Kur biem në dashuri, nuk ka gjë të gabuar. Gabimet janë pjesë e jona për t’u rritur dhe gjetur veten aty ku duam ne të jemi dhe me kë të jemi. As zgjedhja që bëjmë ndaj partnerit nuk është e gabuar edhe nëse ai/ajo na lëndon apo nuk i përgjigjet dashurisë sonë. Nuk kemi gabuar ne, janë ndjenjat tona që nxiten drejt emocioneve që nuk janë pjekur ende për të kuptuar se çfarë duam dhe kë duam. Përvojat në dashuri kanë treguar në lidhjet e secilit individ, sa të qëndrueshëm dhe të ndjeshëm janë në një marrëdhënie, kjo edhe për faktin për të përmirësuar pikat e dobëta të personalitetit të tyre.
Njeriu kur dashuron, ngjan me modelin prindëror. Ai/ajo merr karakteristika të personalitetit, tipare që udhëheqin ndjesitë tona, të cilat zhvillohen dhe përvetësohen si të ishin unike. Si shembull të kësaj kemi kompleksin e Edipit (nëna) dhe të Elektrës (babai), figura prindërore. Kjo shpjegon më së miri ndryshimet dhe ngjashmëritë e secilit gjini, përkundrejt ndjesisë së dashurisë që provohen ndërmjet lidhjes.
Qysh në fëmijëri përballemi me ndjesitë dhe konfliktohemi pasi nuk dimë të vendosim dhe të ndajmë emocionet që mbajmë dhe përjetojmë gjithashtu. Kjo ndodh, pasi vetëdija nuk është akoma e forcuar për të mbajtur përgjegjësi për veten dhe se çfarë na ndodh përreth. Gjithashtu prindërit tanë janë edukatorët për të na drejtuar dhe kontrolluar sjelljet e mendimet kur jemi fëmijë në adoleshencë. Por nga ky psiko-edukim familjar mund të kemi ndrydhje të ndjenjave, për t’i shprehur e ndier ato, me brishtësinë dhe pafajësinë e tyre.
Analiza në fëmijëri na ndihmon të kuptojmë se nga vijnë sjelljet dhe mënyra sesi mendojmë e veprojmë në jetën shoqërore e në marrëdhënie intime. Që të kemi një marrëdhënie të mirë intime, janë prindërit ata që kujdesen për fëmijët dhe si t’i mësojnë që t’i kenë nën kontroll emocionet. Pasi nevojitet mbrojtja nga ndjenjat e ankthit dhe turpit gjatë pubertetit e moshës së adoleshencës.
Kur individi nis të ndërtojë një marrëdhënie, fillon të mendojë sesi duhet të sillet dhe vë përpara subkoshiencën. Por, e vërteta e kësaj është se ne mbajmë eksperiencat e pavetëdijshme të së kaluarës sonë. Kjo e ndihmon ose jo lidhjen, varet sesi janë kultivuar ndjesitë afektive. Vështirësitë dhe krizat që ndodhin në një lidhje janë si pasojë e konflikteve të brendshme të pazgjidhura në moshën e hershme. Te secili nga çiftet kërkon të zotërojë dhe të vendosë autoritet, edhe pse kjo e fundit është më tepër tipar sesa e mësuar. Por kriza ka dhe një tjetër faktor mungesë apo abstinence seksuale (maturi seksuale).
Maturia seksuale në këtë rast është kur individi zgjedh të mos angazhohet në aktivitetin seksual, për shkak të normave morale, fetare etj. Përmbajtja seksuale krijohet dhe si gjendje psikologjike që nuk e lë individin të përmbushë jetën e tij seksuale.
