Posta

February 2, 2016 | 8:28

Nxënësi harron dhe ka fjalor të varfër në komunikim

Denata ToceNga:Denata Toçe

Psikologe Këshillimi

 

 

 

 

Jam mësuese në ciklin parashkollor dhe një prej fëmijëve të grupit ka një problem të cilit unë nuk po i jap dot zgjidhje. Fëmija është 5 vjeç dhe ka disa momente bosh ose më mirë harrese, nëse unë nuk i kërkoj të më shkruajë një numër apo shkronjë. Në momentin kur i jap të kopjojë diçka ose kopjon nga shoku, i kopjon mirë. Fëmija është i imët, por ha shumë mirë. Kam komunikuar dhe me prindërit për këtë problem dhe ata janë të shqetësuar. I kemi përshtatur ushqimin që ndihmon kujtesën por dhe kjo nuk jep rezultat. Është aktiv, i shoqërueshëm, por ka fjalor të varfër në komunikim.

Përgjigjie:Ju jam shumë mirënjohëse për ndjeshmërinë tuaj mbi probleme që shfaqin fëmijët përgjatë procesit të edukimit dhe që keni adresuar një problem kaq të rëndësishëm sikurse është edhe ky i fëmijës që më keni shkruar. Problemi në fjalë, duke iu referuar përshkrimit tuaj, mbulon fushën e problemit të të nxënit të fëmijës, probleme këto të cilat mbulohen nga procese njohëse të njeriut, konjicioni i tij. Vështirësi të memories afatgjatë duket se janë për t’u marrë në konsideratë. Gjithashtu vështirësia për t’u përqendruar duhet të shikohet nëse konstatohet apo jo pasi, ka të bëjë në këtë rast, me vështirësinë për të kuptuar. Fëmija, nëse ka vështirësi të ndërtojë fjali, apo nuk ka shumë fjalorth, a korrespondon kjo me aftësitë e përgjithshme të komunikimit? kjo është një pyetje e cila është e rëndësishme të bëhet. Nëse fëmija ka vështirësi për të thënë shumë fjalë apo në formimin e fjalisë, por i “paduruar” për të komunikuar verbalisht, atëherë është e rëndësishme të kuptojmë se fëmija mund të ketë një vonesë në zhvillimin e tij. Kjo pyetje e shumë të tjera, do të duhet të marrin një përgjigje më objektive, realiste, duke iu drejtuar një specialisti për ta parë nga afër fëmijën, duke zhvilluar testet e nevojshme të vlerësimit dhe për të kuptuar se cilat fusha janë të prekura nga vështirësitë që fëmija has dhe cilat mund të jenë mënyrat më efikase të trajtimit. Ju mund t’i drejtoheni redaksisë së revistës “Psikologjia” për të marrë informacion rreth mundësimit të vlerësimit profesional të fëmijës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top