Depresioni është sot për sot shkaku kryesor i sëmundjeve dhe të aftësisë së kufizuar në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në raportin e saj OBSH nënvizon se ka një rritje drastike të njerëzve, të cilët vuajnë nga depresioni. Kjo gjendje është shndërruar në problemin më të madh botëror, duke tejkaluar sëmundjet e frymëmarrjes.
Më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën janë të diagnostikuar me depresion, një rritje prej më tepër se 18 për qind në mes të 2006 dhe 2015.
Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH, Dr. Margaret Chan, shprehet se: “Këto shifra të reja janë një thirrje për zgjim për të gjitha vendet që të rimendojnë qasjet e tyre për shëndetin mendor dhe t’i trajtojnë me urgjencë”.
Sipas studiuesve, madje edhe në vendet me të ardhura të larta, gati 50 për qind e njerëzve me depresion nuk marrin trajtim dhe ilaçet janë shpesh joefektive.
Hapi i parë drejt trajtimit të depresionit është qëndrimi afër personave tek të cilët kemi besim dhe diskutimet e shpeshta me ta.
Vetëm 3% e buxheteve të shëndetësisë nëpër botë i dedikohet shëndetit mendor. Sipas një kalkulimi të OBSH për çdo dollar të investuar në luftimin e depresionit dhe sëmundjeve të tjera mendore, rikthimi i benefiteve në shoqëri është 4 dollarë.
Deri më tani sipas OBSH-së ekonomia globale humbet plot 1 miliardë dollarë në vit për shkak të përhapjes së depresionit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.