Në fokus

September 20, 2017 | 12:18

Opinion / “Fëmijë të kriminalizuar”, prodhim i shkollave dhe prindërve shpërfillës

Nga Vullnet Krasniqi

Pse vrasja e 16 vjeçarit nga një i dyshuar 16 vjeçar për arsye që sipas të gjitha gjasave është po ashtu një i mitur, është një tregues se familja kosovare nuk ekziston. Ose në fakt, familja që ne e mendojmë dhe e propagandojmë nuk ekziston.

“Fëmijë të kriminalizuar” – prodhim i shkollave dhe prindërve shpërfillës

Një 16 vjeçar është vrarë me 4 plumba. Atë dyshohet se e ka vrarë një moshatar i tij, i mitur. Arsyeja e vrasjes dyshohet të jetë raporti i viktimës dhe vrasësit me një 15 vjeçare. Një skenë e krimit që më së paku bie si përgjegjësi këtyre të treve. Përgjegjësia bie tek familjet e të tre personave.

Prindërit e viktimës që nuk kanë arritur ta hetojnë se djali i tyre është futur në një sherr që mund ta vrasë atë, prindërit e vrasësit që kanë dështuar të edukojnë një fëmijë që së paku vrasës të mos bëhet, dhe prindërit e një të miture që e kanë lejuar të bëhet “shkak” për një vrasje.

Të gjitha komentet në rrjete sociale, sidomos nga bashkëmoshatarët e viktimës e tregojnë më së miri faktin se në çfarë derexhe ka rënë familja kosovare, e cila ende vazhdon të propagandohet si një nga institucionet themelore dhe të shenjta në shoqëri.

Të mitur që e quajnë bashkëmoshataren e tyre “kurvë”, që zotohen për “hakmarrje” në stilin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, e deri tek ata që “arsyetojnë” vrasjen, duke u thirrur në një zakon të prapambetur.Kush i ka mësuar këta fëmijë të kenë kësi pikëpamjesh për jetën?

Të gjitha këto janë produkt i paaftësisë së prindërve të tyre apo familjes që është ndërtuar në zakone të prapambetura. Nuk e di saktësisht ku është ngjizur krijimi i këtij koncepti të “familjes shqiptare”, por duket se daton, së paku një shekull më parë.

Por mos të merremi specifikisht me prindërit, fëmijët e të cilëve u përfshinë në një ngjarje tragjike të dielën që lamë pas. Sepse këta prindër janë shumica e prindërve në Kosovë, veçse kjo shumicë e ka fatin të mos i vuajë pasojat e mos angazhimit të tyre për të krijuar një familje të shëndoshë.

Në tentim për të gjetur veten dhe të gjendur para një evoluimi të cilin nuk mund ta ndalim që të ndikojë tek ne, shoqëria kosovare është zhytur mes dy realiteteve të ndryshme që fare lehtë mund të jenë vetëm perceptime apo rrena të mëdha: se jemi modernizuar, por kemi ruajtur traditën.

Pikërisht te mungesa e ballafaqimit me traditën e prapambetur, është edhe problemi i familjes.

Të gjithë jemi rritur duke besuar në një koncept, të cilin pa asnjë nevojë e kemi kultivuar e mbrojtur deri në marrëzi: familja si diçka e shenjtë.

Prandaj edhe janë tepër të natyrshme epitetet sikurse “nëna është e shenjtë” e në të njëjtën kohë kemi refuzuar që të ballafaqohemi me fatin e nënave tona, i cili ngjason me fatin e skllevërve. Neve na është mësuar se nëna është e shenjtë, por nuk na është mësuar që të ballafaqohemi me faktin se shumica e nënave tona janë martuar me baballarët tanë pa u pyetur.

Nuk na është mësuar të kuptojmë dhe ta dënojmë faktin se në familjet tona nëna është një grua që gatuan dhe që e shton familjen.

Njësoj, nuk na është mësuar ta kuptojmë të vërtetën e baballarëve tanë të fortë dhe bura të cilët kanë qenë të detyruar të jenë burra dhe asgjë më shumë. E burri në familjen shqiptare, njësoj sikurse gruaja nuk është pyetur për t’u martuar. Ai është i forti, ai që është i obliguar ta mbajë familjen.

Problemi është që edhe pas shumë vitesh jetese së bashku, prindërit tanë nuk e kanë pasur guximin që të përballen me njëri-tjetrin e as t’i diskutojnë gjërat dhe veprimet, të cilat ata thjeshtë kanë qenë të detyruar t’i përmbushin si detyra nga prindërit e tyre.

Kësisoj, hallka e kësaj tradite të prindërve tanë ka vazhduar deri në ditët e sotme, por funksioni ka mbetur i njëjtë: është vetëm një fabrikë e prodhimit të njerëzve, formimi i të cilëve mbetet në fatin e atij realiteti që i rrethon.

Për shembull unë nuk mbaj mend ndonjë bisedë ose ndonjë këshillë që më ka mbetur në mendje nga prindërit e mi që më vonë më ka hyrë në punë.

Pse?

