Siaps një studimi, mbipesha është një shkak në rritje i kancerit në Britaninë e Madhe, ndërsa rastet e shkaktuara nga duhanpirja janë në ulje.
Qendra e kërkimeve për kancerin në Britaninë e Madhe zbuloi se më shumë se 1/3 e rasteve ose 135 mijë të tilla, mund te ishin evituar. Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se mbipesha shkaktonte 6.3% të të gjitha llojeve të kancerit, ndërsa në 2011 ishin 5.5%. Qendra e kërkimeve tha se nevojitej veprim urgjent për të luftuar kërcënimin që vjen nga obeziteti.
Vendi me numrin më të lartë të rasteve të parandalueshme, sipas studiueseve është Skocia, e ndjekur nga Irlanda e Veriut dhe Anglia. Në Mbretërinë e Bashkuar duhanpirja vazhdon të mbetet shkaku kryesor për sëmundjen e kancerit, edhe pse shënohet një ulje, nga 19.4% në 2011 në 15.1%. Në vend të dytë renditet mbipesha ose obeziteti, ndërsa shkaku i tretë ekspozimi ndaj rrezatimeve ultraviolet.
Mënyra standarde për të zbuluar nëse dikush është mbipeshë është duke llogaritur indeksin e masës trupore. Një indeks më i lartë se 25 nënkupton mbipeshë, ndërsa personat me BMI mbi 30 klasifikohen si obezë.
Burimi / http://top-channel.tv
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.