Sa ndikojnë marrëdhëniet ndërpersonale ndërmjet çiftit? Sa ndikon tradhtia në këtë mes? Cilët janë faktorët që shtyjnë në këtë lloj marrëdhënieje sociale? Si ka ndryshuar çifti i kohëve moderne? Këto e plot pyetje të tjera shqetësojnë marrëdhëniet e ditëve tona. Le t’u japim nga një shpjegim përkatës.
E çuditshme, por ndonjëherë të flasësh për marrëdhëniet në çift ka një sërë polemikash, pozitive e negative, të cilat lindin rrugës. Kjo do të thotë se kemi marrëdhënie të ndryshme, divorce që ndodhin nga shkaqe sa të ndryshme, aq sa edhe qesharake, që të vjen të vësh buzën në gaz, e ndonjëherë është absurde dhe ta mendosh. Por, dashur pa dashur situata të ndryshme na prekin të gjithëve. Çdo njeri ka hasur problematika, pothuaj çdo familje, madje çdo njeri që takojmë, mundet të luftojë me betejën për ekzistencë. Ka frustrime të ndryshme në vetvete, prandaj s’është mirë të gjykojmë apo përflasim njeri. Si shoqëri, e vuajmë këtë gjë, kjo ngase jemi projektuar si e tillë, që do të thotë: kriza do të ketë gjithmonë, qoftë në familje, punë apo marrëdhënie në çift.
Studime të ndryshme të bëra në fushën e psikologjisë kanë sjellë përfundime të ndryshme. Shkaktarët janë ata që shënjojnë pikënisjen, pse jo dhe fundin e një marrëdhënieje. Një mjet i qëmtuar është telefoni. Aty mund të ndodhin flirte të ndryshme si nga femrat, ashtu edhe nga meshkujt. Duke mos i kushtuar kohë me praninë tonë partnerit, humbasim rrugës ambiciet, ëndrrat e pasionet, ose shkatërrimin e asaj që ne kemi krijuar që në fillim të lidhjes. I harrojmë ato sikur s’kanë ekzistuar. Ftohja e një raporti në çift vjen edhe nga monotonia e përditshme, për shembull, puna që bëjmë për vite të tëra, sjellja në shtëpi, ambienti familjar, e njëjta rutinë çdo ditë. Njeriu mëson gjëra të reja, jemi gjatë gjithë kohës në prova të ndryshme të jetës sonë, e cila është në riciklim të vazhdueshëm. Në fakt, gjëja më e rëndësishme që duhet t’i kushtojmë qoftë familjes apo partnerit është koha jonë, e cila nuk kthehet më pas.
Një shkaktar tjetër është edhe mungesa e vëmendjes, që do të thotë, një marrëdhënie është fikur rrugës, e realisht, këto janë në ndërveprim me njëra-tjetrën. Nëse prishet hallka e një zinxhiri, prishet ekuilibri ekonomik, social e le më pastaj problemet e ndryshme sociale që lindin nga shqetësime të ndryshme nga dy familjet. Shkatërrohet i gjithë fisi me radhë, rrjedhojë e të cilit në rastin më të keq është tradhtia.
Nuk shkatërrohen një, por dy familje, të cilat kanë dhe fëmijë nga pas, një, dy, tri apo më shumë. Pasojat vijojnë deri në përkeqësimin e aspektit mendor, rëndesë psikologjike për palën e lënduar, ndërsa ajo që ka lënduar priret të shfajësohet me pretekstin “ishte një moment dobësie”. Por lumturia nuk blihet me para, dashuria po ashtu. Duke qenë se lidhjet njerëzore janë të krijuara në një mënyrë koncize e të përsosur, i harrojmë shumë shpejt ngjarjet.
E ndryshme për ato situata që ndodhin, si të vetmet që s’do t’i harronim dot kurrë. Ato janë: përdhunimet, traumat e fëmijërisë, varfëria, bullizmi si në vendin e punës, shkollë, familje ose marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve. Epoka e teknologjisë është ajo që ka bërë revolucionin edhe në brezin që po rritet gllabëruar prej tij. Shoqëria jonë po bëhet më e hapur, familja po ashtu. Ndikimi i teknologjisë ka ndikuar në çekuilibrimin dhe sjelljen e shumë problemeve në familjet shqiptare. P.sh: po ta nisim në aspektin e shtresëzimit social, kemi tri lloje familjesh:
Shtresa e pasur. Këtu hyn interesi, por nuk është e thënë, pasi varet ndër njerëz po ashtu me karakter, në qoftë se një marrëdhënie mbijeton apo jo?! Shtresa e pasur ruan dukjen e një familjeje të lumtur, që në raste të rralla përfundon në divorc nga mungesa seksuale në çift, të cilët sakrifikojnë për hir të familjes e fëmijëve. Meshkujt tradhtojnë më shumë, përpos faktit që i plotësojnë qejfin vetes e të dashurave po ashtu. Lumturia s’blihet me para, por ndjehet e shijohet.
Ndërsa një familje mesatare jeton e lumtur nëse kryefamiljari ka një profil të qëndrueshëm, është i përgjegjshëm, i aftë të mbrojë familjen. Kjo familje arrin t’i plotësojë nevojat e fëmijëve, e po ashtu edhe bashkëshortëve, por s’është e thënë, asgjë nuk është e sigurt në këtë jetë. Nëse nuk e zotërojmë dot jetën tonë, mund të biem viktimë e tradhtive, e kjo sjell pasojë shkatërruese psikologjike, e duket sikur e gjitha bota shembet para syve të tu.
Është edhe shtresa e varfër. Ka shumë njerëz që janë në pamundësi sociale, por lindin shumë fëmijë. Këtu nuk mungojnë marrëdhënie seksuale, por ushqimi, edukimi. Fëmijët rrisin njëri-tjetrin, megjithëse të varfër janë të lumtur, kanë dashurinë mes tyre. Por nuk do të thotë që as këtu nuk ndodh divorci, ai është i pranishëm kudo, pa dallim race, etnie e barazie gjinore.
Njerëzit ndryshojnë, ashtu si teknologjia!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.