Rëndom në jetën e përditshme abuzohet me cilësinë dhe mënyrën se si ndërtohet dhe si funksionon marrëdhënia nuse–vjehrrë. Kemi të bëjmë me ndërlidhjen midis dy njerëzve të ndryshëm. Të grupmoshave të ndryshme, të botëkuptimeve të ndryshme dhe të interesave të ndryshëm, por subjekti që i bashkon në fund mbetet i njëjtë. Për njërën është djali dhe për tjetrën është bashkëshorti. Më poshtë do të shohim disa prej rasteve tipike që shkaktojnë konfliktin nuse-vjehrrë, duke dhënë disa këshilla orientuese, pavarësisht se shumëçka varet nga rrethanat konkrete, nga individët, nga niveli shoqëror e intelektual dhe të tjera si këto…
1 .TAKIMI
Imazhi që vjehrra ka në kokë për nusen e ardhshme të djalit nuk përputhet me gruan që i shfaqet para syve, kur djali ia prezanton. “Ajo nuk nguroi të më thoshte: djali im më parë ka pasur partnere më të bukura se ti”, – tregon Johana, 28 vjeç, prej dy vitesh e martuar… Vjehrra dhe nusja përballen për herë të parë në një situatë jo të favorshme. Nëna nuk është dakord me zgjedhjen e djalit dhe ia jep këtë mesazh nuses (kjo mund të shprehet edhe me mënyra të tjera joverbale). Menjëherë ndërtohet një barrierë dhe nxiten konfliktet e drejtpërdrejta. Është aftësia individuale e secilit prej nesh për t’i dhënë një zgjidhje të dobishme situatës. Kemi përballë një vjehrrë të pakënaqur qysh në momentin e parë: Për nuset: Mos prisni që të jeni e mirëpritur krahëhapur nga familja e njeriut që ju dashuroni, menjëherë sa takoheni. Mospërputhshmëria mes asaj që ata presin dhe asaj që ata janë, ka gjasa që të përmbyset me kohën. Pra, jepini kohë vetes, por edhe të tjerëve, për t’ju njohur. Me durim mund të shihni se mendimi i vjehrrës për ju mund të ndryshojë. Komunikimi mund të ketë vlerë. Nëse një mendim i vjehrrës suaj ju ka bërë të ndiheni keq, thojani asaj. Jini e kujdesshme në mënyrën se si bashkëbisedoni. Shmangni arrogancën, edhe pse diçka ju ka lënduar. Ndoshta iu ndihmon: Ajo është nëna e njeriut që ju dashuroni
Për vjehrrat. Shihe nusen pozitivisht. Djali është një njeri i rëndësishëm për ju, dhe zgjedhja e tij duhet të ketë po kaq rëndësi për ju. Imagjinoni sikur vajza juaj të trajtohej në të njëjtën mënyrë nga vjehrra e saj e ardhshme. Të mos ndihej e respektuar dhe e vlerësuar për imazhin që përfaqëson. Mësoni të jeni e thellë dhe jo sipërfaqësore. Kujtoni se takimi i parë ka një rëndësi bazike për vijueshmërinë e marrëdhënies.
2.TRADICIONALIZMI
Nusja nuk është edhe aq tradicionale, siç dikur në kohën e saj vjehrra ka qenë. “’Dikur Arbeni bënte më shumë vizita nëpër shtëpitë e tyre, për ditëlindje apo për Vit të Ri, por edhe pa ndonjë shkak. Qysh kur jeni martuar, sikur s’po bëni më vizita…’, më tha ime vjehrrë, duke dashur të më bëjë fajtore për këtë ‘shkëputje’ me njerëzit e fisit. Ajo nuk e ka të lehtë të kuptojë se jemi gjithë ditën në punë dhe s’kemi shumë kohë…”, thotë Adriana. Kohët kanë ndryshuar dhe marrëdhëniet midis njerëzve kanë marrë një formë tjetër. Jeta dinamike, me shumë angazhime dhe detyra, na ka larguar nga takimet e shpeshta jo vetëm mes miqsh, por edhe me familjarët tanë. Pikërisht një fenomen i tillë vë në konflikt prindërit me fëmijët… E sigurisht, nuset me vjehrrat.
Për nuset: Përpiquni të kuptoni se vjehrrat s’e kanë të lehtë të ndryshojnë, sidomos kur janë të moshuara dhe diferenca e viteve me ju është shumë e madhe. Por kjo nuk do të thotë t’i merrni gjithnjë në konsideratë çfarë thotë ajo. Shpjegojani me qetësi situatën në të cilën ju jetoni dhe ndryshimin me situatën në të cilën ka jetuar ajo.
Për vjehrrat: Jepini përparësi mirëqenies së familjes së djalit tuaj. Jini më realiste për jetën e ngarkuar që jetojmë. Për përgjegjësitë familjare, angazhimet profesionale dhe kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël. Kjo “shkëputje” me njerëzit nuk është e qëllimshme. E sidomos, kjo “shkëputje” nuk vjen enkas nga nusja e djalit tuaj. Mundet të jetë pikërisht djali juaj neglizhenti, për shkak të mbingarkesës jetësore.
