Një variant i ri i koronavirusit, i quajtur LP.8.1, po shkakton rritje të rasteve me Covid-19 në disa pjesë të botës, veçanërisht në Azi. Në Singapor dhe Hong Kong, infeksionet janë shtuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Sipas infektologut Matteo Bassetti, (dhënë për median italiane Fanpage) kjo rritje mund të lidhet me rënien e imunitetit të popullatës, për shkak të kalimit të kohës që nga vaksinimi i fundit. Eksperti shpreh shqetësim për vendet me shkallë të ulët vaksinimi, si India, ku përhapja e një varianti të tillë mund të shkaktojë pasoja të rënda. Ai thekson rëndësinë e monitorimit të situatës dhe paralajmëron për kujdes të shtuar në javët në vijim.
Çfarë është LP.8.1?
Varianti LP.8.1 është zbuluar për herë të parë në korrik 2024 dhe është bërë dominues në disa zona globale në fillim të vitit 2025, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ai i përket linjës JN.1, një degë e variantit Omicron, dhe rrjedh nga nënvarianti KP.1.1.3.
Në janar 2025, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi LP.8.1 si një “variant nën monitorim”, por jo si variant shqetësues. Kjo nënkupton që virusi ka pësuar mutacione të reja që mund t’i rrisin aftësitë për t’u përhapur, por pa shkaktuar për momentin një kërcënim të madh për shëndetin publik.
Mutacionet dhe aftësia infektuese
Në variantin LP.8.1 janë identifikuar nëntë mutacione në proteinën spike – komponenti që i lejon virusit të hyjë në qelizat njerëzore. Studime të fundit të publikuara në revistën The Lancet sugjerojnë se ky variant ka një aftësi më të madhe për përhapje sesa XEC, por është ende më pak infektiv krahasuar me variantin JN.1 nga i cili rrjedh.
Simptomat dhe efektet
Sa i përket simptomave, ato nuk duket të jenë më të rënda se ato të varianteve të tjera në qarkullim. Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një deklaratë të muajit shkurt 2025, e vlerësoi rrezikun global të paraqitur nga LP.8.1 si “të ulët”.
Efektiviteti i vaksinave
Lajmi pozitiv është se vaksinat aktuale, veçanërisht ato me bazë ARN-mesazhere, pritet të jenë ende efektive ndaj këtij varianti, si në parandalimin e simptomave, ashtu edhe të formave të rënda të sëmundjes. Sipas OBSH-së, ikja imune e LP.8.1 është e ngjashme me atë të variantit XEC, që ka treguar ndjeshmëri të ruajtur ndaj vaksinave përforcuese.
Si përfundim, ndonëse LP.8.1 po përhapet me shpejtësi në disa zona të botës, për momentin nuk paraqet një kërcënim të lartë për shëndetin publik. Monitorimi i situatës dhe vaksinimi i vazhdueshëm mbeten mjetet kryesore për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e këtij varianti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.