Disa prej nesh janë gjithnjë (shumë) të sjellshëm dhe tregohen të gatshëm ende para se t’u kërkohet ndihmë. Shpërthejnë pastaj në ankesa se nuk arrijnë të pohojnë personalitetin e tyre. Çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje?
Në një botë të zotëruar nga stresi dhe nga ritmet metropolitane, të jesh i sjellshëm dhe i gatshëm është një akt heroizmi, një kundërtendencë e ashpërsisë dhe cinizmit të mjedisit. “Është një forcë që lejon përhapjen e një balsami që ëmbëlson marrëdhënien, – shpjegon Francesca Santarelli, psikoterapeute në Milano. – Si në të gjitha gjërat ama, duhet një masë e drejtë, nëse: nuk shfaqet si një formë e narcizizmit të kamufluar (‘Jam i sjellshëm, sepse më përmbush’); nuk rezulton false (‘Është i këndshëm vetëm sepse ka nevojë’); nuk përfundon duke penalizuar vetë personin e sjellshëm që ndihet i përdorur”.
Të ndrydhësh agresivitetin natyral
Njerëzit që nuk lëvizin as qerpikun, të trembur nga opinioni i tjetrit, priren të përgatisin një formim paraprak të unit, – këmbëngul Santarelli, – ku të vihesh në dispozicion të tjetrit do të thotë kënaqësi, të jesh i njohur, të jetosh”. Në këtë rast, agresiviteti natyral që çdonjëri nga ne ka dhe që shërben për të krijuar marrëdhënie në mënyrë të ekuilibruar, kthehet kundër nesh sikur të ishte një ndëshkim. Për terapistët e njohjes dhe të sjelljes, është faza fillestare e një gjendjeje depresive: të bësh mijëra gjëra për tjetrin, i nënshtruar nga gjykimi i tij është lodhëse dhe mund t’ju largojë progresivisht nga uni me pakënaqësi të pashmangshme.
Të mbash një lidhje familjare
“Gatishmëria ekstreme mund të fshehë një personalitet të pasigurt ose të shkarkuar nga vetëvlerësimi”, – shpjegon psikologia Angela Proietti. Një pasiguri që vjen prej larg. “Fëmijë, disa prej nesh inkurajoheshin t’u pëlqenin të tjerëve (prindërve, mësuesve…) dhe rrallë nxiteshin për të respektuar dëshirat dhe nevojat vetjake. Në disa familje, të mendosh për veten është konsideruar një formë e pastër egoizmi, diçka që të turpëron, – vijon ekspertja. Nga bindja se duhen fshehur nevojat, hapi është i shkurtër. – Ja, tani u jepet përparësi të tjerëve për të respektuar detyrat familjare dhe sociale”. Sabina, 22 vjeçe, tregon: “Me klientët jam gjithnjë e sjellshme, është punë, por edhe në shtëpi nuk arrij kurrë të imponohem. Prindërit e mi, edhe sot që jam e rritur, më bëjnë të ndihem e huaj për ta nëse vë dëshirat e mia para të tyreve. Dhe unë dorëzohem, sepse trembem mos humbas dashurinë e tyre…”. Reagimet e Sabinës, sipas Proietti-t, janë të zakonshme: “Ndihet në faj nga frika se mos e përjashtojnë nga sistemi të cilit i përket”.
Përfshirja në një rreth vicioz
Kush nuk arrin kurrë ta bëjë të dëgjueshëm zërin e vet, në fund hyn në konflikt me veten. “Jam e lodhur,
e inatosur duke ndjekur të tjerët, të gjithë luajnë me mua”, – shpërthen Viola, 48 vjeçe. “Fakti që të tjerët
përfitojnë nuk është vetëm një ndjesi, – shpjegon Proietti. – Krijimi i një qëndrimi inferior dhe gatishmërie ekstreme ushqen një bërthamë gjithnjë e më të madhe pritshmërie: e gjithë kjo bujari banalizohet, në kundërshtim me atë që presim. Kërkesat nga jashtë janë gjithnjë e më këmbëngulëse”, përfundon ekspertja. Përfshihemi në një rreth vicioz, në një labirinth prej nga ku është shumë e vështirë të dilet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.