Të mësuarit e frytshëm nuk vjen natyralisht. Në fakt, është krejt e kundërta. Nëse nuk kontrollohet siç duhet mendja njerëzore paraqet një numër të konsiderueshëm pengesash, të cilat qëndrojnë në udhën e marrjes së informacionit dhe interpretimit të tij në të mirën e gjithsecilit. Gjithsesi, të mësuarit nuk ka pse të jetë stresues apo nën kontroll të fortë. Nevojitet thjesht të njohësh vetveten dhe të jesh në paqe me të metat, të cilat mund të evitohen lehtësisht, duke përthithur perceptime më të thella dhe interesante ndaj gjithçkaje që dëgjojmë, shohim apo bëjmë.
Më poshtë kemi përzgjedhur 10 sugjerime se çfarë bëjnë njerëzit e mençur për të vlerësuar më shumë jetën…
1. Njerëz që nuk kanë mësuar vetëm nga librat Janë njerëz që pajtohen me faktin se ka disa gjëra, të cilat nuk mund të mësohen në seminare apo vetëm duke lexuar një libër. Ata kuptojnë se për të pasur sukses në një fushë të caktuar dhe të vënë në përdorim atë çka kanë mësuar në shkollë, duhet me patjetër të përjetojnë realitetin e fushës ku kanë dëshirë për të ecur përpara. Ky është çelësi i mësimeve të jetës. Me pak fjalë, praktika është shumë thelbësore e, më pas, pak nga pak ngjiten shkallët e suksesit. Këta njerëz janë të vetëdijshëm që në përballje me klientët apo kolegët në fushën e caktuar, aftësitë si: komunikimi i frytshëm apo shitjet përfitohen me kalimin e kohës dhe janë të etur për të testuar çdo aftësi që do t’u duhet të provojnë për t’i bërë një emër dhe vend vetes.
2. Gjithmonë pyesin për “status quo”-në Njerëzit e pamençur thjesht pranojnë çfarëdolloj gjëje u paraqitet dhe gjithçka që u duket normale. Nuk e vrasin mendjen që të përparojnë më tej dhe të bëjnë kërkime, si dhe nuk e vënë fare në dyshim gjendjen ku ndodhen. Ama, nga ana tjetër, njerëzit e mençur nuk e pranojnë kurrë status quo-në, por vihen në kërkim të gjërave që ia vlen për të ndryshuar apo hapësirave që duhen mbushur në mënyrë që të jenë të suksesshëm në jetë.
3. Nuk janë të aftë vetëm në një fushë Ka njerëz, të cilët kanë shumë njohuri në një fushë të caktuar dhe mund të flasin gjithë ditën për të, por jo domosdoshmërisht ata marrin flamurin e mençurisë. Ndërsa njerëzit inteligjentë kalojnë kohë duke edukuar veten për çdo temë, e cila është interesante dhe popullore për shumicën. Mund ta mbajnë gjallë një bashkëbisedim, duke filluar që nga luhatjet e ekonomisë e deri te gota e verës që kanë përpara. E shfaqin me krenari mendimin e tyre dhe dinë të krijojnë ide të vlefshme, të kërkojnë mbi trendet e momentit dhe të kuptojnë se përse njerëzit tërhiqen prej bisedave të tyre.
4. Veshin një lloj maske Në disa raste nuk pranojnë “të bëjnë të zgjuarin” thjesht për të testuar aftësitë e njerëzve që kanë përballë. Ata zakonisht veshin një lloj maske dhe sillen thjesht si vëzhgues për të parë se çfarë përfaqëson “e vërteta” për ata me të cilët bashkëbisedojnë. E përdorin këtë taktikë për të studiuar natyrën e njerëzve me të cilët bashkëpunojnë dhe krijojnë marrëdhënie afatgjata pune. Në këtë mënyrë do të duken sikur dinë se për çfarë po flasin pa pasur nevojë të përdorin fjalë të mëdha që të tjerët t’i kuptojnë sa më lehtë.
