Ekspertët e Kombeve të Bashkuara theksojnë nevojën urgjente që Britania e Madhe të gjejë fëmijët që mungojnë dhe t’u ofrojë atyre kushte pritjeje në përmbushje të të drejtave të njeriut. Po ashtu, nënvizojnë domosdoshmërinë për mbrojtjen e të miturve që kërkojnë azil, pa diskriminim në bazë të kombësisë, statusit të emigracionit, racës, etnisë apo gjinisë.
“Qeveria britanike duket se nuk po përmbush detyrimet e saj bazë sipas legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, për të siguruar trajtimin më të mirë të fëmijëve, pa diskriminim dhe për të parandaluar trafikimin e tyre.”
4 mijë e 600 fëmijë të pashoqëruar janë vendosur në gjashtë hotele që nga qershori i vitit 2021, pra rreth dy vjet më parë. Nga këta fëmijë, 440 janë zhdukur dhe për 220 prej tyre vazhdohet të mos dihet gjë, sipas të dhënave të përpiluara deri më 23 janar të këtij viti. Shumica e këtyre fëmijëve janë shtetas shqiptarë. Ndër të tjera, ekspertët e OKB-së konstatojnë:
“Praktika është zhvilluar në një klimë armiqësie në rritje ndaj viktimave të trafikimit dhe formave bashkëkohore të skllavërisë, ndaj refugjatëve, azilkërkuesve e emigrantëve.”
Ka patur njoftime se disa anëtarë të Parlamentit britanik kanë qenë kritikë ndaj kërkesave të viktimave të trafikimit për të marrë mbrojtje bazuar tek ligji britanik për Skllavërinë Moderne, si dhe tek Mekanizmi Kombëtar i Referimit, duke dëmtuar kështu përmbushjen e detyrimeve të shtetit britanik për të mbrojtur viktimat e për të parandaluar trafikimin dhe format bashkëkohore të skllavërisë.
Ekspertët e OKB-së thanë se kanë qëndruar në kontakt me qeverinë britanike për këto shqetësime. Raportuesit e posaçëm dhe ekspertët e tjerë të pavarur emërohen nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Ata monitorojnë e raportojnë për situata specifike në vende të caktuara apo për çështje tematike. Ndërkaq, nuk janë staf i OKB-së e nuk paguhen për punën e tyre.
Burimi / TopAlbaniaRadio
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.