Fëmijët, puna, miqtë… Të (ri)vësh partnerin në plan të parë sa e rëndësishme është? Tek e fundit, çfarë do të thotë t’i japësh prioritet dyshes?
“Mes, familjes, punës, interesave të tjera, fëmijët kanë prioritet në jetën time”. Ka shumë gra që pohojnë kështu. Por a është i saktë përcaktimi i prioriteteve kësisoj?
Në kohët moderne, duket sikur ndiqet një model jete i përqendruar më shumë tek realizimi vetjak. Gratë përpiqen shumë për pavarësi (edhe ekonomike) ndaj partnerit. Më të përparuarat e kanë akoma më të rëndësishme këtë gjë. E pastaj, më të shumtat mes grave me fëmijë, pohojnë se pikërisht fëmijët janë prioriteti i jetëve të tyre, nganjëherë edhe duke shpërfillur edhe babanë e fëmijëve të tyre… Por a është me të vërtetë e nevojshme të sakrifikohet partneri për të realizuar veten? Po pas nevojës së fëmijëve për dashurinë e nënës, a mos ka diçka tjetër?
“Të angazhuar për të kënaqur nevojat jo gjithnjë të vetëdijshme, gratë dhe burrat e sotëm kanë më pak kohë për reciprocitet dhe empati” vëren sociologu Zygmunt Bauman duke hyrë në intimitetin e shtëpive tona. Sakaq, psikoterapeuti, Claudio Lorenzetti thotë: “Marrëdhëniet e sotme janë bija të kohës së vet: një kohë që është e paaftë të mbështesë çdo lloj frustracioni. Atëherë përballë vështirësive të përditshmërisë, mes çiftit krijohet një hendek dhe marrëdhënia bëhet një kopje e keqe e asaj që në kohën e fillimit të dashurisë dukej si një dhuratë e mrekullueshme”. Por, arsyet e vërteta të angazhimit të pakët ndaj partnerit jo gjithnjë janë të lidhura me dëshirën për realizimin e vetes. E mandej, jo gjithnjë partnerët largohen pikërisht sepse në mes hyjnë fëmijët. Largimi progresiv i partnerit ka edhe akuza të tjera: frika e boshllëkut dhe e mërzisë, për pasojë sjell kërkimin e stimujve të rinj dhe iluzionin se është më pak impenjative të menaxhosh marrëdhënie të shkurtra ndiz e fik se sa të përballosh një raport të thellë, konstant dhe të qëndrueshëm. Por çifti mbetet një burim i madh për tu vlerësuar vazhdimisht, një motor i fuqishëm i aftë për të dhuruar energji. Ja pse është e rëndësishme që të mos shpërfillet kurrë partneri. “Marrëdhënia na shërben për tu rritur psikologjikisht, për të zbërthyer dhe kapërcyer frikërat tona”, pohon Flaminia Nucci, psikanaliste jungjane. “Pikërisht kur shfaqen vështirësitë e para, kur më në fund arrijmë ta shohim partnerin ashtu siç është, me kufizimet e tij dhe defektet, shfaqen përputhshmëritë dhe nuk duhen humbur shpresa”. Por ky është edhe një moment kur intimiteti fillon të ngjallë frikë dhe sjell me vete rrezikun e një “shkëputjeje” progresive të fshehur pas arsyeve të ndryshme…
1.“S’kam kohë për ty, kam shumë punë”
Sot edhe për gratë karriera është bërë një instrument themelor për të gjetur një sens të kompletimit dhe realizimit dhe për t’i mundësuar vetes paratë e nevojshme për një standard të caktuar jete. Atëherë, pse të mos e vëmë punën në plan të parë? Në realitet, është kjo çfarë bën shumëkush. Është shumë më e thjeshtë që ta marrësh partnerin në telefon dhe t’i thuash se do të vonohesh sesa t’i thuash shefit se punën urgjente mund ta mbaroj nesër gjatë orarit të punës. Por nuk mbaron këtu. Pas një ditë stresante, gjithë tensioni i grumbulluar shkarkohet mbi partnerin. Pse sillemi në shtëpi në një mënyrë që në punë nuk do të silleshim kurrë?
