Frika për të qenë të shkëputur për shkak të mungesës së smartphon-it tuaj mund të krijojë ankth të vërtetë, por ekzistojnë mënyra që mund të mbrohemi.
Le ta pranojmë: varësia ndaj celularit na prek pak të gjithëve. E ndiejmë veten shumë në ankth nëse nuk kemi me vete telefonin celular apo nëse nuk kemi bateri, sepse nuk do të jemi në gjendje të komunikojmë, të navigojmë në internet apo të lexojmë në mediat sociale. Në disa raste, megjithatë, kjo dëshirë për të qenë gjithmonë në kontakt kthehet në një obsesion të vërtetë: në këto raste flasim për nomofobi, nga anglishtja “no mobile fobia”. Dhe, kjo nuk është forma e vetme e njohur e varësisë nga telefoni celular: ekzistojnë edhe ‘vamping’, zakoni i adoleshentëve të qëndrojnë në telefon deri vonë natën, dhe ‘phubbing’, e cila mund të minojë marrëdhëniet në çift. Le të përpiqemi të kuptojmë pak më shumë dhe si t’i pakësojmë probleme të tilla.
“Intoksikimet” në celular mund të jenë të ndryshme dhe përcaktohen nga emra të ndryshëm, me neologjizma ende pak të njohura: ne fillojmë t’i njohim ato dhe të zbulojmë se si të çlirojmë veten, ose të paktën të mbajmë nën kontroll këtë formë të veçantë të “teknostresit”.
NOMOFOBIA – Me këtë term, të formuar nga tkurrja e termave në anglisht “no mobile phone phobia”, tregohet në terma të përgjithshëm, ndjenja e ankthit që ndiejmë kur smartphone ynë na tradhton ose na braktis, për shembull sepse e harrojmë, e humbasim atë, ose nuk kemi bateri ose nuk kemi internet. Ankthi shpesh na kap madje edhe thjesht nga ideja se e gjithë kjo mund të ndodhë. Një term i tillë është krijuar me rastin e një studimi në vitin 2008 te ‘YouGov’, një organizatë e kualifikuar britanike kërkimore, e cila nxori në pah dhe përshkroi çrregullimin. Ata që vuajnë nga kjo varësi kontrollojnë detyrimisht kutitë postare, mediat sociale, njoftimet dhe mesazhet, jetojnë ngjitur me pajisjen e tyre në çdo moment të ditës, madje edhe gjatë ngrënies dhe natën vonë.
Nomofobia shoqërohet shpesh me një formë tjetër të varësisë, përdorimin e detyrueshëm të internetit. Mjafton një vëzhgim i shpejtë në mesin e njerëzve përreth nesh për të kuptuar se sindromi tani është i shfrenuar, sepse përdorimi i pajisjeve ka marrë përparësi mbi sensin e përbashkët dhe rregullat e bashkëjetesës civile. Grupmoshat më të prekura janë ato që variojnë nga 18 deri në 24 vjeç dhe nga 25 në 34 vjeç, pa dallime thelbësore në aspektin shoqëror apo gjinor. As më të rinjtë nuk kursehen, me një rritje të konsiderueshme të rasteve në mesin e adoleshentëve midis 1 dhe 18 vjeç. Përdorimi tej mase i pajisjes gjeneron ankth dhe nervozizëm, me pasoja të rëndësishme edhe në marrëdhëniet shoqërore dhe në jetën e përditshme.
‘VAMPING’ – Është një zakon që është veçanërisht i përhapur në mesin e adoleshentëve dhe në përgjithësi midis fëmijëve të moshës shkollore: përbëhet nga të ashtuquajturat “flakërues”, d.m.th., duke vepruar si vampirët, duke u aktivizuar në errësirë dhe pastaj e gjejnë veten pa forcë gjatë ditës. Telefonat celularë hyjnë në veprim veçanërisht vonë natën ose edhe në mes të natës, me biseda ose lojëra-video që i mbajnë fëmijët të lidhur deri në orët e vona. Ky proces ciklik i bën fëmijët të ndryshojnë ciklet e tyre të zgjimit nga gjumi, me pasoja në performancën në shkollë dhe gjithashtu në shëndet.
‘PHUBBING’ – Edhe ky fenomen është gjithashtu në rritje: ai ndikon kryesisht në jetën në çift. Termi me pak fjalë do të thotë injorim. Është sindromi i atyre që nuk kujdesen për njerëzit me të cilët rrethohen sepse janë shumë të zhytur në smartphon-in e tyre. Ky përdorim patologjik i teknologjisë gjeneron tensione, zhgënjime dhe grindje brenda çiftit dhe ndonjëherë edhe shkatërron marrëdhënien. Në këto raste, përveç përjashtimit të tjetrit, ekziston edhe ankthi i krijuar nga mungesa e reagimit në kohë dhe një kontroll patologjik i komunikimeve dhe zhvendosjeve.
ZGJIDHJET
Le të ndahemi fizikisht nga telefoni: siç është shprehja “larg syve, larg zemrës. Në këtë mënyrë ne gjithashtu do të jemi larg nga tingulli i njoftimeve dhe nga kurioziteti morbid për të kontrolluar çdo gjë.
Njoftimet në heshtje – Duke i lënë njoftimet në heshtje zvogëlojmë stimujt që vijnë nga pajisja. Në fund të fundit, nuk është e nevojshme t’i shihni dhe t’i përgjigjeni gjithçkaje menjëherë. Tërheqjet e vazhdueshme mund të krijojnë gjithashtu probleme serioze të vëmendjes dhe kujtesës.
Bota reale është më e mirë – Le të themi thjesht se është një kërkim i vazhdueshëm dhe marrje kënaqësie nga ‘like’ dhe sasinë e njoftimeve që grumbullohen në ekran. Më mirë të kthehemi te ato që kemi përreth sesa të përqendrohemi në smartphone: të dalim me miqtë, të lexojmë ose të merremi me sport.
Hiqni aplikacionet e padobishme – Shpesh e marrim telefonin pa ndonjë arsye, vetëm për të bërë diçka. Zhdukja e të gjitha aplikacioneve që nuk shërbejnë për asgjë, por vjedhin kohën tuaj, është një nga strategjitë e para për të hequr qafe varësinë tuaj ndaj smartphone.
Vendosim kufij – E fikim telefonin në situata që nuk janë të përshtatshme ose në disa orare të papërshtatshme dhe gradualisht rrisim kohën e abstenencës. Ekzistojnë ushtrime të vërteta: tridhjetë minuta pa telefon, pastaj 45 dhe më pas një orë, duke e shpenzuar këtë kohë në aktivitete të këndshme. Le t’i vendosim kufij vetes sidomos në oraret kur përdorimi i smartphone është i ndaluar. Veçanërisht në mbrëmje dhe natën, pasi telefoni është armiku i gjumit, po ashtu edhe në mëngjes kur zgjohemi.
Burimi / https://gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.