Kriza në vetvete të lidhjes tregon një krizë individuale, si me dyshime, zemërime, konfliktuale në të menduar dhe vepruar. Lidhjes midis dy individëve i duhet një përgatitje shpirtërore, pasi ndihmon për të vendosur qëllime dhe vlerësuar veten. Individi nuk gabon kur bie në dashuri, por ajo çfarë ndodh me të është se jetën e tij/saj ia lë në dorë tjetrit. Kjo i jep mundësi për të lënduar dhe abuzuar me këtë ndjenjë. Kjo vjen si rrjedhojë, pasi individi e lejon këtë gjë, i pëlqen që të shkëpusë përgjegjësitë dhe t’ia drejtojë këtë peshë partnerit, sepse, edhe sikur të mos të dojë që të ndodhë kjo, e ngarkon shumë psikologjikisht dhe rrezikohet nga e pavetëdijshmja e marrëdhënies. Lidhje martesore ose jo, ka meritat e veta të funksionimit dhe shpesh kjo gjë kalon pa u vënë re nga çifti, por që duhet të inkurajohet e vlerësuar gjithashtu për t’i dhënë besim dhe shtysë për vazhdimësinë. Këtë e bëjnë ata vetë, familjarët dhe miqësia e përbashkët. Një tjetër krizë e marrëdhënies janë dhe kritikat e shpeshta që i bëhen njëri-tjetrit.
Pse u ndodh kjo? Partnerët vijnë me një të kaluar, e cila mund të ketë mbartur trauma, dramë familjare, e cila e përndjek edhe në martesë/bashkëjetesë. Është i/e pafuqishëm për të ndryshuar sjellje dhe menduar ndryshe, pasi i duket e njëjtë me atë që ka përjetuar dikur. Gjithashtu kemi edhe egon e tepruar, për të lartësuar gjithnjë e më shumë veten. Pra, edhe kur e ka gabim, nuk do që të kundërshtohet apo të kritikohet, por vetëmbrohet duke ia atribuuar këtë partnerit më vulnerabël (të dobët). Po të vëmë re, në lidhjen që kemi, aty mund të gjejmë jo vetëm partnerin/en, por edhe familjarët e tjerë që na marrin energjinë dhe na fusin në kurth. Kjo ndodh për të dalë më i miri, më i zoti, pra një tendencë për të ulur njëri-tjetrin. Diçka e tillë çon në konflikte që mbeten të pazgjidhura, pasi mësohesh me këtë lloj sjellje dhe kur situata precipiton, këto duken si gjëra jo domethënëse. Marrëdhënia ka zërin e saj që thotë nuk do të qortohet, pasi humbet ndjeshmërinë, besimin, por i nevojitet mirënjohje se, në fund të fundit, mbetet një zgjedhje e lirë dhe, nëse nuk ka qenë e tillë, të gjejë mundësi për të funksionuar pa zënka dhe kritika. Njëri nga dy veta e ka në dorë lidhjen nëse kjo është për një funksion të mirë, po të dijë dhe të dojë e ndryshon. Kur një lidhje prishet, në ndërgjegje bëhen këto pyetje: Ku gabova? Çfarë nuk shkon tek unë që më la? Përse gaboj në zgjedhje? Janë pyetje që tregojnë një pjekuri dhe nuk ka përse të ndieni turp. Mund edhe të keni faj për dështimin e lidhjes, por jo ta kryqëzoni veten, pasi duhet të kuptoni që lidhjen e shpëtojnë të dy e jo njëri prej jush. Zgjedhjet që bëjmë na udhëheqin drejt nevojave tona emocionale dhe shpirtërore. Kjo nuk mund të quhet e gabuar, por zgjat aq sa ne ia ndiejmë nevojën dhe e lëshojmë për ta larguar dhe gjendemi në një tjetër zgjedhje. Asgjë nuk ka të gabuar, dashuria ka një nen të sajin të pashkruar e dëshiruar gjithashtu, që është shfrytëzimi. Kjo është ajo që i ndodh njeriut, lidhjes, nuk është brutale, as katile, është njerëzore.
Shija më e ëmbël e gjithë kësaj është afërsia që kanë dy njerëz dhe e ndiejnë njëkohësisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.