Ja ç’ndodh te psikoterapeuti:
–Të paktën në punë ndihem e vlerësuar-thotë Marjela.- Pse duhet të vrapoj për tu kthyer në shtëpi duke e ditur se im shoq, pothuaj me siguri, nuk është kthyer akoma?
–Nuk është e vërtetë– e ndërpret i shoqi dhe fillojnë të zihen.
–Në punë një problem i ngjashëm do të diskutohej në një mbledhje– vazhdon Mariela- Një mbledhje me tim shoq? Çfarë lodhjeje.
Në të vërtetë, në shtëpi nuk kemi asnjë stimul për të qenë “profesionalë” siç jemi në punë. Dhe nuk na ndihmon as miti fals sipas të cilit partneri na mbështet kur jemi të lodhur, të acaruar ose pak komunikues. Ndërsa në zyrë kritika shprehet mbi një detyrë specifike, nuk vihemi në krizë si persona. Sidoqoftë kritika na ndihmon të rritemi. Në shtëpi përkundrazi, kritika tingëllon si një gjykim tërësor mbi ne. E ndaj në vend që të zhvishemi, shumë nga ne preferojnë të ndrydhin ndjesitë, të fshihen pas një jete profesionale super të zënë duke e zvogëluar rëndësinë e partnerit, duke minimizuar kohën për të.
2.“S’kam kohë për ty, duhet të dal me miqtë”
Në disa çifte ndodh që me pretekstin për të mbajtur gjallë miqësitë respektive përjashtohet progresivisht nga jeta, partneri. Problemi bëhet më i madh kur e gjithë sjellja jonë e bën partnerin të ndihet i përjashtuar. Në fillim të lidhjes është i vështirë “dyluftimi” mes miqve dhe partnerit. Klara dhe Alida, për disa vite kanë ndarë të njëjtin apartament. “Ishim beqare dhe mike të pandashme. Kur njoha Danielin qe e vështirë të vija një ekuilibër mes të dyve. Trembesha se mos prania e Alidës, koha në dispozicion të saj, do ta minonte marrëdhënien time të dashurisë por s’kisha ndërmend të hiqja dorë nga miqësia e rëndësishme me të”-thotë Klara.
Sipas Flaminia Nucci: “Është një proces përzierje, në stadet e para të një marrëdhënieje, gjatë të cilës çdonjëri nga të dy partnerët duhet të vërë disa barriera ndaj të tjerëve”. Nevojitet shumë, dhënia e kohës prioritare partnerit. Nëse një çift nuk kalon kohë të mjaftueshme në intimitet, do ta ndërtojë më vështirësi besimin e nevojshëm derisa secili, pastaj, mund të vijojë me një jetë më autonome. E megjithatë, shumë beqarë pas pretekstit të miqësive mbajnë distancë sigurie me partnerët. Por kjo distancë s’e ndihmon aspak marrëdhënien, përkundrazi, mund të interpretohet si mungesë interesi apo sipërfaqësi. Ja pse në çdo fazë të marrëdhënies të ndodhemi duhet të vihet gjithnjë partneri në plan të parë. Natyrisht ka raste në të cilat duhet lënë që partneri t’i kushtohet miqve që kanë nevojë për të dhe jo vetëm. Ashtu siç është themelore që të siguroni një shkëmbim të rregullt të emocioneve për ta mbajtur gjallë marrëdhënien.
3.“S’kam kohë për ty kam nevojë të merrem me veten”
Të investosh kohë në zhvillimin vetjak është shndërruar në një prej preokupacioneve themelore të jetës moderne. Por angazhimet e tepërta vetjake, si sporti apo hobet e tjera mund të kenë pasoja negative në çift sidomos nëse përdoren si arsye për t’iu shmangur partnerit. Aldo e harroi hobin e tij për lundrimin kur vendosi të jetonte me Ritën. Pasi kaluan dy vjet i propozon asaj që të blejnë një barkë të vogël, së bashku me një çift tjetër miqsh, gjë që shkaktoi një konflikt.
-Tani do të zhdukesh gjatë të gjitha fundjavave!- i ankohet Rita.
–Është një gjë që më ka tërhequr qysh kur kam qenë fëmijë, është pjesë e imja. Nuk mund të heq dorë nga gjithçka– mbrohet Aldo.
