Me ngrohjen e kohës dhe ditëve me diell askush nuk dëshiron që të rrijë mbyllur në palestër. Por të gjithë duan që të kenë një trup në formë të mirë, për të dalë në plazh apo për të veshur pantallona të shkurtra pa u dukur keq. Pak është e mjaftueshme: gjysmë ore ushtrime në park pasdite, duke përfituar nga freskia dhe drita e ofruar nga mbrëmjet e para të verës, ndoshta në shoqërinë e miqve, disa herë në javë dhe gjatë fundjavës, janë ideale për t’u kthyer përsëri në rrugën e duhur dhe për të hequr kilet e tepërta.
Shkallë dhe hapa – Këto janë zgjidhjet më klasike dhe më të njohura si një alternativë për trajnimin në palestër. Ekspertët thonë se në çdo rast: forma ideale e lëvizjes, e përsosur për të gjithë, ecja për të paktën gjysmë ore në ditë, duke bërë, nëse është e mundur, 10 mijë hapa në ditë. Qëllimi nuk është i pamundur: përpiquni ta besoni. Tani ka shumë aplikacione për t’u instaluar në telefon vetëm për të numëruar hapat e marra çdo ditë. Zgjidhni të zbrisni nga autobusi një stacion më para ose nëse udhëtoni me makinë parkojeni atë një bllok më larg për të ecur në këmbë, gjithashtu përdorni shkallët në vend të ashensorit, pasi këto veprime janë një ide e mirë për djegien e kalorive të tepërt.
Shfrytëzo familjen – Ata me fëmijë e dinë mjaft mirë: të luash me ta është një ushtrim i jashtëzakonshëm. Të vegjlit kanë shumë energji dhe kalimi i disa orëve me ta në park të mundëson një stërvitje me intensitet të lartë: vetëm një lojë volejbolli ose me t’u fshehur mjafton për t’i bërë të vegjlit tanë të lumtur, për t’i kthyer në humor të mirë për të luajtur së bashku dhe djegur kalori. Nëse nuk keni fëmijë në shtëpi, por një mik me katër këmbë, është e njëjta gjë: qeni do të vlerësojë një shëtitje të këndshme në vend të daljes së zakonshme me ngut ose për të bërë ndonjë lojë aktive në park.
Biçikleta – A keni menduar ndonjëherë ta përdorni atë si një mjet transporti? Nëse rruga juaj për në punë ju lejon të ndiqni një rrugë me pak trafik dhe nëse jeni me fat që të keni një rrugë biçiklete, stërvitja është bërë. Ajo mund të shndërrohet në miken tuaj më të mirë: përdoreni sa më shumë që të jetë e mundur për udhëtimet tuaja, të ktheheni në formë dhe t’i jepni një dorë mjedisit.
Litari – Një stërvitje shumë e thjeshtë për t’u ndjekur ofrohet nga litari dhe kërcimi. Teknika është ajo që keni përdorur kur ishit fëmijë: thjesht kaloni litarin dhe hidhuni. Nëse doni një qasje më “sportive”, ju mund të zgjidhni, në vend të litarit klasik, një mjet ad hoc, me një kabllo metalike me gjatësi të rregullueshme dhe me doreza të veçanta. Lëvizja e rrotullimit të duhur kërkon që të shfrytëzohen vetëm lëvizjet e kyçeve të dorës. Qëllimi është që të ketë sukses dhe të bëni njëqind hedhje pa ndërprerje, pa vështirësi dhe pa sforcim të tepruar. Si në çdo stërvitje, ju i merrni rezultatet gradualisht dhe në seanca të shumta. Litari është një stërvitje e plotë aerobike që përmirëson frymëmarrjen dhe vepron pozitivisht në sistemin kardiovaskular.
Stoli – Trajnerët e palestrës e quajnë “stërvitje në stol”: në terma më të thjeshtë ka të bëjë me përdorimin e stolit të parkut si një mbështetje dhe “mjet” për të bërë gjimnastikë. Ai mund të përdoret si një mbështetje për tonifikimin e këmbëve, si një hap tek i cili mund të ngjiteni dhe të zbrisni dhe për të gjitha ushtrimet për të cilat ne përdorim stolin në palestër. E vetmja gjë që mbetet është të përdorni imagjinatën dhe të krijoni rutinat tuaja të stërvitjes.
Burimi / tgcom24.mediaset.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.