Në Shqipëri, ashtu si kudo, figura e nënës përshkruhet me dashuri dhe ëmbëlsi. Sigurisht, të njëjtat nëna më pas bëhen vjehrra dhe sakaq skema përmbyset. E sidomos në rastet kur vjehrra dhe nusja duhet të jetojnë nën të njëjtën çati, komplikimi i situatës është shumë i mundshëm.
Për vite me rradhë në Shqipëri ka funksionuar sterotipi i marrëdhënieve jo të barabarta nuse-vjehrrë, i një vjehrre dominante dhe i një nuseje të nënshtruar. Një djalë nuk mundet, sipas mentalitetit shqiptar, që ta lërë nënën të jetojë vetëm. Arsyeja jo gjithnjë është ekonomike. Më së shumti kjo bëhet për të kënaqur pritshmëritë e të tjerëve, të cilët do ta gjykonin si të turpshëm rastin e një djali që ikën nga shtëpia prindërore, duke e lënë nënën vetëm, pavarësisht se tashmë ka krijuar familjen e vet. Psikologjia kolektiviste e detyronte djalin të jetonte me prindërit, pas martesës së tij. Natyrisht që nuk mund të mos përmendim faktorin ekonomik dhe pamundësinë e përballimit të jetesës, gjë që është e ndjeshme edhe sot. Por nuk është vetëm mënyra mashkullore e të konceptuarit të gjërave kështu. Vetë vajzat janë modeluar qysh në shtëpinë e prindërve për ta pranuar idenë e bashkëjetesës. Më së shpeshti janë rritur në të njëjtën shtëpi me gjyshet. Por kjo nuk i përmirëson gjërat. Ja pse: Së pari, bashkëjetesa nuse–vjehrrë në Shqipëri ka nxjerrë në pah dy standarde brenda së njëjtës familje: ndryshe trajtohet nusja e ndryshe vajza. Një nga rastet që mund të përmendim sa për ilustrim: vajzës përgjithësisht i lejohet të mos angazhohet në punët e shtëpisë, kurse nuses jo. Dallimet janë aq të dukshme në të gjithaelementet e jetës së përditshme, duke përfshirë oraret e zgjimit në mëngjes, mënyrën e të sjellurit, të të folurit, të pritjes së miqve etj. (Gjithashtu ka edhe raste kur vjehrra afrohet shumë më tepër me fëmijët e vajzës, sesa me fëmijët e djalit me të cilët jeton). Por ende nuk kemi hyrë në thelbin e çështjes, të cilin do ta bëjmë pikërisht tani: Midis nuses dhe vjehrrës mund të zhvillohet një luftë egoiste. Vjehrra ka në kontroll shtëpinë prej vitesh, është kujdesur për gjithçka vetë. Ajo gjithashtu është kujdestarja primare e të birit që kur ka lindur. Për shkak të investimit emocional tek i biri krijohet një lloj konkurrence për vëmendjen dhe kujdesin ndaj djalit/burrë. Fakti që vjehrra këmbëngul të ruajë të njëjtat zakone, mund të shkaktojë konflikte me nusen, por ç’është më e keqja, konflikti mes çiftit të ri, që mund të përfundojë deri në divorc. Mund të ndodhë që vjehrra të trokasë në mëngjes në dhomën e çiftit për të zgjuar të birin; mund të përgatisë vetë mëngjesin pa i krijuar hapësirë nuses që t’i bëjë këto gjëra. Vjehrra mund të sistemojë dhomën e çiftit, t’u rregullojë krevatin. Mund të pretendojë që të respektohen të njëjtat rutina si të sajat, të frekuentohen të njëjtët njerëz. Mund të pyesë vazhdimisht çiftin se ku po shkon dhe kur do të kthehet. Mund të kërkojë që të shkojë me ta për pushime etj. Pse këto shkaktojnë konflikt? Tek e fundit, në pamje të parë nuk duken si sjellje problematike. Vjehrra përgatit mëngjesin apo rregullon krevatin e çiftit duke besuar (së paku priremi të mendojmë pozitivisht) se po u vjen në ndihmë… E megjithatë këto shkaktojnë konflikt. Dhe ja pse:
-Jetesa e përbashkët nuk krijon shumë hapësirë për intimitet, ndërkohë që të gjithë kanë nevojë për hapësirat e veta. Është mjaft e nevojshme që secili të ketë një mjedis të vetin ku të ndihet plotësisht komod. Dhoma e gjumit është një mjedis intim.
-Dhoma e gjumit e çiftit mund të jetë rrëmujë, por kjo mund të jetë shumë më e pranueshme dhe e dëshirueshme sesa kujdesi (lexo invadimi) i dikujt tjetër që nuk ka të drejtën të hyjë në atë hapësirë. Mandej, pikërisht rrëmuja në dhomë mund t’i krijojë çiftit idenë e një çlirimi psikologjik dhe mund të jetë më shkarkues për stresin, sepse krijon një ndjesi lirie në bashkëjetesë.
-Të qenit në shtëpinë e vet për nusen nuk është një koncept thjesht teorik, dhe sidomos diçka e lehtë për t’u realizuar. Nëse vjehrra hyn lirshëm deri edhe në dhomën e çiftit, siç bën në dhomën e saj, atëherë i ka dhënë një sinjal të qartë nuses: kjo e gjitha është shtëpia ime, ti jeton në shtëpinë time. Përfundimisht, nusja duke mos u ndjerë në shtëpinë e vet, mund të kalojë në një gjendje të papërballueshme stresi.
-Martesa është një moment tepër i rëndësishëm. Në fillimet e veta një çift ka nevojë, gjatë procesit të njohjes, të përshtatet me njëri-tjetrin. Por në rastet e bashkëjetesës me vjehrrën lind nevoja e përshtatjes së njëkohshme me dy njerëz: burrin dhe vjehrrën. Kjo shkakton stres. Sidomos i shton probleme të tepërta çiftit.
-Natyrshëm, interesat janë shumë të ndryshme dhe ritmi i jetës po ashtu. Ato që përbëjnë prioritet për vjehrrën, sidomos kur kjo e fundit është shtëpiake, për nusen nuk janë të tilla. Dhe ky është një moment mospërputhjeje.
-Akoma edhe më raporti në çift mund të ndikohet nga jetesa me vjehrrën. Djali/bashkëshort përjeton një gjendje mospajtimi. Atij mund t’i përcillen dy informacione të ndryshme në të njëjtën kohë, sepse perspektivat e dy burimeve janë të ndryshme. Në realitetin shqiptar djali është edukuar të mos e kundërshtojë nënën dhe në mënyrë të pandërgjegjshme të mos reflektojë për mundësinë e pasaktësisë së gjykimit të saj. Veçanërisht, pakujdesi të tilla mund të shpien deri në divorc.
Sigurisht gjithçka më sipër nuk duhet të provokojë situatë lufte në familje, komunikimi është tepër i domosdoshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.