin (çka çon në psikopatologji të fëmijërisë) nëse kjo zgjedhje anon më tepër nga të tjerët. Prandaj zgjedhja optimale bigëzohet dhe ndodhet diku mes unit të tij dhe unit të të tjerëve. Natyrisht, ai njeh rëndësinë e mjedisit (ekstrapsikikës), por zgjedhjen përfundimtare ia lë në dorë fëmijës (intrapsikikës).
Vlerat dhe morali
Maslow na e drejton vëmendjen edhe tek vlerat dhe morali. Sa të vlefshme janë vlerat aktuale dhe morali i kohës dhe shoqërisë sonë, në optikën e teorisë së tij? Sa vetjake dhe sa sociale njëkohësisht duhet të jetë qenia? Pyetjet na çojnë tek dallimet cilësore midis jetës së të paaktualizuarve dhe asaj të vetaktualizuarve, ku shohim se të parët sillen në përputhje me rregullat sociale dhe mbështeten në sistemet e tyre sociale. Kjo pasi ata kanë nevojë për mjedisin, ndaj të cilit ushtrojnë kërkesa pamjaftueshmëri-motivuar të tipit: « Më ushqe ! Më duaj ! Më vlerëso! » Ndërsa, të dytët ndërtojnë sistemin e tyre të brendshëm të rregullave dhe sillen në përputhje me të, duke minuar rëndësinë e moralit dhe normave sociale. Ata janë më tepër të drejtuar nga ligjet e karakterit, sesa nga normat e shoqërisë. Maslow është i vetëdijshëm për këtë problem; ai njeh natyrën dialektike mjedis-vete, sipas së cilës rritja personale varet nga nevojat bazë të plotësuara nga mjedisi, përpara se të ndodhë vetëaktualizimi. Në këtë pikë, ai synon të theksojë të drejtën e moralit autonom, që nuk mohon themelet sociale të qenies.
Pra, vetaktualizimi merr kuptim nëse lidhet me autonominë: sa më të rritur të jemi, aq më autonomë priremi të bëhemi. Ky parim bazohet në filozofinë ekzistencialiste, e cila na ka furnizuar me probleme themelore filozofike që janë përshtatur brenda qarqeve të psikologjisë. Një nga problemet themelore ka qenë ekzistenca e lirë e individit dhe aftësia e tij për të zgjedhur vetveten. Ekzistencialistët na mësojnë se nuk ka vend tjetër për t’i gjetur vlerat përveçse tek Uni/Vetja. Sipas tyre, “e ulëta” dhe e “larta” janë të integruara dhe “personi autentik” është ai që trashendenton jo vetëm veten, por edhe kulturën e tij, i reziston enkulturimit dhe bëhet më i veçuar nga kultura apo shoqëria. Kjo filozofi, e cila frymëzon të jetuarit përmes zgjedhjes së lirë, ka shërbyer si burim i rëndësishëm për formimin e teorisë humaniste të Maslow-t.
Zbatimi praktik i teorisë
Që nga paraqitja e teorisë deri më sot, shumë psikologë janë shtrënguar për ta marrë si të mirëqenë prirjen drejt rritjes dhe vetaktualizimit. Arsyet janë të shumta, si: (1) psikoterapia, e cila do të ishte e pamundur nëse te individi nuk do kishte një presion drejt shëndetit; (2) traumat e trurit, të cilat nuk do të kapërceheshin nëse individi i dëmtuar nuk do kishte një aftësi riorganizimi të brendshme; (3) krijimtaria, e cila veçohet si cilësi subjektive e njerëzve të zhvilluar shëndetshëm; (4) psikologjia e fëmijëve, e cila na informon se fëmijët e shëndetshëm priren drejt rritjes. Terma sinonimë me vetaktualizimin gjejmë te shumë autorë të tjerë si Fromm, Horney, Jung, Rogers, Allport, Schachtel, të cilët përdorin terma si rritja, individizimi, autonomia, vetëzhvillimi, produktiviteti, vetëpërmbushja. Megjithatë, ata mbeten të përcaktuar vagullt.