3. LOOK-u
Vjehrra, e cila është mësuar të kujdeset deri në detajet më të imta të pamjes së të birit, tani zëvendësohet nga nusja. “E dëgjova krejt rastësisht t’i thoshte tim shoqi: kjo këmishë me vija nuk të shkon aspak. Dikur visheshe me bukur…”, thotë Eleonora, 35 vjeç, prej 6 muajsh e fejuar. Rëndom pas martesës, bashkëshortja është rregullatorja kryesore e imazhit të të shoqit. Nuk është e pazakonshme që ajo të fillojë t’i përpunojë pamjen e jashtme atij, duke i sugjeruar jo vetëm veshje të reja, por dhe një stil të ri të veshjes. Ky ndryshim mund të bjerë ndesh me atë që nëna ka krijuar në vite, ose së paku është mësuar të shohë. Prandaj ndodh që ajo të reagojë. Është një lloj “konkurrence” që vendoset midis vjehrrës dhe nuses së djalit. Manifestimi i ndjenjave dhe reagimi i nënës është i qartë dhe demotivues në sytë e nuses. Një rast i ngjashëm Nusja preferon të mbajë çizme edhe në sezonin e verës, se kështu është moda e viteve të fundit. “U ndjeva ngushtë kur ime vjehrrë një ditë, teksa shkoja në punë, më tha: “Sa të çuditshëm jeni ju të rinjtë e sotëm!!! Mendo për higjienën tënde. Në këto ditë të nxehta, si i duron ato çizme të gjata?”, rrëfen Adela. Sa e vështirë është të mirëkuptojmë preferencat dhe botëkuptimet e brezave të ndryshëm… Përshtatja është çelësi i suksesit të marrëdhënies midis dy zonjave, e jo vetëm në këtë marrëdhënie. Një kontradiktë e tillë ekziston edhe midis prindërve e fëmijëve, pse jo edhe midis miqsh në varësi të shijeve.
Për nusen: Një zgjidhje pozitive e situatës është shpjegimi i preferencave dhe i emancipimit të shoqërisë. Përpiquni që ta ftoni vjehrrën tuaj një ditë teksa bëni shopping. Merrini mendim, jepini asaj hapësirën dhe kënaqësinë se e respektoni dhe e vlerësoni. Më pas, nëse diçka nuk ju pëlqen, mos nguroni të thoni se nuk jeni e të njëjtit mendim. Të kundërshtoni preferencat në shije nuk do të thotë ta zhvlerësoni vjehrrën tuaj.
Për vjehrrën: Një vjehrrë e kuptueshme dhe mendjehapur nuk gjykon nga mënyra se si ne vishemi. E sidomos nuk ndërhyn në shijet apo në stilin e ri të veshjes së të birit, edhe në qoftë se ky e ka ndryshuar stilin në varësi të këshillave të nuses. Sugjeroni apo jepni mendime atëherë kur ua kërkojnë këtë gjë.
4.INTERESA TË NDRYSHME
Nusja është një person aktiv që ka një profesion, ndërsa vjehrra është një grua pasive që sheh telenovela dhe pi kafe me shoqet e moshës së saj. “Kisha shkuar për një vizitë kortezie tek ime vjehrrë dhe ajo filloi të më tregonte për personazhet e telenovelës së saj të preferuar. Por e shprehu haptas inatin me mua, kur vuri re se nuk po e ndiqja në bisedë dhe se nuk i njihja ato personazhe”. Elida, 40 vjeç, nuk e kish pasur aq të lehtë të bënte një shkëputje totale nga shifrat e bilancit me të cilin ishte marrë atë ditë në zyrën e kontabilitetit që drejton… Në fakt, mes saj dhe vjehrrës nuk ka ndonjë temë të përbashkët bisede. Kjo situatë na qartëson momentet tipike të përplasjes së interesave midis brezave. Një situatë e tillë nuk ndodh vetëm në marrëdhëniet nuse-vjehrrë, por rëndom në realitetin tonë, qoftë edhe midis vajzës e nënës. E megjithatë, një inat i shprehur haptas për mosinteresimin e filmave që vjehrra sheh, është i panevojshëm.
