Arti ka qenë padyshim shpëtimi i tij më i madh në dyluftim me jetën, ndërsa koha, mjekimi universal dhe çudibërës në shërimin e plagëve. Artisti Oltsen Gripshi e sheh në dimensione të ndryshme konceptin universal mbi kohën, ndërsa me të ka gëzuar, duke i besuar dhe gjurmën e tij fizike, por megjithatë, koha tek ai do të mbetet gojëthëna e ekzistencës së artit të tij.
Çfarë është koha në vlerësimin Tuaj?
Koha si një vijueshmëri e pandërprerë lineare, si pasqyra amshore e qenies njerëzore, si velloja e tejdukshme që mbulon shpirtin, mes perceptimit absolut të reales dhe perceptimit iluziv metafizik, por koha dhe si ekzistenca pa forma, vëllime, përmasa, ngjyra, dritëhije, si imazhi i qenësisë së përjetshme nga ku njeriu është i lidhur ngushtësisht në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Në këtë kontekst, koha për mua është një koncept universal sa racional aq dhe iracional, sa objektiv aq dhe subjektiv, fundja KOHA, si gjurmët kameleonike në kapërcyell midis dy mendësive perceptuese, asaj pagane pellazgjike dhe asaj të krishterë kozmogonike. Koha, hapësirë e pakufishme ku çdokush identifikon veten, lë gjurmët e tij dhe me vetë hapësirën krijon një marrëdhënie “sensorium Dei”, nga ku qenia njerëzore në këndvështrimin tim arrin të jetë demiurgu i ekzistencës së vetvetes.
Kjo si pasojë e një ndërveprimin alkimik mes të gjithë atyre elementeve ç’ka përmenda më sipër ku VIJUESHMËRIA LINEARE+AMSHIMI NJERËZOR+SHPIRTI+REALJA ABSOLUTE+ILUZIONI METAFIZIK+EKZISTENCA PAFORMA+PA VËLLIM+PA PËRMASA+PANGJYRA+PA DRITËHIJE+E SHKUARA+E TASHMJA+E ARDHMJA=KOHË. Pra KOHA si përmasë e revolucionit Kopernikan dhe si fuqi gravitacionale Ainshtajniane.
Cili ka qenë rrugëtimi Juaj jetësor që e ka plotësuar kohën në të gjitha sekondat e saj?
Në jetën e përditshme dhe reale, pra, jo më në vështrimin filozofik… me kohën kam pasur gjithmonë një marrëdhënie reale. Ndaj, koha në të tria aspektet e sipërpërmendura jam munduar ta përpjesëtoj në mënyrë të baraspeshuar, duke i dhënë secilës tonalitetet e nevojshme, ashtu si tingujt e notave të luajtura njëkohësisht mbi tastierën e një klaviçembali barok. Unë me kohën kam ecur, me kohën kam luajtur, me kohën jam trishtuar, me kohën kam gëzuar, dhe kohës po i besoj gjurmën e së tashmes time fizike dhe përsëri koha do të jetë gojëthëna e ekzistencës së artit tim.
Prandaj theksoj se, anatomia e rrugëtimit tim jetësor është formësuar me kohën si koncept, perceptim dhe ndjesi. Një anatomi, e cila brenda mureve të qenies time fiziologjike ngjiz dy përmasa, atë si individ dhe atë si individ artist. Sekondi vërtetë është një njësi matëse e kohës, por jo i kohës së kohës time, sepse koha nuk është konvencion i krijimeve të mia, por pjesë përbërëse e tyre, duke më frymëzuar në gjithçka marrë frymë.
Ka pasur raste kur Ju është dashur ta shtynit kohën për të kaluar një vështirësi dhe si e keni organizuar atë?
Jo, sepse koha nuk ka varësi nga ngjarjet apo ndodhitë e bashkëkohësisë tonë dhe si e atillë ajo vetëm ecën pa u ndalur përballë gjithçkaje dhe gjithkujt. Padyshim që marrëdhënia ime me kohën ka kaluar dhe vazhdon ende të filtrohet përmes një procesi jo vetëm ndjesor, por edhe përmes shtresëzimit të vetëdijes time: ekziston një evoluim i vazhdueshëm dhe një lëvizje e pashpjegueshme brenda qenies time ku koncepte të ndryshme abstrakte, të përftuar nga realiteti përkthehen në ekuivalenca të barabarta mes të kaluarës dhe të ardhmes, sepse e tashmja është vetë koha.
Marrëdhënie kjo, e cila arrin të deshifrojë kode të ndryshme përjetimesh brenda vegimeve të një ëndrre, duke braktisur përmasat reale të realitetit nëpërmjet kohës lineare të cilën e përmenda pak më sipër. Ëndrra si gracka ku unë mund të kap kohën, e cila gjatë vetë përjetimit të saj tjetërsohet në një ekuacion valësh elektromagnetike, nga ku koha me të gjithë shpejtësinë e saj të dritës mbetet peng e relativitetit tërheqës të psikikës time.
Arti është një dimension që kërkon shumë kohë në dispozicion. Si e keni shfrytëzuar Ju atë?