Familja shqiptare apo tashmë kosovare është e ndërtuar mbi një lidhje të rrejshme, por të shenjtë.

Prindërit e mi kanë krijuar një ide mbi mua, se kush duhet të jem, e unë kam qenë krejt dikush tjetër. Ende jam i tillë, njësoj sikurse prindërit e mi, që më shohin ende si dikush tjetër, që ata kanë dëshirë të jem.

Shumica e prindërve kosovarë krijojnë profesione, personalitete, veçori dhe deri te hobitë për fëmijët e tyre. Kjo nuk është se ata e duan më të mirën për fëmijët e tyre, por e duan më të lehtën për ta.

Në këtë mënyrë prindërit nuk lodhen për të kuptuar se çfarë dëshiron dhe kush është fëmija i tyre, sepse kjo kërkon një angazhim të madh për të njohur një qenie të cilën e ke krijuar vet. E këtë, ata jo që nuk kanë guxim ta bëjnë, por nuk dinë. Sepse prindërit e tyre nuk ua kanë mësuar. Kësisoj ata janë bërë prindër pa e kuptuar se çka njëmend është një prind.

Fëmijët në anën tjetër, duke mos pasur prindër që ua mësojnë këtë proces, e shohin më të lehtë që t’ua ofrojnë prindërve atë që ata duan ta shohin tek ta.

Prandaj edhe kanë sens historitë që “vajzat me tjera tesha dalin prej shtëpisë e me të tjera hynë në shkollë”. Kjo nuk është se fëmijëve u pëlqen që të ndërrohen në ndonjë vend tjetër, por nuk kanë krijuar asnjë raport të shëndoshë që së paku,  preferenca e tyre e veshjes të jetë e njohur për prindërit, të cilët e kanë edhe për detyrë ta përcjellin këtë proces. Po e shkruaj një fakt të tillë që është komplet banal, njashtu sikurse koncepti i familjes sonë.

Njësoj sikurse prindërit e vrasësit të Aulonit, që është dashur ta përcjellin e të flasin me djalin e tyre në mënyrë që ai ta kuptojë se vrasja nuk është opsion kur ballafaqohesh me dikë tjetër. Për asnjë arsye.

E njëjtë është edhe historia e shumë djemve, të cilët rriten duke qenë të privilegjuar për shkak të gjinisë e të obliguar për të mbrojtur “nderin e familjes” që madje edhe në këngë “është motra”.

Kësisoj ata bëhen komplet të paaftë për jetë për shkak që nuk edukohen për të qenë të mençur, por të fortë. Dhe kësisoj vrasja bëhet sinonim i fortësisë.

Në këtë sens, “kuptohet” edhe ideja që një i mitur vret një të mitur për nderin që është një vajzë e mitur. Ai është “Gjeneratë e Instagramit” e kjo gjeneratë është e supozuar që të jetë tepër e përparuar. Por e përparuar është vetëm në anën teknologjike, sepse në bazë, është thjeshtë një gjeneratë që vuan pasojat e të jetuarit në një familje që nuk është e tillë. Sepse shumicës së prindërve nuk iu intereson se çka saktësisht po ndodh me fëmijët e tyre.

Kjo nuk iu intereson as mësuesve dhe shkollave, të cilat nuk kanë asnjë psikolog për t’i ofruar një ndihmë fëmijëve, të cilët nuk kanë me kanë të flasin, e lërë më të konsultohen. Shteti duke u bërë komplet i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të tij ka krijuar një sistem edukues që më së paku është edukues.

Kësisoj pas dyerve të mbyllura në familje – (edhe pse Facebook-u është i mbushur me fotografi të prindërve që me krenari i dërgojnë fëmijët në ditën e parë të shkollës ose mburren me notat e mira të tyre që shumica janë të rrejshme nëse përkthehen në dituri) –  fëmija kosovar ballafaqohen me dyer të mbyllura edhe në shkollë, e cila më shumë sesa t’i mësojë, i bënë të paaftë për të kuptuar realitetin. E aty është Interneti, që të mundëson të bëhesh kushdo. Nuk ka rëndësi a je i tillë.

Prindërit modernë i kanë zhytur fëmijët e tyre në realitet virtual në të cilin kanë qasje të gjithë format e krimit dhe edukimit në të njëjtën kohë. Mbi të gjitha është realitet konfuz, që është edhe ideja e internetit dhe rrjeteve sociale: ta hipernormalizojnë të keqen.

Por a kemi shpëtim?

Po. Ne duhet t’i “vrasim” prindërit tanë. Jo fizikisht. Por si koncept. Të fillojmë tua themi të vërtetën për ne. E ata të ballafaqohen me këtë vërtetë dhe t’i lënë dëshirat e thata, për fëmijët e tyre. Thjeshtë të ballafaqohen me fëmijët, para se të krijojnë versionin e tyre për ta.

Kur ne fillojmë të kemi një raport të sinqertë në familjet tona, atëherë mund ta duam njëri-tjetrin. Deri atëherë mund t’i numërojmë “vrasjet”./insajderi.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top