Për vjehrrat: Një nuse e re sapo ka nisur jetën dhe ritmi i saj ditor ka ndryshuar. Angazhimet, detyrimet dhe përgjegjësitë janë shumëfishuar. Krijimi i një familje të re, ardhja në jetë e fëmijës, puna me ngarkesat e saj dhe stresi psikologjik për përgjegjësinë profesionale na pengojnë jo qëllimisht të jemi të vëmendshëm ndaj disa gjërave të parëndësishme. Për nusen, fabula e një telenovele është krejtësisht humbje kohe, atëherë kur në kokën e saj vërtiten bilancet që duhet të mbyllë ditën e nesërme në punë. Më e këshillueshme është të kuptohet që nusja është pjesë e një rrethi shpesh të tensionuar dhe të ngarkuar, që duhet mbështetur e duhet lënë të rigjenerohet për të nesërmen. Shpërfillja e saj ndaj një bisede pa interes që bën vjehrra mund të shpjegohet me mbingarkesat dhe angazhimet, të cilat ndikojnë jetët tona dhe nuk është aspak kundër shijeve të vjehrrës, apo bisedave të saj.
Për nuset: Është vërtetuar se sa më shumë kalojnë vitet, aq më të ndjeshëm bëhen prindërit. Kur nuk i japim rendësi asaj që ata bëjnë e thonë, dukemi të ftohtë dhe indiferentë. Këshilla e dobishme për një nuse të re është të bëjë përpjekje për të qenë e vëmendshme dhe e kujdesshme. Nëse ndodheni në një bisedë që nuk ju përket apo nuk paraqet interes për ju, përpiquni të mos dukeni e shpërqendruar. Nëse kjo ndodh, shpjegojeni gjendjen tuaj duke shmangur keqkuptimet.
SHFRYTËZIMI
“Ndihem e shfrytëzuar, – shprehet Zana, 63 vjeç. – Nusja më telefonon vetëm atëherë kur ka nevojë për një baby-sitter, për t’u kujdesur për mbesën time, kur ajo dëshiron të dalë vonë me tim bir ose me miqtë”… Jeta në çift ose në shoqëri duhet vazhduar, pavarësisht se të rinjtë janë bërë prindër. Jo vetëm është e lejueshme, por edhe këshillueshme që prindërit e rinj të kalojnë një natë në javë jashtë shtëpisë, duke ia lënë fëmijën një njeriu të besuar. E ky njeri i besuar s’ka pse të mos jetë vjehrra.
Për nuset: Kini gjithnjë parasysh se nuk mund t’i drejtoheni askujt (qoftë edhe jo vjehrrës suaj) vetëm në rastet kur keni nevojë. Për të kërkuar një favor, duhet të keni dhënë diçka. Ose se paku duhet ta jepni më pas. Ky favor, për vjehrrën që ju mban fëmijën kur doni të dilni, mund të jetë thjesht një telefonatë, një vizitë, apo një ftesë për kafe. Mos e shpërfillni tërësisht…
Për vjehrrat: Përpiquni ta shikoni pozitivisht situatën: nusja ju telefonon se ka besim tek ju. Dhe pastaj, ndërsa nusja ju kërkon ndihmë, do të thotë se jeni e dobishme. Përfytyroni sikur nusja të zgjidhte një grua me pagesë për t’ia besuar fëmijën mbrëmjeve kur do të shkojë në kinema. Atëherë ndoshta do të ankoheshit: pse nusja nuk ka sjellë vajzën, pse nuk ka besim tek unë…
RËNDËSIA E PËRVOJËS
Vjehrra nuk e duron dot faktin që nusja nuk e pyet për t’i marrë këshilla të ndryshme mbi kuzhinën apo mënyrën se si duhet të kujdeset për fëmijën… (e shpërfill përvojën e saj) “’Epo këto nuset e sotme… preferojmë më shumë t’u referohen librave, sesa të pyesin dikë që ia njeh hilet zanatit’, i thoshte ime vjehrrë mikeshës së saj në telefon”, tregon Amela. Menjëherë sa vihen në bashkëveprim nusja me vjehrrën në rolin e tyre si grua, si nënë dhe si bashkëshorte, evidentohen shenja të keqkuptimeve. Çdo grua dëshiron të meritojë vendin dhe respektin e duhur në familje, të jenë “zonja shtëpie”. Gruaja e moshuar, me ardhjen e nuses së re, ndjen se nuk gëzon të njëjtat të drejta si më parë. Nusja e re, nga ana tjetër, dëshiron të japë maksimumin në familjen e sapokrijuar sipas botëkuptimit të vet. Në të tilla raste kërkohet mirëkuptim dhe tolerancë.
Për nuset: Ka gjithmonë sekrete që i fiton vetëm me përvojë. Vjehrra mund të japë një kontribut të vlefshëm, mund t’ju japë një informacion që libri ose s’e ka, ose ju nuk e keni vënë re. Pyeteni atë ndonjëherë, sepse jo vetëm do ta bëni të ndihet e dobishme, por mund të përfitoni diçka.
Për vjehrrat: Përvoja është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Por përvoja gjithnjë duhet pasuruar. Dhe përvoja individuale nuk është asnjëherë aq e pasur sa përvoja kolektive, që më së shumti na ofrohet nga librat. Aq më tepër që jeta na përball gjithnjë me risi, të cilat më të lehtë e kanë t’i njohin dhe përvetësojnë të rinjtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.