Qasja e Maslow-t ka implikime praktike, veçanërisht në psikoterapi. Maslow (si Frojdi) thotë se shkaku më i madh i problemeve psikologjike është frika e njohjes së vetvetes. Ashtu si të parët tanë para miliona vjetësh, edhe ne sot, metaforikisht, frikësohemi mos “na përzënë nga Parajsa” nëse kafshojmë “frutin e ndaluar”. Në psikoterapi, kjo frikë na mbron nga kërcënimet e jashtme, në këtë rast, nga terapisti (luftojmë përpjekjet e terapistit që na ndihmon të shohim të vërtetën – këtë e kemi quajtur rezistencë). Maslow këmbëngul se njohja na bën më të mençur, më të shëndoshë, më të integruar dhe të gatshëm për t’u rritur përmes psikoterapisë. Mirëpo, qasja ndaj trajtimit të shqetësimeve psikologjike është e ndryshme nga ajo klasike, në atë që Maslow, ndryshe nga Frojd, flet për ekzistencën e një “vetëdijeje të brendshme” natyrore. Kjo vetëdije duhet shpalosur që të mundësojë shëndetin e plotë psikologjik.
Pra, Maslow na rikthen tek vetja dhe prirja e saj e natyrshme për të njohur e për t’u rritur. Përqasja e tij u vjen në ndihmë atyre që duan të punojnë me veten. Të paktë janë ata që nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, pasi thellë në psikikën e gjithkujt, pulson një dritë shprese që thërret për ndryshim. Si fillim, të gjithëve, ky mësues i madh, na mëson se rritja është e ngadaltë dhe graduale, se rritja ndodh përmes dhimbjes, ankthit dhe frustrimit, kur ne aftësohemi për t’i kapërcyer ato.
Libri i Maslow-t është një libër i mirë për të filluar psikologjinë. Shumë prej atyre që zgjedhin të studiojnë psikologjinë, bazohen tek dëshira për të kuptuar, së pari, veten e tyre. Të tjerë, tek dëshira për të kuptuar të tjerët. Të dyja zgjedhjet të drejtojnë tek “kuptimi”, pra, ne jemi në një kërkim të vazhdueshëm të kuptimit; të asaj që gjendet dhe lëviz brenda nesh (intrapsikika) dhe të asaj që gjendet dhe lëviz jashtë (ekstrapsikika). Libri na servir jo vetëm kuptim pozitiv mbi natyrën njerëzore (prej nga buron shkapërthimi i skemave klasike frojdiste), por mbi të gjitha, një udhëzues të shkëlqyer për të punuar me veten. Meqënëse implikimet e teorisë së Maslow-t në terapi janë të shumta, duke adoptuar qasjen e tij humaniste, studentët, në rolet e ardhshme si mësimdhënës, këshillues, terapistë apo psikoterapistë mund të inkurajojnë rritjen duke e drejtuar procesin në linja të provuara tashmë dobiprurëse.
Ky libër u shërben edhe predikuesve të flaktë fetarë, të cilët rriten duke besuar verbërisht tek ajo që Dikush tjetër vendos për ta. Besimet fetare i mësojnë njerëzit të ndalojnë së logjikuari dhe të kenë “besim”. Ato bllokojnë mundësitë përmes injektimit të frikës. Maslow na mëson se frika na pengon të rritemi dhe vetëm përmes njohjes progresive dhe kërkimit të së vërtetës mund të rritemi plotësisht; se qasja më e mirë në jetë nuk është supersticioni apo feja, por dijet, njohuritë dhe aftësia për të arsyetuar. Ja pse fëmijët rriten me supersticione dy mijë vjeçare dhe i ruajnë ato edhe kur rriten. Ndaj duhet lexuar Maslow, pasi leximi dhe kuptimi i tij mund të hapë rrugën shumë më tepër sesa besimet naive të fesë apo supersticionet e trashëguara nga gjyshërit.
Në mënyrë të përgjithshme, ky libër është një ndihmë e jashtëzakonshme për ata që janë në kërkim të qëllimeve, kuptimit dhe rrugës së tyre në jetë. Ai mund të jetë i nevojshëm edhe për masën, pasi edukon, rrit dhe zhvillon. Meqënëse është shkruar prej një gjeniu, me mendime solide dhe që i kanë rezistuar kohës, duhen energji të mëdha kognitive për ta përthithur. Ata që arrijnë ta marrin veten përdore dhe ta ulin për një bisedë të gjerë dhe të thellë me të, nën dritën e asaj që frymëzon Maslow, janë për t’u duartrokitur. Ka mundësi që ata të shkëputen nga turma dhe të shkojnë te vetvetja më shpejt.
