Mirëserdhe Bora!Në fakt nuk ishte vetëm një çast pritjeje, por më shumë se kaq. Një investim moral dhe material në shërbim të krijesës, fryt i një lidhjeje disavjeçare me bashkëshortin e saj, Mentorin. Orgesa Zaimi që herët do të ngaste hapat e ndjeshëm dhe instinktivë të mëmësisë për të qenë e përgatitur pas ardhjes në jetë të së bijës. Kam ‘shfrytëzuar’ çdo gjë, më rrëfen Orgesa, duke më treguar se nga aparati Iphone që mban në duar e çdo mjet tjetër teknologjik a literaturë qoftë, e ka vënë në funksion të të pasurit dijeni për një rol tepër të rëndësishëm për të. Të qenit nënë pa dyshim që dhe për këngëtaren ka treguesit e veçantë, të cilët më shumë se kurrë duhen marrë parasysh. Përvoja me fëmijët e motrës, Elvanës, si dhe kultura e përftuar prej nënës së saj ishin një dorë e mirë ku mund të mbështeste gjithë pyetjet e dilemat e saj. Bora e vogël i ka kapërcyer muajt e parë të jetës. Falë Zotit, siç vlerëson Orgesa, në këtë pikë, në afërsi të muajit të tretë, çdo gjë ka ndryshuar qetësisht dhe normalisht. Ajo përpiqet të jetë mama tradicionale, e përkushtuar me kohën ndaj së bijës, që lejon këshillat e gjyshes, dhe një modeli familjar që sipas saj ndikon shëndetshëm në mirërritjen e fëmijës. “Nëna ime është duke më ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme. M’u gjend pranë gjatë gjithë shtatzëninë dhe po ashtu edhe në maternitet e tashmë çdo ditë vjen e më viziton, për të parë nëse kam nevojë për gjë. I besoj asaj për shumë gjëra, të paktën për ato mbi të cilat unë s’kam eksperiencën e duhur. Ajo ndan me mua shumë histori kur unë kam qenë e vogël apo të vëllait dhe motrës, në mënyrë që të më përgatisë për sëmundjet ose situatat që mund të më ndodhin në të ardhmen. Fatkeqësisht nëna e partnerit tim ka vdekur që kur ai ishte fëmijë, dhe nëna ime i luan të dyja rolet, ndoshta më shumë. Pa diskutim që eksperienca dhe dijet e saj janë të vyera për mua në këto faza fillestare në të cilat nëse nuk tregon kujdes mund të ketë edhe pasoja. Me ndihmën e mamit kam rifilluar punën në radio, që më merr 3 orë çdo paradite. Kur shkoj në shtëpi, ndihem shumë e llastuar dhe e qetësuar”.
Sipas Orgesës!
Dikur nënat tona nuk kishin lehtësi dhe duhej patjetër të mësonin e dëgjonin vjehrrat apo nënat. Kjo nuk do të thotë se ne nënat e reja s’duhet t’i dëgjojmë, por kjo na favorizon ne në mënyrë pozitive për të pasur shumë ide për të vendosur se si duam t’i rrisim fëmijët tanë. Kritikat? Mund të kenë ndodhur shumë pak raste të tilla, mbase nga hutimi, meraku apo stresi që është krejt i natyrshëm. Megjithatë mund të them që raportin me nënën time e kam përveçse të konsoliduar, por do të doja që një ditë dhe fëmijët e mi të kenë të njëjtat raporte e vëmendje ndaj prindërve të tyre. Ne nuk jemi asgjë pa ata që na sollën në jetë dhe na dhanë çdo gjë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.70
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.