Rita trembet se Aldo do të harxhojë kohë larg saj, me barkën e tij… por në realitet marrëdhënia e tyre e ka kaluar fazën e shkartisjes (përzierjes), ku partnerët përqendrohen në çfarë kanë të përbashkët dhe janë në atë të vetëpohimit, ku gjithsecili rikuperon individualitetin e tij. Koha për të kaluar në vetmi është shumë e rëndësishme për secilin partner, por përfshirja në aktivitetet që e përjashtojnë tërësisht tjetrin mund të ketë efekt shkatërrues për çiftin. Është më mirë të zgjidhen disa angazhime që nuk zgjasin shumë ose aktivitete të përbashkëta…
4.“S’kam kohë për ty po merrem me fëmijët”
Është alibia më e vështirë për tu kundërshtuar dhe më e rrezikshmja nëse i kundërvihesh. Shoqëria do që prindërit e sidomos mamatë, të venë para së gjithash nevojat e fëmijëve. Por ç’përgjigje tu japim atyre prindërve që ndjejnë nevojën për të thënë: “Po unë?” Mund të jetë shumë e thjeshtë t’i fshehim justifikimet tona pas fëmijëve. Shembull: Kur njëri nga prindërit mungon për një kohë të gjatë, tjetri kompenson duke superinvestuar për fëmijët.
–Kur kthehem në shtëpi, përveç “ç’kemi” të gruas që bërtet nga dhoma, ndihem rregullisht i shpërfillur, ngase fëmijët janë duke bërë banjë ose duhen vënë në gjumë- ankohet Aleksandri që ka një punë me shërbime- Nuk e shiheshim prej ditësh, por rregullat nuk prishen.– ironizon.
Eliza mbrohet duke shpjeguar se sa e vështirë është për të, të merret me fëmijët. E megjithatë gjatë një diskutimi me një terapeut pranon:
–E di që mund të duket e pamendët, sepse puna e tij na lejon një situatë të mirë të të jetuarit, por më shfaqet për të, një i tillë zemërim, që nuk është në shtëpi me mua sa mendoj: pse duhet të humbas gjithçka për të?
Por, të përdorësh fëmijët si amortizator mes prindërve është e dëmshme edhe për ta: nëse nuk e kanë mundësinë t’i shohin prindërit duke u zënë dhe u pajtuar pastaj, nuk mësojnë t’i tregojnë dëshirat e tyre ose mospajtimet. Me kureshtje, dara dorës, që procedonte terapia e të sipërpërmendurve në çift, fëmijët e Aleksandrit dhe Elizës ndiheshin më të lumtur. Fëmijët në të vërtetë nuk identifikohen vetëm me një prind por me marrëdhënien që ekziston mes të dyve.
Rrëzojini alibitë
Në bazë të të gjitha justifikimeve për të larguar partnerin është një ndjenjë: frika. Por pse kemi frikë nga një person që e duam, na do dhe kërkon më të mirën për ne?
Në fakt, na do të mirën, por njëkohësisht, askush nuk është në gjendje të na lëndojë më shumë se sa vetë partneri ynë. Kështu me një dorë e largojmë më një dorë e afrojmë. Dhe ndonjëherë shkaktojmë akoma më shumë dhimbje.
Për tu përmirësuar ekspertët këshillojnë:
-Kërkojeni në të shkuarën tuaj origjinën e frikërave tuaja për të jetuar më qetësisht në çift. Ndoshta nuk e keni pranuar ende divorcin e prindërve tuaj? Ose ndoshta keni pasur një histori të pafat dashurie në adoleshencë? Si ndikojnë këto ngjarje në jetën tuaj të tanishme?
-Binduni për faktin se mënyra më e mirë për të fituar mbi frikën është përballja. Shpjegojani partnerit tuaj që ndonjëherë hijet e së shkuarës e turbullojnë mënyrën tuaj të të qenit në çift. Në këtë mënyrë ai do ta dijë që, në momente të caktuara, duhet të jetë i matur me ju.
-Rikalibroni jetën tuaj. Bëni një hartë të gjërave që ndani: partneri, fëmijët, puna, miqtë, ju vetë. Dhe pastaj bëni një hartë tjetër se si ju do të dëshironit t’i ndanit gjërat. A mund të gjeni një model të ndërmjetëm?
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.