Falë përdorimit të telefonave dhe shumë pajisjeve të tjera teknologjike, qeniet njerëzore mund të bëjnë kaq shumë në ditët e sotme, pa lëvizur fare. Të gjithë e dimë se diçka e tillë ka ndikim shumë negativ në shëndetin tonë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë është e shqetësuar për zakonet e qëndrimit ulur të fëmijëve të sotëm dhe këtë javë ka nxjerrë udhëzime të reja që sugjerojnë se fëmijët nën moshën 2 vjeç nuk duhet të kalojnë fare kohë në ekran dhe 2-vjeçarët duhet të lejohen vetëm një orë ose më pak në ditë.
Prindërit duhet t’i shohin këto udhëzime si pjesë e një tabloje më të madhe të shëndetit të fëmijëve dhe mos u shqetësoni shumë nëse fëmija juaj ka parë disa episode të Peppa Pig.
Ndërsa raporti i OBSH-së nxori një “zhurmë” titujsh të fokusuar në eliminimin e të gjithë kohës së ekranit për foshnjat, sugjerimet për kohën e ekranit janë vetëm një pjesë e raportit prej 17 faqesh të quajtur “Udhëzime mbi aktivitetin fizik, sjelljen e ulur dhe gjumin për fëmijët nën 5 vjeç”.
Megjithëse këshillojnë kufizim të kohës së kaluar përpara ekranit, qëllimi i vërtetë i tyre është të nxisin aktivitetin fizik tek fëmijët.
“Ajo që ne duhet të bëjmë është të sjellim përsëri fëmijët në lojë”, thotë Dr. Juana Willumsen, një eksperte për obezitetin e fëmijëve dhe aktivitetin fizik në OBSH. “Kjo ka të bëjë me ndryshimin e kohës së qëndrimit ulur, por gjithmonë duke mbrojtur gjumin”.
Pra, para se prindërit të fillojnë të ndjehen keq, sepse e kanë mësuar fëmijën e tyre të qëndrojnë para televizorit është shumë e rëndësishme që të keni kontekstin e plotë. Po, duhet të kufizojmë kohën e ekranit, por gjithashtu duhet të kufizojmë të gjitha llojet e qëndrimit ulur dhe të nxisim lojërat sportive dhe çdo aktivitet që i mban të angazhuar fizikisht.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.