Marrëdhënie

May 9, 2016 | 12:33

Nuk kam kohë për ty! Ja pse i duhet dhënë prioritet çiftit

Fëmijët, puna, miqtë… Të (ri)vësh partnerin në plan të parë, sa e rëndësishme është? Tek e fundit, çfarë do të thotë t’i japësh prioritet dyshes? “Mes familjes, punës, interesave të tjera, fëmijët kanë prioritet në jetën time”. Ka shumë gra që pohojnë kështu. Por, a është i saktë përcaktimi i prioriteteve kësisoj?

Në kohët moderne duket sikur ndiqet një model jete i përqendruar më shumë tek realizimi vetjak. Gratë përpiqen shumë për pavarësi (edhe ekonomike) ndaj partnerit. Më të përparuarat e kanë akoma më të rëndësishme këtë gjë. E pastaj, më të shumtat mes grave me fëmijë pohojnë se pikërisht fëmijët janë prioriteti i jetëve të tyre, nganjëherë duke shpërfillur edhe babanë e fëmijëve të tyre… Por a është me të vërtetë e nevojshme të sakrifikohet partneri për të realizuar veten? Po pas nevojës së fëmijëve për dashurinë e nënës, a mos ka diçka tjetër? “Të angazhuar për të kënaqur nevojat jo gjithnjë të vetëdijshme, gratë dhe burrat e sotëm kanë më pak kohë për reciprocitet dhe empati”, vëren sociologu Zygmunt Bauman, duke hyrë në intimitetin e shtëpive tona. Sakaq, psikoterapeuti Claudio Lorenzetti thotë: “Marrëdhëniet e sotme janë bija të kohës së vet: një kohë që është e paaftë të mbështesë çdo lloj frustracioni. Atëherë, përballë vështirësive të përditshmërisë, mes çiftit krijohet një hendek dhe marrëdhënia bëhet një kopje e keqe e asaj që në kohën e fillimit të dashurisë dukej si një dhuratë e mrekullueshme”. Por, arsyet e vërteta të angazhimit të pakët ndaj partnerit jo gjithnjë janë të lidhura me dëshirën për realizimin e vetes. E mandej, jo gjithnjë partnerët largohen pikërisht sepse në mes hyjnë fëmijët. Largimi progresiv i partnerit ka edhe akuza të tjera: frika e boshllëkut dhe e mërzisë, për pasojë sjell kërkimin e stimujve të rinj dhe iluzionin se është më pak impenjative të menaxhosh marrëdhënie të shkurtra “ndiz e fik”, sesa të përballosh një raport të thellë, konstant dhe të qëndrueshëm. Por çifti mbetet një burim i madh për t’u vlerësuar vazhdimisht, një motor i fuqishëm, i aftë për të dhuruar energji. Ja pse është e rëndësishme që të mos shpërfillet kurrë partneri. “Marrëdhënia na shërben për t’u rritur psikologjikisht, për të zbërthyer e kapërcyer frikërat tona”, pohon Flaminia Nucci, psikanaliste jungiane. “Pikërisht kur shfaqen vështirësitë e para, kur më në fund arrijmë ta shohim partnerin ashtu siç është, me kufizimet e tij dhe defektet, shfaqen përputhshmëritë dhe nuk duhen humbur shpresat”. Por ky është edhe një moment kur intimiteti fillon të ngjallë frikë dhe sjell me vete rrezikun e një “shkëputjeje” progresive, të fshehur pas arsyeve të ndryshme…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top