Këshilla & Arsye

February 24, 2017 | 9:12

Optimizmi është aroma e jetës

E shihni gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh? Përgjigjja e kësaj pyetjeje pasqyron sjelljen tuaj kundrejt jetës, kundrejt vetes duke ndikuar ndonjëherë në mënyrë aktive edhe mbi shëndetin. Jeta e të gjithëve ka ulje-ngritje, por të qenit optimistë nuk do të thotë të injoroni vështirësitë apo sfidat e jetës, nënkupton të përballeni në mënyrë të ndryshme me to. Nëse vizioni juaj për botën ka qenë gjithmonë pesimist, mund të mos jetë e lehtë të ndryshoni këndvështrim, por është e mundur t’ia dilni mbanë që të dalloni aspektet pozitive të jetës.

optimizmi

Kultivoni optimizmin

Ndonjëherë, në përditshmëri është i vështirë t’ia dilni të kultivoni optimizmin, veçanërisht nëse përditshmëria juaj është e mbushur me probleme që shumëfishohen ditë pas dite, me horizonte gjithnjë e më pak të kapshme.

Por, po të shohim rreth e qark, kuptojmë që vendi ynë ka shumë korrupsion, keqbërje, krizë ekonomike, papunësi, ndotje e shumë gjëra të tjera; në këtë mënyrë është e lehtë të biesh në pesimizëm. Gjërat nuk përmirësohen duke dëgjuar historitë e njerëzve. Secili ka barrën e vet për të mbajtur. Jetojmë në një kohë të ngarkuar me vuajtje.

E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, ka njerëz që ia dalin të shohin anën pozitive të jetës, përtej vështirësive me të cilat përballen. Natyrisht nuk jemi duke folur për ata që janë pandërgjeshmërisht entuziastë nga lumturia në çdo moment të ditës. Po flasim për ata njerëz që janë të përfshirë nga një optimizëm i shëndetshëm.

 

Çfarë është optimizmi?

Optimizmin mund ta mendojmë si një energji e brendshme, që me t’u aktivuar ngjyros mënyrën se si e shohim jetën dhe na bën të përjetojmë marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Të qenit optimistë, nuk do të thotë që duhet të injoroni problemet, të bëni sikur çdo gjë shkon mirë dhe që planeti është një parajsë e pakrahasueshme. Jo. Të qenit optimistë do të thotë të njiheni me ekzistencën e problemeve dhe të përshtateni për të gjetur një zgjidhje, me bindjen se do ta gjeni atë.

Optimizmi është një sjellje realiste. Optimisti nuk shkurajohet që në pengesat e para të jetës, por gjen një mënyrë t’i kalojë ato, t’u japë një sens, një kuptim, si në situata problematike, ashtu dhe në ato të dështimit. Dhe pikërisht nga dështimet, ai mund të rifillojë nga e para, sepse dështimin ai e konsideron përvojë, pasuri, energji për të rifilluar. Ja sepse sjellja optimiste është garanci suksesi në të gjitha fushat.

 

Optimizmi është aroma e jetës

• Shihni gjithmonë aty ku të tjerët janë më të mirë dhe mundohuni të mësoni.

• Shihni aty ku gaboni, në mënyrë që të mos përsërisni më të njëjtat gabime.

• Mundohuni të silleni mirë.

• Ankohuni për 5 minuta, ama për 55 minutat e tjera mendoni se si të zgjidhni problemin.

 Njerëzit optimistë janë të vetëdijshëm për shqetësimet dhe pengesat e jetës, por edhe të vërtetë e të fokusuar drejt së ardhmes. Optimisti i vërtetë është i vetëdijshëm që jeton në një botë jo perfekte, nuk pret që gjërat herët a vonë të rregullohen vetë. Optimizmi bazohet mbi besimin që ushqejmë brenda vetes, mbi aftësitë tona për të kuptuar aspektet pozitive të ngjarjeve. Për shembull, Thomas Edison për të krijuar llambën e parë bëri më shumë se 10.000 eksperimente para se t’ia dilte mbanë. Dhe kur e pyesnin për eksperimentet e tij të dështuara ai përgjigjej: “Nuk kam dështuar, por kam gjetur 10.000 mënyra që nuk funksiononin”.

Dështimet, në vend që të na mposhtin dhe të na nxjerrin jashtë loje nga përballja me jetën, na afrojnë më shumë me arritjen e qëllimeve. Ndaj, një optimist është ai që krijon një mundësi nga vështirësitë e tij.

Në fund, thelbi i optimizmit nuk është vetëm të shohësh përtej situatave që paraqiten, por është një forcë jetësore, forca për të shpresuar kur të tjerët heqin dorë, forca për të mbajtur kokën lart, atëherë kur duket se gjithçka dështon, forca për të duruar e përballuar edhe mossukseset…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top