Mirëqenie

November 19, 2016 | 10:45

Njihuni me vlerat e domates

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Domatja është një nga perimet më të njohura për vlerat e saj kuruese. Ajo është e pasur me Vitaminë C dhe A. Gjithashtu, domatja përmban kripëra minerale, acide organike etj.

Ndër kripërat, vend të rëndësishëm zënë potasi, fosfori, kaliumi, hekuri, magnezi raporti i të cilave krijon një ekuilibër të përsosur të ushqimit. Domatja përmban edhe antibiotikë bimorë si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës dhe të aparatit tretës. Lëngu i domates ka ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe të ulcerave kronike. Ai vepron gjithashtu mbi sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Domatja ndikon në kurimin e formave të lehta reumatike. Gjithashtu, ajo ka veti kuruese edhe për nefritin, artritin dhe kapsllëkun.

Pas Vitaminës C dhe antioksiduesve, zbulimet e fundit për të parandaluar kancerin e vënë theksin te likopeni, që është dhe përbërësi kryesor i domates. Për të luftuar plakjen, për të parandaluar kancerin apo për të pasur një lëkurë të bukur, asgjë nuk do të ishte më e çmuar se sa marrja gjatë vakteve të ditës të një “ilaçi” me emrin domate.

Atë mund ta përdorësh të “gjallë”, në salcë, gjellë, sallatë, makarona, rizoto, supa, koktejl (koktejli i famshëm “Bloody Mary” përgatitet me lëngun e domates) apo në gatime të ndryshme, për të cilat nuk është e nevojshme të konsultohesh me ndonjë mjek apo të kesh recetë për t‘i blerë.
Domatet kanë veti magjike, janë të shijshme, ekonomike, por mbi të gjitha janë aleate të çmuara për shëndetin. Prania e madhe e antioksiduesve shkatërron radikalet e lira, cilësohet nga shumë ekspertë si dhurata e natyrës, prandaj domatet luftojnë sëmundjet. Është zbuluar se këto substanca arrijnë rezultate të shkëlqyera, madje mund të krahasohen edhe me ilaçet tradicionale që mund të shkaktojnë edhe dëme. Domatet janë të pasura me betakaroten, likopen (substanca që u jep atyre ngjyrën e kuqe) dhe me vitaminat më të mira dhe më efikase se çdo gjë tjetër në luftën kundër plakjes.
Domatjat është cilësuar si fryti më i përhapur në botë pas mollëve, bananeve, rrushit dhe portokalleve. Në të vërtetë, nuk ka këshillë më të mirë sesa të hash ushqime që jo vetëm nuk të sëmurin, por mbi të gjitha të mbrojnë.
Kërkimet mjekësore që shtohen vit pas viti kanë treguar se domatet dhe produktet e tjera ku ato përdoren kanë aftësinë të jenë antikanceroze dhe të ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit. Konsumi i rregullt i saj ul pothuajse me tri herë mundësinë për t‘u prekur nga kanceri i prostatës, zorrës së trashë, mushkërive apo pankreasit dhe se efekti “mbrojtës” i detyrohet tërësisht likopenit, përbërës që gjendet me shumicë te domatja dhe është një armë e fortë në luftën kundër kancerit. Likopeni dhe antioksiduesit e domates mund të parandalojnë dhe reduktojnë zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit, sidomos atij të prostatës te meshkujt, ndaj konsumi është i rëndësishëm për organizmin.
Dhjetë kokrra domate në javë, të freskëta, të gatuara apo produkte të saj, mund të ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet me 60 përqind. Domatet duhet të jenë shoqërueset e para të një diete të pasur ushqimore me fruta dhe perime. Nga ana tjetër, ajo mund të ndihmojë edhe në uljen e kolesterolit të keq në gjak. Përbërësi i domates, likopeni, mund ta pengojë zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe të ulë rrezikun për sulme në tru.

Likopeni është antioksidues i domates, përgjegjës për ngjyrën e saj të kuqe, por sipas të dhënave të deritanishme vështirë të përthithet në formë natyrale. Dhjetë kokrra domate në javë ulin me 60 përqind rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top