5. Kuptojnë konceptin e kohës Njerëzit e mençur nuk lejojnë shpërqendrimet dhe nuk e shpenzojnë kohën duke u marrë me çikërrima. Ata janë të aftë të kuptojnë mendimet që do t’i udhëheqin në hapat drejt përmbushjes së qëllimeve apo, nga ana tjetër, se çfarë i largon nga objektivat që i kanë caktuar vetes. Personat e mençur janë të vetëdijshëm se qeniet njerëzore hasin në një sërë shpërqendrimesh të panevojshme përgjatë ditës, të cilat shërbejnë vetëm si një shtysë negative në jetën e tyre. Ata e dinë se si t’i injorojnë këta “mashtrues” të së vërtetës dhe fokusohen të përdorin aftësitë e tyre më të mira që të jenë sa më produktivë për mirëqenien e tyre.
6. U vënë fre drojeve të tyre Shumica e njerëzve e pranojnë faktin se gjithmonë do të ketë një zë kritikues brenda vetes, i cili thotë se e kanë gabim, nuk janë mjaftueshëm të aftë etj. Sado torturues mund të jetë, ky zë ndikon negativisht që të largohen nga qëllimet e vlefshme që burojnë nga zemra. Kështu ata janë të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur kur janë stepur prej këtyre mendimeve, të cilat i kanë çuar drejt zhgënjimit dhe më pas drejt pendesës. Këto frikëra krijojnë një realitet të shtrembëruar, ndaj, për të ecur përpara, ata nuk e lënë veten të bien pre e drojeve apo frikërave që hasin në jetë.
7. Debatojnë me veten Njësoj si me zërin e brendshëm që përmendëm më sipër, njerëzit e mençur e pranojnë faktin se vendimet që marrin në fusha të caktuara të jetës, jo gjithmonë janë të drejta. Shumicën e këtyre vendimeve do t’i vënë re shumë kohë pasi i kanë marrë. Ja përse ata e kuptojnë se çdo veprim të rëndësishëm, duhet ta kontrollojnë dy herë përpara se ta ndërmarrin.
8. Janë kureshtarë Sa herë që u paraqitet një situatë e re apo diçka me të cilën nuk janë përballur më parë, menjëherë fillojnë e mendojnë për rrugëzgjidhje dhe vënë në përdorim trurin. Ata shfaqin interes real për të kuptuar çdo gjë që përfshin domethënien dhe i shkojnë deri në detaje problemit. Nëse hasin në diçka veçanërisht të komplikuar ku kanë dyshime apo janë në mëdyshje bëjnë kërkime për të kuptuar më shumë.
9. Gjejnë rrënjën e së vërtetës Zakonisht, ndonjëherë e vërteta pas çdo koncepti apo teorie nuk është ajo çka prisni. Njerëzit e mençur përpiqen të kuptojnë se përse bota funksionon në këtë mënyrë apo sepse shumica e njerëzve nuk ua dinë përgjigjen pyetjeve të caktuara. Për këtë arsye, ata duan të familjarizohen me ndërtimin e themeleve të shoqërisë si: shkenca, ekonomia apo edhe politika. Ka shumë ide brilante, krijime apo dhe arsye mbas rregullave që diktojnë mënyrën se si i jetojmë jetët tona.
10.Fokusohen te mesazhi, jo tek mesazhieri Shpesh, për faj të dikujt tjetër, kemi dështuar në jetë, por ama nga kjo gjë kemi mësuar. Por, gjithsesi, po ta shohësh nga një tjetër këndvështrim, është shumë më interesante ta hidhni pas krahëve se sa të mërziteni duke gjykuar tjetrin. Njerëzit e mençur janë mendjehapur. Ata çmojnë vlerën e mendimit të njerëzve të tjerë. Duan që çfarëdolloj ndërveprimi të shndërrohet në një mësim, prandaj ata fokusohen në çështjet që po diskutohen apo te ndërveprimi me botën e jashtme, jo thjesht te personi me të cilin ata janë duke diskutuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.