Marrëdhënie

August 4, 2017 | 10:30

Nuk kemi nesër…

E pashë diellin drejt e në sy sot…
Nuk di si të gjeta dhe aty.

1

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Në turmat që u gjenda, diku të gjeta dhe ty.

Të kam akoma tek unë, e nuk ka shumë rëndësi nëse je ose jo diku, të  kam me vete gjithsesi.

Nuk ke ikur askund. Megjithëse jam munduar të të heq. Kam provuar dhe të të ‘injoroj’. Nuk di nëse më kanë mbetur më mënyra e forma për të të nxjerrë nga zemra ime, por me siguri kanë mbetur.
Thjesht unë dua kohën time.
U bë gjatë, e di.
Por, ja që, si duket nuk qenkam ende gati. Ndoshta, gati nuk do jem kurrë. Ndoshta thjesht duhet të bëj veten gati. Askush nuk mund të jetë gati për të gjitha ‘nesër’ që nuk do jenë.
Ndonjëherë duhet të bëhemi gati e të lejojmë veten dhe universin të bëjë dhe gjëra që zemra nuk i do.
Ndonjëherë duhet të bëjmë paqe, me të mos pasurit zemrën edhe aq në paqe.

Ti do ikësh një ditë, e unë do largohem një ditë nga ty. Me shumë mundësi do ndodh nën heshtjen që ne dimë aq mirë ta përdorim, do ndodhë pa fjalët që aq të qarta i bëjnë të gjitha.
Do të ikësh ti e do largohem unë.

Derisa…

Të shihemi sërish…

Ndoshta ndër yje, a ndoshta tek rruga që merrnim shpesh të dy. Ndoshta do e marrim atë rrugë, pikërisht për tu parë, në mungesë të trimërisë, që nuk karakterizonte asnjërin, për ta kërkuar tjetrin.

Do vazhdojë jeta e do shihemi sërish, kur më së paku e presim, e po aq pak e duam.
Nuk e di nëse do jem gati të të shoh gjatë në sy, tani nuk mundem ta bëj.
Tani sytë i kam plot ty, plot përqafime me zemërim për ty.

Mezi po e pres edhe unë ditën që do të të shoh me sy bosh. Ditën që do ec në rrugë e do shkëmbehem më njerëz pa të parë ty edhe kur nuk të kërkoj, pa të gjetur ty dhe në pakuptimesi, pa të patur ty ne sy. Nuk dua as dashuri e as zemërim për ty. Nuk dua asnjë ndjesi që del nga unë për ty. Jo se ti nuk je i mirë, apo nuk e meriton, a ku di unë. Aspak për këtë.
Por, për mua. Unë nuk mundem më, ti marr vetes për të mbushur imazhin tënd tek unë.

Sigurisht, ndryshe do të kisha dashur të kishte shkuar, ndryshe do të kisha dashur të ndihesha. Por, e vërteta është që gjërat rrallë shkojnë ashtu siç do donim, sepse çdo gjë ndodh për një arsye, sepse gjërat që janë thënë për tu bërë do bëhen e te tjera shprehje klishé si këto, që kanë dalë pikërisht për të gëlltitur zhgënjime e për të lehtësuar dhimbje.

E vërteta është që ndonjëherë nuk ka asnjë arsye, e vërteta është që nuk ka gjëra të thëna e të pathëna, ka gjëra që i do ose nuk i do, ka gjëra për të cilat lufton ose jo.

Nuk ka asgjë filozofike në këtë mes, asnjë arsye përtej të kuptueshmes, është e thjeshtë, ndoshta pak e trishtë, ama e thjeshtë.
Ndonjëherë, edhe trishtimi mund të jetë i thjeshtë edhe pse rëndon. Unë edhe ti nuk mund të jemi ne.
Unë edhe ti nuk kemi një nesër. Sepse nuk ditëm, nuk mundëm e mbi të gjitha nuk e deshëm mjaftueshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top