Organizata Botërore e Shëndetit ka pranuar se ka prova të reja që koronavirusi përhapet më gjerësisht nga ajri se sa ishte sugjeruar më parë. Një ditë pasi një grup shkencëtarësh thanë se OBSH po nënvlerësonte rrezikun e transmetimit të virusit vdekjeprurës nga ajri, një zyrtar i lartë i organizatës tha se “ekzistojnë prova të shpërndarjes së COVID-19 nga ajri, por që kjo nuk është përfundimtare”.
Maria Van Kerkhove, nga grupi teknik i Organizatës tha se “Ne e kemi pranuar këtë si mundësi, si një nga mënyrat e transmetimit të COVID-19”.
Më 6 korrik 239 ekspertë të shëndetësisë nga 32 vende të botës nënshkruan një letër të hapur drejtuar OBSH-së ku i kërkohej asaj të rishikonte rekomandimet për infeksionin e Covid-19, përfshirë edhe transmetimin e virusit nga ajri. Sipas ekspertëve, ka prova bindëse që provojnë se koronavirusi transmetohet edhe përmes ajrit, duke e bërë edhe më të vështirë frenimin e përhapjes së tij. Kjo do të nënkuptonte një rishikim të sistemeve të ventilimit në shkolla, shtëpi, strehat e të moshuarve, zyra, bare dhe restorante, për të minimizuar riciklimin e ajrit.
Sipas ekspertëve, rezultatet e studimit na tregojnë se maskat duhen mbajtur edhe aty ku distancimi fizik është i mundur të respektohet dhe se lloji i rekomanduar i maskave janë ato të tipit N95, të cilat filtrojnë edhe grimcat më të vogla të virusit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.