Fëmija sapo lind fillon të eksplorojë dhe njohë trupin e tij. Prek këmbët, thith gishtin, prek dhe fut gishtin në vesh, zbulon dhe zonën gjenitale. Zona gjenitale është e pajisur me terminacione nervore që në lindje dhe për këtë arsye është më e pëlqyeshme prekja e kësaj zone, se sa prekja e këmbës dhe për këtë arësye edhe do të përsëritet.
Pra, kur shihni fëmijë që prekin zonën gjenitale nuk e bëjnë për “arsye erotike”, por thjesht për të njohur trupin e tyre si burim kënaqësie. Në këtë proces ndërhyrja e të rriturit është gati vendimtare, nëse fëmija do ta përvetësojë, këtë veprim dhe ndjesi, si një veprim që kryhet në intimitet me veten apo si një gjë shumë e keqe që nuk duhet përsëritur. Raporti i fëmijës me trupin dhe sidomos me seksualitetin e tij si turp apo si burimi i jetës do ta shënjojë apo dominojë jetën seksuale dhe intimitetin në të ardhmen.
Kur shikoni fëmijën, në rastin kur është djalë që prek organin e tij dhe në rastin kur është vajzë fërkohet në një gjë të butë në mënyrë ritmike, duhet të ruani qetësinë. Të rriturit as duhet të alarmohen por edhe nuk duhet të bëjnë indiferentin. Ajo që është më e rëndësishme duhet të shmangni fajësimin e fëmijës për veprimin që bën.
Me qetësi i duhet shpjeguar se këto veprime bëhen kur je vetëm dhe jo në çdo vend. Gjithashtu të rriturit duhet të jenë të vëmendëshëm, sidomos kur këto veprime janë të shpeshta. Të rriturit pranë fëmijës, në rradhë të parë nëna dhe babai, duhet të kuptojnë që fëmija ndihet i tensionuar dhe kërkon vetë një zgjidhje për t’u qetësuar. Dhe shkaku i vërtetë i veprimeve të tilla të shpeshta, janë vetë prindërit ankthiozë apo të tensionuar, ose mungesa e gjatë e njërit apo të dy prindërve. Kështu kur konstatohet kjo sjellje e prindërit duhet të verifikojnë sjelljen e tyre dhe të rrisin cilësinë e marrëdhënies me fëmijën, si dhe duke kontrolluar gjendjen e tyre emocionale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.