Nga Orjona Tresa
Në jetën e natës, Tirana ndriçon me ngjyra të forta dhe të ndezura, duke gjalluar me zhurmën kaotike të një qyteti që e ka të vështirë të ruajë disiplinën. Megjithatë, për ata që e çmojnë bukurinë, kulturën, dhe artin, Tirana është një vend që ofron një ushqim të veçantë shpirtëror – siç është dhe muzika.
Kisha kohë pa provuar çaste të tilla. Edhe pse playlistat nuk më mungojnë, dhe kufjet janë gjithmonë gati, ka diçka të papërsëritshme te muzika live. Madje muzika live e lokaleve të natës ka tjetër qasje me atë të një festivali në skenën e Pallatit të Kongreseve. Sepse banda, është afër teje dhe krejt e prekshme. Dhe kjo i jep një tjetër bukuri krejt atmosferës. Të mësuarit herët me muzikë të mirë më kishte rikthyer në vite “të përbindshme”, duke krijuar një të shtunë mbrëmje krejt të ndryshme. Me fat, duhet të pranoj, zgjodha diçka që më bëri të ndiej se do të dëshiroj ta përsëris edhe më shumë në të ardhmen. Sepse mund të zgjedhësh diçka zhgënjyese që ta ul e ta frenon adrenalinën, dhe kjo padyshim gjithashtu është fat.
Duke dashur një natë ndryshe – të përfshirë në rutinën e profesionit dhe jetës së përditshme, – bashkë me shokun tim të jetës, zgjodhëm një nga klubet e Tiranës për të shijuar tingujt e një bande dhe interpretimin e një këngëtareje të re. Për dy orë, falë përzgjedhjes së këngëve që kisha kohë pa i dëgjuar live, ndihesha sikur isha në një koncert të mirëfilltë. Interpretimi i shkëlqyer i këngëve që kërkonin forcë dhe shpirt më mbërthente, një përzierje e muzikës së mirë “rock”, disa prej tyre “hard” dhe më pak “metal”, asaj të huaj si dhe shqiptare, që vinte kaq bukur nga zëri i talentuar i Arsi Bakos, duke na bërë për vete të gjithëve që ndodheshim nëpër tavolina, me gota ndër duar apo cigare mes gishtash.
Muzika e mirë është për të gjithë, por kur këndohet me shpirt nga profesionistë të vërtetë, ajo bëhet akoma më e bukur. Arsi na magjepsi me timbrin e plotë dhe të fortë të zërit, i cili harmonizohej aq bukur me notat e interpretuara nga dy djem të talentuar në kitarë bass dhe akustike, si dhe nga një anëtar tjetër i bandës po aq i talentuar në bateri.
Aty, nga një klub modest për nga hapësira, Tirana m’u duk edhe më e madhe, ndërsa turistët tërhiqeshin nga zëri i fuqishëm i Arsi Bakos, që herë ngjante me atë të Kurt Kobein, herë me Maikëll Xhekson, ndonjëherë me Koverdellin e Deep Purple dhe shumë më tepër me Eneida Tarifën. Arsi përfaqësohej nga një bandë për t’u pasur zili, që interpretonte instrumentet e saj live, pa sintetizatorë që imitojnë gjysmën e orkestrës me programe të gatshme. Ajo që mbizotëronte ishte ndjesia dhe gëzimi i të pranishmëve që këndonin së bashku, e jo sa para duhej “hedhur” për t’u argëtuar. Sepse nuk ishim në dasmën e ndonjë vajze fshati dhe nuk martohej as ndonjë çun provincial prej qyteti. Por sepse vlera e asaj kohe që nuk kthehet, nuk matet me një shishe birrë, koktejl, antipastë apo tymosje cigaresh me ritëm ekstrem. Ajo rrënjoset në shpirt për të të ushqyer deri në takimin e radhës, larg zhurmës, stresit dhe lodhjes së përditshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.