Një libër transformues
Botimi i librit ka sjellë ndryshime rrënjësore në botën e psikologjisë, duke u finalizuar me ngritjen e psikologjisë humaniste në lartësi solide, si një alternativë e tretë e zbatueshme përkrah psikologjisë frojdiste, objektiviste dhe bihevjoriste. Prirja humaniste në psikologji përbën një revolucion kopernikan në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi zbuloi rrugë të reja të perceptimit dhe mendimit rreth botës. Sipas vlerësimeve, ky libër ka arritur në statusin e një libri klasik përkrah tre librave më të lexuar të shekullit paraardhës: “Lloje të Eksperiencës Fetare” (1902) i William James, “Qytetërimi dhe Pakënaqësitë e Tij” (1930) i Sigmund Freud dhe “Njeriu Modern në Kërkim të një Shpirti” (1933) i Carl Jung.
Një hap drejt Trashendentales
Psikologjia Humaniste, si psikologji e forcës së tretë është një përgatitje për psikologjinë e forcës së katërt, psikologjinë transpersonale, trans-humane. Kjo është një premisë e zhvillimit të filozofisë së jetës në një drejtim të ri, që mund të na ndihmojë t’i japim botës një kuptim tjetër. Në këtë pikë, teoria e Maslow-t ka edhe implikime politike; prej saj derivojnë ide për krijimin e një shoqërie ose demokracie më të mirë. Kur marrim parasysh se ai propozoi që njeriu duhet të vetëaktualizohet dhe që vetëm një pjesë e vogël e arrijnë këtë, kjo nënkupton që disa njerëz janë më shumë se njerëz. Fakti që disa arrijnë të vetëaktualizohen mund të lidhet me disa karakteristika të lindura që të tjerët nuk i kanë. Ajo që duhet bërë është që këta njerëz të veçohen prej të tjerëve, pasi ata nuk janë të dhënë pas gratifikimit material, por atij shpirtëror. Veçimi mund të marrë dy forma: 1) sipas disa teoricienëve, në formën e një kështjelle brahmine të vetaktualizuarish, një elite njerëzish “të talentuar”, të ndarë nga masa; 2) sipas të tjerëve, në formën e një vëllazërie universale “të ndriçuarish” që mund ta reformojnë dhe përmirësojnë shoqërinë duke luftuar padrejtësinë, pabarazinë, skllavërinë, shfrytëzimin. Ideja e Maslow-t për ndarjen e shoqërisë mbetet e paqartë, përderisa disa prej ideve të tij nuk janë publikuar.
Po ashtu, kjo teori ka implikime fetare. Megjithëse ka mohuar ekzistencën e Zotit, Maslow ka një dimension “shpirtëror” në teorinë e tij. Sipas tij, “njerëzit e sofistikuar nuk e përkufizojnë Zotin si një person, por si një forcë, një parim, një fuqi integruese që shpreh unitetin dhe rrjedhimisht, kuptimin tërësor të kozmosit.” Po ashtu, termi “vetaktualizim” ka gjetur popullaritet në qarqet e reja të mendimit, të cilat predikojnë arritjen e Zotit nga njeriu, çka është e mundur duke marrë parasysh natyrën tonë hyjnore. Pritshmëritë mbi të ardhmen e ndriçuar të njerëzimit (Utopia-s) bazohen në arritjen në një nivel individual, nga shumica e njerëzve në botë, të vetaktualizimit (ose vetëpërmbushjes, vetërealizimit, autonomisë). Në këtë pikë, filozofia mazllouiane konvergon me atë taoiste, që vjen nga Kina e lashtë, e cila na mëson se mençuria qëndron në rrjedhjen natyrale të ngjarjeve. Kjo është një rrjedhje po aq e natyrshme sa mënyra me të cilën një bimë molle prodhon mollë, pa mundim, pa përpjekje, thjesht si shprehje e natyrës së QENIES së saj.
Një libër që ndryshoi botëkuptimin për Njeriun
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.