Marrëdhënie

January 15, 2017 | 10:04

Nostalgji / Muza dhe poeti

Nga Erion Selmani, shkrimtar

circa 1810: English Romantic poet George Gordon Noel Byron, known as Lord Byron (1788 - 1824) being visited by his muse. (Photo by Hulton Archive/Getty Images)

Foto ilustruese, poeti George Gordon Noel Byron, i cili u vizitua nga muza e tij. (Foto nga Hulton Archive/Getty Images)

Vetëm drita e syve të saj qenë të aftë të ngrohnin shpirtin dhe në raste moti të ftohtë. Me qerpikët sikur të qenë pikturuar nga artistët e mëdhenj, me buzët e saj paksa të trasha, ku poeti i lexonte poezitë e tij, pa bërë asnjë krijim të ri, përveçse “kopjimit” të tekstit, mundësisht pa gabime drejtshkrimore. Që krijimi të bëhej më i plotë, poetit i duhej të kopjonte edhe pëllëmbët e duarve. I prekte ato, i vështronte duart e asaj, e cila kur e prekte, qe e aftë të shkrinte dëborën, jo vetëm, mashkullin. Dhe qe pikërisht zjarri i prekjeve të asaj, që shtonte sasinë e oksigjenit në trurin e poetit, i cili asokohe po gëzonte frymëzim të rrallë. Pra, ai vazhdonte të kopjonte vargje, reshta, fragmente nga ajo, në çdo lëvizje të saj, pale kur ecte në rrugë. Edhe milingonat frymëzoheshin për t’u martuar. Kënaqeshin insektet nga shtypja e këpucëve të saj, se me sa duket ajo ledhatonte trotuarin apo asfaltin me hapat e saj. Mbeteshin pa u ledhatuar shkallët e pallatit, se kohët e fundit kishin vendosur ashensor, duke i lënë shkallët e “gjora” jetime… pa “ledhatimet” e këmbëve të saj… Po erdhi çasti kur poeti donte një krijim hot… dhe vajti tek ajo ta kopjonte: – Zhvishu nën tingujt e muzikës! – i tha ai me etjen e atij që do të “kopjojë” shkrimin në trupin e femrës. Ajo nuk u zhvesh, nuk u inatos, dhe me butësi, i solli albumin fotografik me fotot e plazhit. Poeti pa fotot me vështrim kopjues… Kur i pa gjirin e mbuluar, ai shkroi poezi për mashkull të tunduar. Kur i pa barkun e zbuluar, ai shkroi vargje për meshkuj të turbulluar. Shfletoi krejt albumin dhe i pa shalët, e shkroi për sirenat e detit, në pritje të marinarit. Në foton e fundit i pa të pasmet. Nuk shkroi asgjë, sepse vetë ajo i kishte shkruar diçka të tillë…

E mbylli albumin dhe i tha me ëndje: – Ti je fari i ndriçimit detar, komanduesja e trafikut detar. Ndriçon si Far, ndoshta yll, në mendjen time, përballë syve të mi, midis vargjeve të mia. Në trupin tënd ke tatuazh me një poezi hyjnore, pa sfiduar dot Danten, pa mposhtur kurrsesi Shekspirin, por duke i dhënë oksigjen trurit tim, duke më rregulluar frymëmarrjen… pa arritur të më japësh guximin e nevojshëm për të kryer çmendurinë time më të madhe… Të braktis gjithçka që kam për ty… Ajo u zhvesh me naze e tejet ngadalë:- Ja, lexoje në trupin tim tatuazhin që nuk ekziston. Ti më gënjen, deshe të më shihje lakuriq. Poeti merrte frymë me vështirësi e shikonte trupin e vajzës. – Jo nuk të gënjeva, unë e lexoj vërtet një fragment tregimi sipër lëkurës tënde, me të vetmin ndryshim se nuk i përket, rubrikës së “pamëshirshme”. Përkundrazi. Do të shkruaj një prozë plot dhembshuri për ty. Plot mëshirë, me shumë mirënjohje, me admirim të pafund, madje me shumë dashuri, paçka se më vonë dashuria qe ndërprerë në mes. Dashuria e tyre qe ndërprerë për shkaqe të jashtme. Por ajo do të mbetej përgjithmonë, femra, e cila i dhuroi e do t’i dhuronte poetit tregime të ëmbla, romantike, bujare dhe kurrë më të pamëshirshme… Tashmë butësia e kishte mposhtur, dhunën. Kënaqësia do ta sfidonte dhimbjen. Qejfi do të bënte të harrohej vuajtja. Dhe, kjo butësi romantike vjen natyrshëm gjatë momenteve të nostalgjisë, për gjënë më të çmuar, për personin më të bukur, që njohëm gjatë jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top