Arti si dimension dhe dimensioni si kohështrirje në aktin krijues të një vepre arti, dy përplasje mendimesh të cilat kanë të ngjarë me paradoksin e binjakëve (Zwillingsparadoxon), që në fakt janë pjesë përbërëse e të njëjtës kohë. Në këtë kontekst “shfrytëzimi” mes meje dhe artit apo artit dhe meje është i ndërsjellë.
Piktura mbi kanavacë, dikur për mua ishte hapësira e vetme ku mund të shprehesha (kohë e kaluar), përdorimi i teknikave bashkëkohore si: video-art, instalacioni dhe performanca trupore më shërbejnë për të zbuluar territore të reja ku mund të mbjell farën e reflektimeve të mia, falë kjo pikërisht grackës që unë i ngre kohës për ta kapur atë në ëndërr (kohë e tashme), por me paradoksin e binjakëve të filozofisë së H. Dingle vendos në veprim imagjinatën për të krijuar imazhe me përmbajtje konceptuale, të cilat i paraprijnë të nesërmes së pakryer (koha e ardhme).
Jo më kot dimensionin KOHË e ndava në tri shtrirje hapësinore, sepse të tria përfaqësojnë një kohë të caktuar në artin tim. Kur shprehem “shfrytëzim” i ndërsjellë, ky proces mendor ka të bëjë me një alkimi ndjenjash, sepse piktura ka lindur me mua dhe unë kam lindur me të, kësisoj, përpos ëndrrës, në këndvështrimin tim edhe nëpërmjet pikturës kam arritur të ndal dhe të përjetësoj kohën.
Koha zbut mëritë, trishtimin, zhgënjimet, por i jep mundësi edhe të mirave të vijnë. Si ka rezultuar për Ju?
Arti ka qenë shpëtimi më i madh për mua në dyluftim me jetën. Jo të gjithë njerëzit kanë mundësi të zbrazen në rrëfime, sikurse unë kam bërë me artin tim […]. Të krijoj veprat e mia do të thotë të mishëroj pjesëza të ndryshme nga trupi dhe shpirti im, të cilat mbeten in aeternum të shpërndara në kohë dhe hapësirë si copëza vullkanike pas një reaksioni kimik në thellësi të nënshtresave të ndërgjegjes time. Një reaksioni si pasojë e ngacmimeve të shumta që syri im arrin të përthithë nga realiteti dhe më pas të gjitha këto i përkthen në imazhe konceptuale-poetike.
Padyshim koha është mjekimi universal dhe çudibërës në shërimin e plagëve të ndryshme, por që për mua kanë rezultuar frymëzuese edhe ato çaste trishtimi, mërie apo zhgënjimi, duke i dhënë zë, formë dhe vëllim ndjesive të mia në raport me kohën kur ato kanë ndodhur. Ndaj mendoj që arti për mua ka qenë fatsjellës, duke më emocionuar hap pas hapi gjatë rrugëtimit tim artistik dhe njëkohësisht më bënë të ëndërroj, duke humbur dhe flakur tutje dimensionin KOHË. Fundja ç’kuptim ka të rend pas kohës kur me kohën vallëzoj dhe me të krijoj artin tim?! Sepse “Koha është iluzion” thotë A. Einstein.
Pengje nga koha e ikur dhe pritshmëri nga ajo që do të vijë?
Nisur nga paranteza se e konsideroj veten me shumë fat, mendoj se pozitiviteti dhe gjërat e arritura deri më tani peshojnë më shumë mbi peshoren e kohës në jetën time. Një peshore, e cila thuajse nuk njeh peshën e humbjeve, maktheve, trishtimeve dhe zhgënjimeve. Arti si dhuratë e mbinatyrshme brenda meje ka qëndruar gjithmonë mbi krye si një aureolë vezulluese, duke ndriçuar çdo hap timin të hedhur drejt realizimit të gjithçka dëshiruar.
“Pengjet” nuk njihet si fjalë në brendësi të fjalorit tim, piktura dhe librat kanë qenë gjithmonë Bibla e kohës time. Ndaj me to kam fluturuar në shekuj dhe periudha të ndryshme, duke u zhytur në thellësi të primitivizmit paleolitik, shijuar përsosmërinë e artit grek, shkelur mbi kalldrëmet e amfiteatrove romakë, lartësuar shpirtin me këngët e eunukut Jan Kukuzeli në Mesjetë, mahnitur nga shkenca e Rilindjes dhe dramaticiteti i Barokut italian dhe mbi të gjitha, duke ecur me magjinë e labirinteve të teknologjisë bashkëkohore.
Të gjitha këto e bëjnë artin tim pjesë të një kohe pakohë ku e vërteta e kohës përpunohet përmes një procesi ndjesor dhe jo fizik-real, sepse vetë koha është e pamundur të shihet dhe perceptohet me sy të lirë. Një vijueshmëri e leximit të krijimtarisë time artistike, e cila shpërbëhet nga konvencionet e identifikimit me një kohë të vetme, por që arrin të parashikojë pritshmëri antropomorfe.
Antropomorfe si hijet e peshores së kohës në jetën time, nga ku kombinimi i një trekëndëshi PIKTURË+LIBRA+FILOZOFI=DIJE dhe në vetvete DIJA=AFTËSI për të mposhtur zbrazëtirën e KOHËS dhe mbushur atë me shumëllojshmërinë e ngjyrave të ekzistencës time.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.