Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka kërkuar që të ndërmerren masa për 12 lloje të baktereve, të cilët rezistojnë ndaj antibiotikëve aktualë dhe seriozisht dëmtojnë shëndetin e njeriut. OBSH-ja me një metodë të re ka bërë grupimin e baktereve dhe ka caktuar shkallën e rrezikut që paraqesin.Vlerësimi i rrezikut është ndarë në tre kategori sipas nevojës së urgejncës. Në këto kategori janë caktuar kriteret me përparësi kritike, të lartë si dhe me përparësi të mesme. Në kategorinë me përparësi kritike janë vendosur bakteret që rezistojnë më shumë se një antibiotik dhe që paraqesin rrezik të madh sidomos për spitalet dhe shtëpitë e kujdesit. Madje, thuhet se këto baktere mund të shkaktojnë infeksione vdekjeprurëse.
OBSH bën thirrje qeverive dhe kompanive farmaceutike të përcaktojnë përparësitë në zhvillimin e barnave të reja kundër tyre.
Në krye të listës ishin bakteret e klasifikuara si “Gram negative”, të cilat kanë treguar tashmë rezistencën ndaj barnave të shumta. Këto përfshijnë ‘cinetobacter baumannii’ dhe ‘pseudomonas aeruginosa’, të cilat janë të lidhura kryesisht me infeksionet spitalore.
Enterobacteriaceae, të cilat përfshijnë bakteret si E.coli dhe Klebsiella, u renditën të tretat dhe gjithashtu përbëjnë një kërcënim më të madh në mjediset e kujdesit shëndetësor.
“Këto baktere janë përgjegjëse për normat e vdekshmërisë të lartë. Terapitë efektive janë të domosdoshme. Organizata, me klasifikimin e këtyre 12 baktereve sipas këtyre kritereve planifikon t’u japë udhëzime prodhuesve të barnave” tha Dr, Marie-Paule Kini.
Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Marie-Paule Kieny, në deklaratën e saj me shkrim në lidhje me temën, ka thënë se rezistenca ndaj antibiotikëve është në rritje.
“Nëse këtë sektor e lëmë plotësisht në duart e aktorëve të tregut, antibiotikët për të cilët kemi nevojë urgjente nuk do të mund të zhvillohen në kohë”, tha Kieny.
Në deklaratë theksohet se specialistët e sektorit të shëndetësisë të shteteve të G-20, do të mblidhen këtë javë në Berlin dhe se lista ka për qëllim inkurajimin e qeverive për zhvillimin e antibiotikëve të rinj dhe investimin e tyre në këtë sektor.
Rezistenca ndaj antibiotikëve shkakton 700.000 vdekje çdo vit. Nëse nuk ndërmerren veprime, numri i të vdekurve pritet të arrijë në 10 milionë njerëz në vit deri në vitin 2050.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.